Fatos Qerimi: Kujtimet me Laver
Bariun, këtë virtuoz pa shkollë

4 Maj 2013, 05:22| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Emri i Laver Bariut është gdhendur tashmë në kujtesën e gjithë popullit shqiptar, në të gjithë ata artistë që kanë lëvruar muzikën dhe instrumentet muzikore. Laver Bariu, mjeshtri i klarinetës mbushi 85-vjeç. Ai lindi më 2 maj 1928.

Breza të rinj klarinetistësh po ecin sot në gjurmët e tij. Kompozimet e tij origjinale në klarinetë janë dekoduar në gjuhën teknike të universiteteve dhe janë botuar deri në Angli, ku janë bërë pjesë e partiturave muzikore që studiohen në Akademinë e Arteve.

Autori i një prej partiturave “Pa iso”, botuar në Angli, Fatos Qerimi, ka bërë zbërthimin emocional të kabasë shqiptare, e cila nuk është gjë tjetër veçse gjuha e dekoduar e Laver Bariut. Klarinetisti pa shkollë, por me talent të rrallë natyral, i dha gjuhë e zë klarinetës, duke e kthyer në instrument kombëtar.

I vlerësuar me disa çmime, muzika me saze e Laver Bariut renditet edhe në krye të listës së iso-polifonisë, e përfshirë në UNESCO si "kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit. Instrumentisti i njohur Fatos Qerimi tregon historinë e zhvillimit të kabave shqiptare, sekretet e gjuhës muzikore të Laver Bariut që shndërroi klarinetën në instrument kombëtar.

Zoti Qerimi, çfarë roli ka në jetën e një instrumentisti emri i Laver Bariut?
-Roli qe i madh në muzikën e kabave,por kontributi i tij kulmoi tek instrumenti i klarinetës, duke e bërë një instrument tradicional shqiptar. Kjo gjë për mua përbën një kontribut të jashtëzakonshëm tek ai, plus pastaj koncepti i interpretuesve timbrikë apo edhe ajo formë muzikore, që e përsosi nëpërmjet interpretimit të tij, siç është kabaja.

Sigurisht bashkë me të ishte një gjeneratë me vlera të jashtëzakonshme, emra të cilët bashkë me Remzi Lelën, me Çobanin e famshëm, qoftë edhe Hekuran Xhambalin, qoftë me klarinetistët e Korçës si Zhani Struga, Telando Peta apo i madhi Lulushi. Doli një gjeneratë e fuqishme që i dha klarinetës një dimension, jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar.

Më bëri përshtypje që thatë se klarinetës i dha dimension kombëtar. Klarineta është instrument tipik kombëtar apo është e importuar nga shkollat muzikore të vendeve të ndryshme të botës?
-Klarineta si instrument, sigurisht që nuk është produkt i këtij vendi, ka ardhur si të gjithë instrumentet e tjerë, përveç atyre shumë antikë. Flitet se ka ardhur në Shqipëri nga fundi i shekullit të 18-të dhe pastaj klarineta u bë pjesë e disa formacioneve tona muzikore, siç janë sazet e famshme të Leskovikut apo sazet e Korçës, Përmetit dhe më gjerë, dhe pastaj klarineta u bë pjesë e disa fanfarave, domethënë bandave të vogla, u bë pjesë në veri e disa formacioneve muzikore të këngëve qytetare shkodrane.

Pra, mori pjesë e përfshiu muzikën shqiptare. Dhe Laver Bariu i dha pikërisht atë identitetin shqiptar. Me Laver Bariun instrumentistët krijuan një fondament me karakter individual, kreativ, duke krijuar kabatë e famshme dhe duke i bërë pjesë të një strukture tipike tradicionale shqiptare.

Dhe ju vetë Fatos vini nga një familje instrumentistësh të Përmetit. Çfarë tabani të mirëfilltë ka Përmeti që shpërthen me gjithë këta instrumentistë?
-Unë mendoj që Përmeti me të vërtetë ka muzikantë të shquar shqiptarë duke përmendur edhe Mentor Xhemalin. Babai im thotë se Vjosa, mali, trëndafilat, e gjithë ky peizazh i bukur ka bërë atë që ka mbështetur emocionalisht dhe ka mirëmbajtur shpirtin artistik, gjë që lidhet me gjithë kulturën, mirësjelljen dhe mirëpritjen e Përmetarëve. Përmeti është vend emocionues për të gjithë.

