Donald Trump

Bota

FBI-ja në shtëpinë e Trump-it, seancë në gjykatë për dokumentet e klasifikuara që mbaheshin në Mar-a-Lago

29 Gusht 2022, 17:11| Përditesimi: 29 Gusht 2022, 17:14

  • Share

Një gjykatëse federale ka vendosur për mbajtjen e një seance dëgjimore këtë javë për mundësinë e caktimit të një eksperti të pavarur për të shqyrtuar dokumentat, disa prej të cilave të klasifikuara, të marra nga rezidenca e ish-Presidentit Donald Trump, i cili pretendon se mbrohet nga imuniteti i ekzekutivit, diçka që zakonisht nuk vlen për ish-presidentët. Departamenti i Drejtësisë i është përmbajtur praktikës së mëparshme, duke mos komentuar për hetime në vazhdim.

Një betejë ligjore ka filluar që kur agjentët federalë bënë kontroll në Mar-a-Lago, rezidencën në Florida të ish-Presidentit Donald Trump.

Megjithë kërkesat prej muajsh dhe një fletëporosie të dërguar më herët këtë vit, ish-presidenti mbajti dokumentat që Arkivat Kombëtare thonë se duhen të ishin ruajtur sipas Ligjit për Dokumentacionin Presidencial, dhe jo në shtëpinë e dikujt.

Agjentët gjetën 11 dosje dokumentash të klasifikuara. Disa prej tyre përmbanin edhe emrat e personave që kanë shërbyer si burime konfidenciale.

Presidenti Trump dhe ekipi i tij ligjor nuk kanë vendosur nëse duhet t’i bëjnë publike detajet e urdhrit për kontroll të Departamentit të Drejtësisë, që u publikuan rishtazi në një formë shumë të redaktuar. Ata i kërkuan një gjykatëseje federale, të emëruar nga zoti Trump në vitin 2020, që të caktojë një “arbitër” të pavarur, një ekspert që do të shqyrtojë dokumentat e marra për të vendosur nëse ish-Presidenti Trump mund të mbrohet nga imuniteti i ekzekutivit. Gjykatësja Aileen Cannon është shprehur paraprakisht në favor të një emërimi të tillë.

“Është mirë që do të kenë një ekspert që do të shqyrtojë dokumentat që (ish) presidenti i kishte me të gjithë të drejtën, si dhe dokumentat që nuk janë dorëzuar ende. Me sa kuptoj, ai ka dorëzuar shumë dokumenta. Duhet t’i kishte dorëzuar të gjitha. Mendoj se edhe ai e di këtë tashmë”, tha Senatori republikan Roy Blunt.

Ish-Presidenti Trump thotë se i ka çklasifikuar dokumentat në fjalë gjatë kohës kur ishte ende në detyrë në Shtëpinë e Bardhë. Është një pretendim që pasardhësi i tij, Presidenti Joe Biden e hedh poshtë.

Presidenti Biden thotë se as nuk dëshiron t’i dijë detajet e hetimit dhe se është në dorë të Departamentit të Drejtësisë.

“Ka diçka paksa absurde kur duket se kemi një ish-president që ka marrë dokumenta shumë të klasifikuara në rezidencën e tij. Është e pakuptimtë për mua. Por sërish, kur flasim për Presidentin Trump, ka shumë gjëra të pakuptueshme”, tha Senatori Bernie Sanders.

Ish-Nënpresidenti Mike Pence u pyet rishtazi nëse kishte marrë dokumenta të klasifikuara kur u largua nga Uashingtoni dhe u përgjigj thjesht: “Jo. Me sa di unë, jo”.

Kjo i shton më tej vështirësitë ligjore për ish-Presidentin Trump, ndërkohë që një ish-drejtues i biznesit të familjes së tij pranoi fajësinë për shmangie taksash.

Gjykatësja Cannon ka caktuar një seancë dëgjimore ditën e enjten për të shqyrtuar mundësinë e caktimit të një eksperti të posaçëm../VOA

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?