Fenomeni, ‘lind’ mjekësia defensive

18 Tetor 2013, 09:24| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Gjatë viteve të fundit raporti mjek-pacient në vendet e zhvilluara ka pësuar një ndryshim të dukshëm për faktin e rritjes së perceptimit social të problemit të kequshtrimit të profesionit mjekësor. Në këtë hark kohor është ecur duke i atribuar një përgjegjësi civile dhe penale shërbimit mjekësor. Shtresa e mjekëve duke u njojtur gjithnjë e më shumë si përgjegjëse  e episodeve të kequshtrimit të profesionit, me të drejtë ose padrejtësisht është ekspozuar ndaj një numri gjthnjë në rritje të veprimeve ligjore. Duke ju referuar SHBA-së dhe vendeve të tjera të zhvilluara, rezulton që pacientët apo familiarët e tyre nuk mbajnë më një qëndrim pasiv ose miratues ndaj vendimeve të mjekëve.

Kur ata dyshojnë se këto të fundit kanë gabuar, nisin një proces gjyqësor, kësisoj ata i sheh të kundërvënë me mjekët në gjyq. Prandaj tek mjekët po vihet re një qëndrim ‘difensiv”, i cili po çon në ndryshimin e modeleve dhe proceseve vendim-marrëse lidhur me diagnozën dhe mjekimin e pacientëve. Ndryshime të kësaj natyre pritet të ndodhin edhe në vendin tonë. “Mjeksia defensive vihet re kur mjekët përshkruajnë teste, procedura diagnostikuese  ose vizita, ose shmangin pacientët apo trajtimet me rreziqe të larta, kryesisht për të ulur ekspozimin e tyre  ndaj  një gjykimi ose përgjegjësie të kequshtrimit të profesionit.

Kur mjekët kërkojnë prova ose procedura të tepërta, praktikojnë një mjekësi defensive positive. Kur shmangin disa pacientë apo trajtime te tyre, praktikojnë një mjekësi defensive negative.” Sipas këtij klasifikimi, siç shihet, dalin dy mënyra qëndrimi difensiv, ose thënë ndryshe, mbrojtës, njëri aktiv (pozitiv) dhe tjetri pasiv  (negativ). I pari karakterizohet nga një mbidhënie e ndihmës  mjeksore dhe e veprimeve diagnostikuese ose mjekuese, realisht jo të nevojshme në situatat përkatëse, për të ulur akuzat mbi kequshtrimin e profesionit; I dyti dallohet nga përpjekjet për të shmangur këtë kategori të pacientëve ose të ndërhyrjeve  diagnostikuese apo mjekuese, sepse do të mundeshin të shkaktonin  një rrezik grindjesh që çojnë në procese gjyqësore.
 
Mbi disa veçori të fenomenit të mjeksësië defensive në Rajonin e Tiranës
Diskutimin e kësaj çështjeje për Rajonin e Tiranës do ta trajtonim duke patur parasysh gjithashtu zhvillimet social-ekonomike që kanë ndodhur në dy dekadat e fundit dhe në këtë kuadër edhe të shërbimit shëndetësor. Në Tiranë ushtrojnë veprimtarinë mjeksore në specialitete të ndryshme mbi 4500 mjekë, rreth 1300 dentistë, shumë laboratorë të sistemit publik e privat dhe farmaci të shpërndara në gjithë territorin rajonal. Një pjesë e konsiderueshme e mjekeve të sistemit publik janë punësuar edhe  në atë privat.

Në një vështrim të  përgjithshëm të ankesave të Rajonit të Tiranës, pjesa më të madhe e tyre kanë të bëjnë me konfliktet mjek-pacient, kryesisht të lidhura me problemin e recetave të rimbursueshme. Nga analizat dhe ballafaqimet e kryera për këtë çështjeje, konflikti ka rezultuar të jetë rrjedhojë e mosinformimit dhe mos njohjes nga vetë pacientët të rregullave, të cilat mjekët e familjes janë të detyruar ti zbatojnë për lëshimin e recetave me rimbursim. Përshkrimi i barnave me atë synim  që ndodh në vendet e tjera të Evropës që mjeku të mbrojë vehten nga një akuzë eventualisht që mund ti bëhet nëpërmjet organeve të ligjore nuk është vënë në dukje.

Si një veçori në kushtet shërbimit shëndetësor publik e privat dhe të mungesës së kontrollit të brendshëm mbi cilësinë ose të monitorimit të jashtëm, ( p.sh. me laboratorë reference për cilësinë e  analizave që bëhen në sistemin publik dhe privat) mjekët kanë qenë të detyruar të rekomandojnë ekzaminime të kushtueshme, bërjen e analizave apo të konsultave dhe përshkrimin e recetave me preparate të shtrenjta që pa dyshim rëndojnë ekonomitë e pacientëve.

Motivi i këtij qëndrimi nuk qëndron në mjekësinë mbrojtëse siç ndodh në vendet e tjera, por si element sigurie dhe dëshire për të ndihmuar pacientin. Në këtë kuadër nuk përjashtohen të ardhura suplementare nga sektori privat i klinikave, laboratorëve apo farmacive si shpërblim i klientelizmit. Porse tashmë nuk mund të flasim për një element të mjekësisë defensive, por për një lloj mjekësie abusive “komerciale”, e përfolur në stadin aktual. Një mangësi tjetër që spikat në shërbimin tonë janë mangësitë qe vihen re shpesh here, sidomos ne spitalet publike, në drejtim të përshkrimit të ecurisë së sëmundjes, të konsultave me specialiste, në mos dokumentimin në mënyrë të saktë në kartelat mjeksore të punës së bërë prej tyre si dhe mos zbatimi me korrektësi i sistemit të referimit.
Një numur ankesash drejtuar urdhrit të Mjekëve të Tiranës kanë të bëjnë me pakënaqësitë e lindura për rezultatin e mjekimit, apo për vdekjet spitalore, ku pretendohet se mjekët kanë gabuar dhe/ose nuk kanë treguar kujdesin dhe preokupimin e duhur.

