Giovani Falcone dhe Paolo Borsellino

'Falcone e Borsellino, 30 vite më pas', organizohet në Tiranë më 9 maj konferenca përkujtimore për dy magjistratët heronj që u ekzekutuan nga mafia

6 Maj 2022, 15:54| Përditesimi: 6 Maj 2022, 16:10

  • Share

Më datën 9 maj, në orën në orën 17:00, në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë, Ambasada e Italisë, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Ekspertin e Guardia di Finanza-s në Tiranë, do të organizojë Konferencën e rëndësishme përkujtimore me titull “Falcone e Borsellino, 30 vite më pas”.

Masakra e Capaci-t dhe ajo e Via D’Amelio-s qenë pika kulmore e sfidës përballë së cilës mafia vendosi institucionet demokratike të Italisë si dhe ngjarjet që tronditën ndërgjegjen e opinionit publik.

Në një njoftim për mediat, ambasada e Italisë thotë se '30 vite më pas, është detyrë e jona të mbajmë gjallë kujtimin e viktimave e të nderojmë prokurorët të cilët mbartin vlera të mëdha morale, duke vijuar me përçimin e mësimeve të tyre. Konferenca do të jetë një moment reflektimi mbi fenomenin e mafias dhe rasti për të ndërgjegjësuar shoqërinë civile e për të promovuar një kulturë ligjshmërie.'

Në konferencë do të jenë relatorë: Senatori Alessandro Ruotolo, ish Drejtori i DAP (Departamenti i Administratës së Burgjeve) Bernardo Petralia, Gjeneral Korpusi, Komandanti Ndërrajonal i Italisë së Jugut Ignazio Gibilaro, Prokurori pranë Drejtorisë Rajonale Antimafia të Reggio Calabria-s Gaetano Calogero Paci, prokurorja Alessandra Camassa, famulltari i San Gaetano Catanoso Don Giovanni Battista Tillieci.

Në lidhje online, do të ndiqet edhe dëshmia e Salvatore Borsellino-s, vëllait të prokurorit që humbi jetën në masakrën e Via D’Amelio-s. Diskutimi do të moderohet nga Giancarlo Costabile, Profesor i Historisë së Edukimit për demokraci e ligjshmëri pranë Universitetit të Cosenza-s.

Në kuadër të kësaj veprimtarie, më datë 8 maj, në orën 19:00, në Teatrin Metropol, në Tiranë, do të shfaqet pjesa teatrale me titull “Vera e fundit. Falcone e Borsellino 30 vite më pas”, nga Claudio Fava, me regji të Chiara Callegari-t.

Konferenca “Falcone dhe Borsellino, 30 vjet më vonë” synon të ndërthurë kujtesën dhe ngjarjet aktuale në luftën kundër fenomenit mafioz kriminal dhe kulturës që e ushqen atë, duke promovuar një pedagogji të qytetarisë aktive bazuar në idealet dhe parimet frymëzuese të Kushtetutës italiane.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?