Thethi

Faqja e njohur turistike holandeze: Në Shqipëri gjetëm atë që kërkonim, mikpritjen legjendare

16 Maj 2020, 19:49| Përditesimi: 16 Maj 2020, 20:02

  • Share

Në Shqipëri gjetëm atë që kërkonim, mikpritjen legjendare dhe një nga formacionet më spektakolare shkëmbore të Europës, shkruan Hans Avontuur, për magazine.wideoyster.com, një faqe e njohur turistike holandeze që publikon shkrimet më të mira për vende të njohura turistike të botës.

”Është aq mjegull sa nuk mund të shihni pothuajse asgjë… Mbaj frymën ndërsa makina jonë 4×4 ecën me kujdes përgjatë gropave dhe përrenjve. Po synojmë të shkojmë në Theth…”.

”Thethi është një vend i fshehur ku, edhe një pasha osman, i cili kontrollonte gjysmën e Ballkanit deri në vitin 1912, e kuptoi shpejt se kjo luginë ishte tepër e largët për t’u shtypur me dorë të hekurt”.

Më në fund, ja ku është fshati. Në fund të luginës. Majat e larta dhe rrëpirat që rrethojnë fshatin, bëjnë që shtëpitë të duken shumë të vogla. Është pikërisht ashtu si e përshkroi shkrimtari holandez, Den Doolaard në vitet 1930: “Një përpjekje e njeriut për t’iu kundërvënë natyrës”.

Kjo është arsyeja pse kam ardhur në këtë rajon malor në kufirin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe pak të Kosovës. Unë i dua Alpet dhe kam vizituar edhe zemrën e Pirenejve në kërkim për një vend të shkretë dhe pak a shumë ajo ishte e tillë, por isha i bindur se Europa duhet të ketë vende edhe më të egra. Në një kafene në Kolashinë, në Mal të Zi dëgjova emrin “Bjeshkët e Namuna”. Doli se personi që e tha ishte një udhërrëfyes malor dhe shtoi se “kjo është pikërisht ajo që po kërkoni”.

Me të mbërritur në bujtinë, mikpritja u thellua nga një tavolinë e mbushur me ushqime të shijshme vendase, djathëra, mish të thatë, perime të pjekura në skarë, bukë të pjekur në shtëpi. Aq e ashpër dhe armiqësore sa duket bota malore nga jashtë, aq e ngrohtë dhe e butë është në brendësi të shtëpive të banorëve.

Katerina, e veshur me të zeza, thotë se ”unë kam lindur këtu. Jeta është e vështirë, por e bukur”. Lugina e izoluar, e ndaluar për vizitorët gjatë epokës komuniste, ka një bukuri të jashtëzakonshme. Lloji i vendit ku çdo tingull jehon, ku dëgjoni gjëra që nuk janë aty dhe ku në muzg shihni pas, edhe pse e dini se askush nuk po ecën pas jush.

Këtu kanë jetuar 150 familje, ndërsa tani ka pak më shumë se 20. Por, njerëzit dalëngadalë po kthehen, kur shohin se mund të ndërtojnë një jetë me natyrën dhe turizmin. Ka kaq shumë bukuri. Mund të ecni në çdo rrugë nga fshati dhe natyra ju përqafon. Ndjek një rrugë malore përmes një peizazhi me gurë dhe pellgjesh me ujë të pastër si kristal.

Dëgjoj një murmuritje në distancë që duket sikur afrohet pas çdo hapi. Duke zbritur përgjatë një shkalle druri, duke u ngjitur në anën tjetër do të shihni një liqen malor blu, pothuajse të përkryer, që mbushet nga një ujëvarë… Unë dua të shkoj edhe në luginën e Valbonës. Mund të shkohet më këmbë ose përmes rrugës automobilistike dhe ujore nga liqeni i Komanit.

Rruga me një traget të vjetër që zgjat katër orë, është si një lundrim në ëndërr, ujë i gjelbër prej smeraldi, një grykë që hapet dhe mbyllet dhe shqiponjat ”notojnë” nëpër qiellin gri. Bie shi i butë dhe fryn një erë që të pret. Shumica e pasagjerëve gjenden brenda në të ngrohtë, por unë shkoj drejt në kuvertë për të humbur sa më pak nga ky udhëtim. Pas një orë, asgjë nuk është e më e dukshme, nuk ka asgjë që tregon praninë e njerëzve. Dhe papritmas, duket një fermë, së bashku me bagëtitë që kullosin.

Që nga viti 2015, ekziston një rrugë e mirë asfalti që të çon nga Fierza në Valbonë, e cila e ka bërë luginën më të prekshme. Në vitin 2009 amerikania, Catherine Bohne shkoi me pushime në Valbonë, për 11 ditë, u takua me shqiptarin, Alfred në traget dhe nuk u largua më kurrë.

“Është e pabesueshme sesa bukur është këtu. Shihni kopshtet e egra, kumbullat dhe mollët, ku arinjtë duan të vijnë. Ose fshatin malor të Çeremit, ku pa energji elektrike, ujë të nxehtë ose valë telefonike, shkëputeni automatikisht nga jeta e përditshme”, thotë ajo.

Këto janë cilësitë unike të Valbonës, me të cilat ju mund të zhvilloni turizëm të qëndrueshëm, të përshtatshëm për një park kombëtar. Shpresoj që gjithçka të qëndrojë kështu. Këtu, në kufirin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, ka ende mundësi për ta mbajtur natyrën të pacenuar.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Adriatique: 16/05/2020 22:00

    Kemi gjithe ketë pasuri dhe merremi me nje teater te rraskapitur.Sa keq!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni sulmet ndaj kreut të SPAK, Dumani, e drejtësisë së re?