Kronikë

Festa 'Qershi dhe Dashuri' gjallëron Godoleshin e Elbasanit! Synon promovimi e produkteve të zonës

22 Qershor 2021, 17:58| Përditesimi: 22 Qershor 2021, 18:07

  • Share

Me shporta plot qershi në duar, muzikë popullore dhe kostume tradicionale, panairi “Qershi dhe dashuri” tërhoqi me qindra njerëz.

Aktiviteti synon të promovojë prodhimet tradicionale të zonës e sidomos qershisë, por edhe të zhvillojë turizmin.

“Godolesh është një popull punëtor dhe ka produkte shumë të mira siç është qershia dhe ulliri. Me punën e tyre kanë arritur të nxjerrin produkte shumë të mira. Kjo festë është shumë e mirë. Jo vetëm për faktin e atmosferës, por edhe për promovimin e produkteve bio të zonës”, tha kryetari i njësisë Labinot-Fushë, Astrit Hazizi. 

“Çdo gjë vjen drejt përmirësimit. Godolesh mbahet për qershi e ullinj. Një popull punëtor, ku gurin e bën dhe dhe natën e bën ditë. Shpresojmë akoma nga ana e bashkisë”, u shpreh kryeplaku i fshatit.

“Jemi tek festa e qershisë dhe dashurisë. Qëllimi i çdo feste është dashuria. Sa më shumë dashuri, aq më shumë qetësi. Me anë të kësaj feste duam të shprehim sa më shumë dashuri”, tha një banor.

“Ka treg për qershinë. Ky aktivitet e rrit reklamën. Qershia është pema e parë e fshatit tonë”, u shpreh një tjetër.

Ky aktivitet, i cili është përfshirë edhe në kalendarin e festave të bashkisë Elbasan ka tërhequr edhe vëmendjen e turisteve të huaj që kanë ardhur për të vizituar Shqipërinë.

“Më pëlqen këtu, mezi po pres të fillojnë vajzat të kërcejnë me të gjithë ato kostume të bukura që kanë veshur. Herën tjetër do të kthehem sërish por me familjen. Kudo që shkoj në botë njerëzit duken të ftohtë, ndërsa në Shqipëri njerëzit kanë kënaqësi kur të mirëpresin. Janë njerëz të ëmbël dhe mikpritës, dhe mikpritja është ajo që e bën Shqipërinë më të bukur”, shprehet një prej turistëve.

Fshati Godolesh, i cili është i vendosur në kodrat e qytetit të Elbasanit, përveçse njihet për prodhimin e qershive që mbulon një pjesë të mirë të tregut vendas, ofron edhe një pamje spektakolare.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?