Ferrollari: Dietologjia, një
biznes i ri në ekspansion

24 Mars 2016, 08:50| Përditesimi:

  • Share
TIRANË - Dietat personale kanë nisur të bëhen një nocion i njohur për shqiptarët rreth 10 vite më parë, duke ardhur në një pikë që dietologët sot e konsiderojnë si një ndër shërbimet që u kushtohen kryesisht njerëzve në nevoja shëndetësore, por jo vetëm. Një formë biznesi relativisht i ri në vendin tonë është ai i ndërthurjes së dietologjisë dhe shërbimit të dërgimit të ushqimeve në shtëpi, si një program i plotë në ndihmë të klientëve.

Një dietologe prej disa vitesh në tregun shqiptar, Enkeleida Ferrollari, tregon se dy janë shërbimet kryesore që kërkojnë shqiptarët: kategoria e konsultës dietologjike, e cila përfshin vizitën dhe rekomandimet e shkruara për humbje apo marrje peshe. “Ky është një shërbim pak më impenjativ por më ekonomik dhe që mund të kenë mundësi edhe ata që kanë të ardhura ulëta ekonomike”,- thotë ajo.

Duke shtuar se një tjetër shërbim është ai i ofrimit të shërbimit të dietës përmes “catering”-ut, duke ju dërguar të përgatitura vaktet e dietës. “Ky është një shërbim më komod për ne si dietologë dhe më i kushtueshëm për klientët”,- duke pohuar se numri i këtyre të fundit ka ardhur në rritje vitet e fundit.
Ferrollari ka përfunduar masterin e nivelit shkencor për Ushqim dhe Dietetikë në Universitetin Politeknik të Marche-s në Itali, por ka gjetur hapësirë për biznesin e saj në Shqipëri.

Ja çfarë thotë dietologia:

A është biznesi i “dietave” fitimprurës?
Sikurse edhe shumë profesione të tjera, edhe ky i dietologjisë është një formë biznesi i vetëpunësimit, që do të thotë se dietologu është vetëpunësuar në një studio të ngritur vetë dhe që siguron vetë të ardhurat. Si i tillë është një biznes me fitime modeste që krijon mundësinë e sigurimit të të ardhurave modeste. Pra mund të klasifikohet si një biznes i vogël me të ardhura dhe shpenzime të atij niveli.
 
Sa kërkesa dhe njohuri kanë shqiptarët?
Koncepti i ushqimit të shëndetshëm ka tashmë pothuajse 10 vite që ka hyrë edhe në Shqipëri. Ndryshimi i ritmeve dhe stilit të jetës së shoqërisë shqiptare solli si pasojë edhe ndryshime të mënyrës së të ushqyerit dhe probleme të lidhura me të. Ndryshimi i mënyrës së të ushqyerit u shoqërua me rritje në përqindje të numrit të personave që vuajnë probleme të mbipeshës dhe obezitetit dhe të problemeve të shëndetit të lidhura me to. Kemi statistika në rritje të përqindjeve të personave që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, të sëmundjeve të diabetit, të veshkave etj..

Kjo ka bërë që numri i personave që kanë nevojë për këtë shërbim të jetë në rritje. Një rol të madh në këtë drejtim ka luajtur edhe media sigurisht, e cila ka ndihmuar në informimin dhe sensibilizimin e publikut për mënyrën e të ushqyerit si shkak kryesor i mbipeshës dhe të problemeve shëndetësore të lidhura me të.
 
Si janë çmimet dhe cilat kategori janë më tepër të interesuar?
Ky nuk është një shërbim i pamundur për sa i përket çmimit. Ofrojmë disa lloje shërbimesh që mund të kenë mundësi të përfitojnë qoftë ata me të ardhura të mira ekonomike, qoftë ata me të ardhura të mesme dhe ulëta. Çmimet e shërbimeve janë të arsyeshme krahasuar me nivelin ekonomik në vend dhe të ulëta krahasuar me të njëjtin shërbim që ofrohet në vende të tjera të Europës.
 
Cilat janë shërbimet kryesore të dietologjisë që ofrohen?
Parimi i punës sonë është zgjidhja e problemeve të peshës dhe të shëndetit me një mënyrë të ushqyeri të rregullt dhe të shëndetshme. Ofrojmë shërbime qoftë për marrje në peshë, qoftë për humbje peshe sipas nevojave që ka gjithsecili. Shërbimet janë të ndara në kategorinë e konsultës dietologjike, e cila përfshin vizitën dhe rekomandimet e shkruara për humbje apo marrje peshe, i cili është një shërbim pak më impenjativ, por më ekonomik, dhe që mund të kenë mundësi edhe ata që kanë të ardhura ulëta ekonomike. Ofrojmë edhe shërbimin e dietës catering, duke ju dërguar të përgatitura vaktet e dietës. Ky është një shërbim më komod dhe më i kushtueshëm.
 
A ka kosto si biznes? Po konkurrenca?
Është një biznes që ka kosto dhe që në fakt janë në rritje, e cila shkon paralelisht me rritjen e çmimeve të produkteve të tjera ushqimore të tregut. Për sa i përket konkurrencës, për fat të mirë ekziston dhe është shtuar. Them për fat të mirë, se realisht e dua konkurrencën, qoftë edhe e vështirë. Konkurrenca më ndihmon të përmirësohem dhe më bën më krijuese në cilësi shërbimi, me rezultat shërbim cilësor dhe klientë të kënaqur.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?