Festivali i Monodramës tri
ditët e fundjavës në Vlorë

26 Prill 2013, 03:10| Përditesimi:

  • Share
Për tre ditë radhazi, nga datat 26, 27 dhe 28 Prill, në qytetin e Vlorës do të zhvillohet Edicioni i Katërt i Festivalit të Monodramës organizuar nga kompania teatrore “Aulona” e Teatri “Petro Marko”, nën kujdesin e Bashkisë.

Drejtori i këtij festivali, aktori Ilirjan Ali tha se edicioni i Katërt i Monodramës, është një prurje artistike e arritjeve më të mira dhe njëkohësisht evidenton vlerat individuale të aktorit. Ai shtoi se, takimi do të ketë karakter garues dhe në përfundim të tij, do të vlerësohet edhe aktori më i mirë.

Në Edicionin e Katërt të Festivalit të Monodramës, përfaqësohen 7 aktorë dhe trupa nga Durrësi, Maqedonia, Tirana, Kosova dhe Vlora, mes të cilëve, Gjergj Doçi, Zdravko Stoimirov, Klodi Kadillari, Vladimir Abili, Ramadan Oraca, Senad Abduli, Ismet Azemi, me pjesë të At Zef Pllumbit, Gogol, Ibsen, Dostojevski, Ramadan Oraca etj.

Aktiviteti do të ndiqet nga një juri e përbërë nga emra të njohur të teatrit në Shqipëri. Takimi Kombëtar i Monodramës do të zhvillohet përgjatë tre netëve dhe në përfundim të tij do të zhvillohet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve.

Gjatë ditëve të aktivitetit do të ketë edhe diskutime krijuese rreth vlerave që do të sillen në skenë. Edicioni i Parë i Festivalit të Monodramës u zhvillua në verën e vitit 2009 dhe në të u përfaqësuan 6 aktorë nga trupa të ndryshme teatrore nga vendi dhe Ballkani.

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?