Nga shqyrtimi i këtyre ankesave është arritur në përfundimin se pakënaqësitë e ankuesve nuk janë rrjedhojë e gabimeve  individuale të mjekëve, por kryesisht pasojë e mangësive në organizimin e punës në spitale ose incidente të pritshme jo për faj të mjekëve.
Mbështetur në këto mangësi, mjekët janë të detyruar ti drejtojnë të sëmurët e tyre në shërbimet private, jo në kuadrin e mjekësisë  defensive për të cilën po diskutohet, por për arsye të mangësive në drejtim të ashtuquajturës malasanita, d.m.th. të kushteve, mjeteve diagnostikuese e mjekuese, dhe të mungesës së barnave që hasen në shërbimin spitalor publik, çka ka krijuar një mjedis social e higjienik-mjeksor të pa pranueshëm nga pacientët.

Si mund të pajtohet pacienti me situatën higjienike, të themi në disa reparte kirurgjikale, ku në mjaft raste mungojnë elementët esencialë të parandalimit të infeksioneve spitalore, pa përmendur mungesat në aparatura, barna dhe materialet e punës. Përballë këtij fenomeni që ngjall konflikt me pacientët nuk dalin administratat dhe drejtuesit e shërbimeve mjekësore, por mjekët dhe personeli vartës i tyre, të cilët duhet të japin llogari edhe për ata problematika për të cilat nuk mbajnë përgjegjësi.

Vitin e fundit në Rajonin e Tiranës po vihet re një qëndrim disi më i rreptë i pacientëve ndaj shërbimit mjeksor publik dhe privat duke kërkuar marrjen e masave ligjore ndëshkuese, duke ju drejtuar Gjykatave, të përqëndruara kryesisht ndaj mjekëve. Këto veprime muajt e fundit janë në rritje, të fokusuara kryesisht në kërkesat për çdëmtimin e dëmit. Kështu do përmendja rastin e një pacienti që kërkon zhdëmtimin rreth 3500 euro nga specialisti për dëmtimin e syrit, rastin e një familjari që për gruan e tij  akuzon mjekët për pakujdesi dhe drejtimin padrejtësisht në farmacitë privatë duke e detyruar të bëjë shpenzime të mëdha.

Një rast tjetër akuzon spitalin privat në Tiranë për vendosjen gabim të pes-mekerit dhe gabimin e ka korigjuar në një spital të Greqisë. Për këtë kërkon kthimin e 4000 euro nga spitali privat i Tiranës. Në këtë drejtim mendojmë se ekziston një vakuum ligjor siç është mungesa e sigurimit të spitaleve dhe të mjekëve, çka realizojnë dëmshpërblimin e pacientëve për rastet e dëmeve që eventualisht mund të ndodhin gjatë veprimtarisë së institucioneve publike dhe private. Në këtë drejtim vejmë re se ka edhe nisma serioze në favor të autoritetit të klinikës private, siç është ai i klinikës Kardiologjike me pronar R.M., i cili në rregulloren e brendshme të punës së klinikës detyron dëmshpërblimin e pacientit në rastet kur ndërhyrja për arsye të ndryshme nuk ka rezultuar e suksesshme.

 Përmendëm vetëm disa raste të ndodhura gjatë vitit në vazhdim, për të cilat kërkohet një reflektim, apo thënë ndryshe një qëndrim kompleks ku gjithsecili aktor të bëjë punën e vet për zgjidhjen e problemit. Për këto çështje, duke patur parasysh mangësitë e vërejtuara gjatë veprimarisë dhe analizat që ka kryer Këshilli Rajonal i U.M., do të  propozonim që vëmendja të drejtohet në zbatimin e detyrave kryesore si;

Sugjerimet e urdhrit të Mjekëve
Zbatimin me korrektesë të instrumentave mbrojtëse të lidhura me profesionalizmin si zbatimin e protokolleve të mjekimit për çdo nosollogji, të sistemit të referimit dhe marrjen konsensusit të informuar për çdo ndërhyrje mjekësore
 
Gjetjen e një dialogu e mirkuptimi të mjekëve me pacientët, duke u shpjeguar atyre me durim sëmundjet dhe problematikat e lindura lidhur me rastet specifike. Të gjitha këto veprime që nuk të lejojnë të gabosh, janë përcaktuar saktë në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë, zbatimi i të cilit është mbrojtja më e mirë e çdo mjeku
 
Të spostohet shikimi në problemet e organizimit, të kushteve të punës, pajisjeve me mjetet, barnat e nevojshme e disiplinës sanitare
 
Mendojmë se ka ardhur koha për ndërmarrjen e një nisme ligjore për sigurimin e spitaleve për dëmshpërblimin e të sëmurëve për rastet e dëmeve që eventualisht mund të ndodhin gjatë veprimtarisë në institucionet publike dhe private
 
Krijimin e një bashkëpunimi më të sinqertë me median në aspektin social-kulturor duke nxitur qëndrimet sensibilizuese jo kundër figurës së mjekut e penalizimin e tij, por në drejtimin e informacionit për kompleksitetin e fenomenit

*Faik Toska është President i “Urdhrit të Mjekut”, Rajoni i Tiranës
 
 Shkrimi u publikua ne Suplementin "Shendeti" (17.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?