Festimet për Pavarësinë, Rama
e Meta bëhen bashkë në Vlorë

28 Nëntor 2017, 12:02| Përditesimi:

  • Share
VLORE - Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i vendit, Ilir Meta janë bërë bashkë në festimet zyrtare për 105 vjetorin e Pavarësisë, në sheshin e Flamurit në Vlorë. Ndërkohë që bie në sy mungesa e përfaqësuesve të Partisë Demokratike, të cilët kanë bërë homazhe në Tiranë te "Varrezat e Dëshmorëve". 

Pjesë e këtyre fesitmeve është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Kreu i shtetit Ilir Meta ka vendosur një kurorë me lule te monumenti i atit të Pavarësisë, Ismail Qemali. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Presidenti Meta ka ngritur flamurin në shenjë simbolike për aktin historik të Ismail Qemalit 105 vjet më parë.

meta rama ne vlore
(Rama, Meta dhe Thaçi te sheshi i Flamurit në Vlorë)

Në aktivitetet festive të Vlorës mungoi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili udhëtoi në drejtim të Prishtinës për shkak të vizitës së zv/ndihmës sekretares amerikane të Mbrojtjes, Laura Cooper. Kjo ka bërë që pas mbledhjes së përbashkët të qeverive dje në Korçë, Haradinaj dhe ministrat e kabinetit qeveritar të udhëtojnë drejt Prishtinës mëngjesin e kësaj të marte. 

Nga ceremonia e festimeve, kryeministri Edi Rama shpalli logon zyrtare për vitin e Skënderbeut. Përpara monumentit të arkitektit të pavarësisë, Ismail Qemali, Rama tha se heroi kombëtar shënjoi ardhmërinë e kombit shqiptar. “Në Vlorë ne jemi në këtë ceremoni modeste për të çelur vitin e Skendërbeut nën patronazhin e dy presidentëve, Metës dhe Thaçit. Jo më kot vendimi i parë i qeverisë ishte shpallja e vitit të Skenderbeut. Se pas 550 vitesh nga vdekja e tij ai shfaqet si simbol i një lufte të pathyeshme për liri, si strategu i artit luftarak që prej 550 vitesh ka frymëzuar mbarë kombin. Shqiptarët e patën një figurë që shënjoi ardhmërinë si komb”- tha Rama. 

Për presidentin Ilir Meta, 28 nëntori është dita më e ndritura në të gjithë historinë e kombit shqiptar. "Viti që vjen do t'u shërbejë të gjithëve për një reflektim të thellë në ndërgjegjen dotë kombëtare e kombëtare për të bashkuar energjitë tona, për të lartësuar vlerat e identitetit kombëtar ndaj figurave më të ndritura të kombit tonë dhe lartësuar imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë. Sot kjo është data më e ndritur në historinë e kombin tonë sepse është data që bashkon dy ngjarjet më të mëdha të vendit me të njëjtin dimension dhe rëndësi historike. Jo rastësisht burri i mençur Ismail Qemali dhe të gjithë patriotët shqiptarë vendosën të shpallnin pavarësinë në 28 Nëntori të vitit 1912", vijoi kreu i shtetit. 

 

 

 

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi risolli në vëmendje luftën e Kosovës, ku ndër të tjera theksoi se pa Shqipërinë, Kosova nuk do të ishte sot një shtet i lirë dhe sovran. Gjithashtu Thaçi u shpreh se sot Shqipëria dhe Kosova janë një komb me dy shtete sovrane, dhe me një qëllim të përbashkët që është anëtarësimi i plotë në BE. “Sot festojmë së bashku në Vlorë, duke përcjellë mesazhe të qarta për paqe dhe stabilitet të rajonit”- tha presidenti i Kosvës, Hashim Thaçi. 

rama meta

Basha homazhe te Varrezat e Dëshmorëve: Beteja për Shqipërinë...
Përfaqësues të Partisë Demokratike kanë zhvilluar homazhe te "Varrezat e Dëshmorëve" në Tiranë për 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, deputetë të grupit parlamentar dhe përfaqësues të tjerë të selisë blu kanë vendosur kurora me lule pranë monumentit "Nënë Shqipëri". Demokratët kremtojnë sot, 28 nëntor si Pavarësinë ashtu edhe Çlirimin, ndryshe nga të majtët të cilët kremtojnë edhe 29 nëntorin si festë kombëtare.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Basha u shpreh se sot është dita ku përkulemi me respekt të thellë para heronjve. "Flamuri na kujton për çmimin e lartë që ka pasur në shekuj shpallja e Pavarësisë. Na kujton peshën dhe përgjegjësinë për brezat e rinj. Na kujton betejën për Shqipërinë europiane dhe demokratike si thirrjen më të lartë dhe nderimin më të madh ndaj heronjve tanë"- u shpreh Basha.

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?