Çfarë kujtime konkrete ke me Laver Bariun. Çfarë ke përfituar ti vetë?
-Ajo që e bënë vërtetë të interesuar një artist për Laver Bariun është se ai e ka mbajtur akoma gjallë klarinetën dhe e ka pasur si gjymtyrën e tij të shtrenjtë. E ka përkëdhelur atë instrument dhe është identifikuar me atë instrument. Në komunikimin që kam pasur me atë në shtëpinë e kulturës në Përmet, më kujtohet që i gjithë ky konfigurim që thashë, lidhet me atë që ai ishte i ngjizur me muzikë dhe e transmetonte menjëherë. Ndikimi qe i madh. Të dukej sikur edhe ti klarinetën do ta përkëdhelje në atë mënyrë siç e përkëdhelte ai.

Mbaj mend periudhën kur isha 23-24 vjeç. Sa kisha mbaruar shkollën dhe isha në një tur koncertesh në Përmet. Më kujtohet sesi në shtëpinë e kulturës shkëmbyem disa fjalë. Vaso Tole ma prezantoi. Ishte student atëherë dhe më tha “Do të prezantojë me Laver Bariun”. Lamë një takim një pasdite të bukur dhe pamë atë instrumentin e tij. Luajta pak muzikë me të. Më dëgjoi pak dhe kjo na lidhi dhe pastaj u bëmë miq; Isha rritur dhe unë dhe mund të flisnin si profesionistë.

A i tregonte sekretet e profesionit Laver Bariu?
-Shiko nuk është se instrumentistët popullor i tregojnë termat me mjetet moderne teknike të identifikimit. Ata i tregojnë konkretisht me figuracion, me shprehje popullore, por patjetër që më mësoi se ato janë filozofike. Usta Laveri duhet t’i shprehte me sinonime të bukura, figura letrare. Kur nga goja e tij përmenden trëndafilat, në klarinetë atij i çel timbrika si një trëndafil. Kur mendon se di ia marr shtruar ai mediton dhe timbri del shtruar. Këta janë njerëz që e ndërtojnë formën artistike me improvizim në mënyrën më perfekte që mund të jetë.

Ndonjë turne të kujtohet që ke pasur bashkë me të?
Ai është një artist i kompletuar, jo vetëm si klarinetist, por edhe si këngëtar. I këndon zëri bukur atij. Unë shumë pak kam shkëmbyer aktivitet të përbashkëta, por unë e kam ndjekur atë gjithmonë, e kam ndjekur në skenat e festivaleve folklorike në ambiente të ndryshme festash, në organizime panairesh, ku ka qenë tepër i kërkuar. Edhe pse ai ka një moshë që duhet të rrijë në qetësinë e tij, njerëzit absolutisht nuk e kanë harruar.

Si po shkon tradita klarinetës në Universitetin e Arteve?
-Pikërisht aty ka instrumentistë të rinj që shkelin në gjurmët e këtyre klarinetistëve.

A është dekoduar gjuha figurative e Usta Laverit në gjuhën teknike në shkollat tona muzikore?
-Po po, duhet t’ju kujtoj se Aleksandër Peçi ka një kompozim të tij që e ka quajtur “Rrënjët timbrike”. Ajo është një vepër që është prezantuar në koncertin e muzikës së kabasë dhe është e mbushur me figuracione dhe terminologji moderne, për ta rritur atë zbërthimin emocional të veprës së kabasë shqiptare.

Është futur në procesin e studimit, edhe vepra partiturë “pa iso” imja që është botuar në Angli dhe vepër solo për klarinetë e kompozuar, të cilën unë mendova ta shqipëroja “Pa Iso”, se po ta titulloja “Solo” është latinisht. E gjithë kjo kolanë veprash që përmenda i dedikohet frymëzimit që na dhënë Laver Bariu, i cili ka frymëzuar të gjithë brezin e instrumentistëve më të mirë.


Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?