Faik Konica zbuluesi i flamurit të 
 Skëndërbeut, ideator për himn

27 Mars 2016, 08:30| Përditesimi:

  • Share
TIRANËPër Mjeshtrin Taso (Anastas Kostandini), piktori pogradecar me penel të vrullshëm kombëtar

I. Fan Noli i njeh Faik Konicës, bashkëluftëtarit të tij në Kryqëzatën e shenjtë Kombëtare, meritën e zbulimit të Flamurit të Skënderbeut.(1) Meritë madhore, për gjithë sa simbolizon vetë flamuri kombëtar, sidomos kur sjellim në vëmendje ato kohëra të errëta e të egra që përjetonin shqiptarët nën pushtimin osman.

Që më 1897, Konica 21 vjeçar iu drejtua me thirrje zemre "shqiptarëve mëmëdhe-dëshërimtarë për t'u mbledhur rreth e rrotull flamurit tonë"(2). Shumë herë ngjeu penën për bëmat dhe në bëmat skënderbejane, që shkëlqyen në Europë nën flamurin kastriotas, me emrin e  Albanisë,
emër me të cilin ai pagëzoi revistën e tij. Solli në koren e kësaj kryevepre emblemën me shqiponjë të Skënderbeut, vargjet e popullit për Kryetrimin, si dhe vargjet e veta e të rilindësve për atë që u quajt "Dragoi i Shqipërisë", "Babai i Kombit", "Mbreti i Shqiptarëve".

faik konica

Vuri në qendër të prozës poetike Mrikën 17 vjeçare, "me leshrat që i derdheshin gjer në vithe të kalit" dhe që mbrojti Skënderbeun në shesh të betejës me gjoksin e saj të njomë shpuar tejpërtej nga shigjetë e turkut.(3) E shenjtëroi vashën luftëtare shqiptare si gruan e thjeshtë të popullit francez me gjoksin zbuluar majë barrikadës në tablonë e Delacroix "Liria udhëheq popullin". Solli Shegën, "Lulen e Maleve", "Perëndeshën e luftës", siç thotë, atë zanë e Dianë shqiptare që ra edhe ajo në shesh të betejës, kur plumbi i halldupit "i prekojti siskën e rrumbullakët dhe ndoti me të kuq bardhësinë e saj".

(4) Dhe, pas Mamicës e Vojsavës në lot për vdekjen e Kryetrimit dhe rënien e Krujës, pas "Vajtimit për robëri të shqiptarëve"(5) ringjalli  në Kujtesën e Kombit - si një Feniks që rilind nga hiri çdo pesëqind vjet - edhe vetë Kryeheroin, atë vit fatlum 1912 kur, me emrin dhe "Flamurin e tij të kuq dhe shqiponjë të zezë dykrenare", dha kushtrimin final për t'u dhënë turqve dërrmën e fundit dhe kur shqiptarët, "duke parë atë flamur, të cilin nuk e kishin harruar, i faleshin me gaz edhe e prisnin si fytyrën e gjallë të çlirimit".(6)

faik konica

Por, përtej këngës së tij me patos rilindës dhe simbolikë të goditur, përtej romantizmit të fuqishëm si tipar dallues i Përlindjes shqiptare, Konica hulumtoi e gjurmoi - mbi bazë të gjerë dokumentare dhe shkencore -, Historinë e Arbrit gjatë periudhës kastriotine, kërkoi e nxori në dritë portretin autentik të Skënderbeut, bashkë me emblemën e tij, si dhe studioi e analizoi nga afër armët dhe përkrenaren e Heroit shqiptar drejtpërdrejt në muzeume, arkiva e biblioteka të Europës. Po ashtu, iu referua me kujdes e frymë kritike autorëve perëndimorë që e kishin trajtuar gjerësisht figurën e tij.

Dhe tërë këto hulumtime i pasqyroi te "Albania", me pendë të tillë që  gdhend fjalën shqipe e frënge, ndihur nga peneli plot mjeshtëri i artistëve blegë Paul Nocquet e Alfred Bastien, të cilët ilustruan revistën koniciane për mikun e tyre të ngushtë shqiptar. Krejt "Abania" është kësisoj një pasqyrë dhe dëshmi e gjallë e ringjalljes së lavdisë skënderbejane, me gjuhë të freskët e të fuqishme, është një valëvitje e stuhishme flamuri për zgjim e bashkim kombëtar në betejat për pavarësi.

"Flamuri i kombit shqiptar, nënvizon revista, kur shqiponja e Shqipërisë ndriste dhe ishte përmbi gjithë kombet e Ballkanit, ishte i dëgjuar e i nderuar prej gjithë kombeve të Europës, duke qenë mbajtur nga duar të shëndosha të gjyshërve tanë, të cilët nuk dinin të mendoheshin ndryshe përveçse shqip".(7)
Më 1899, Konica thuri me vargje klasike poezinë "Flamuri". Që në strofat e para dy-vargëshe, që shquhen për ritmikë luftarake, si një marsh i vërtetë, ai e sheh simbolin flamur të lidhur fort me emrin e Skënderbeut, burim frymëzimi shpirtëror për shqiptarët: "Skënderbeu kur jetonte / Shqipëria lulëzonte, / Ish e fortë ish e zonjë / Kish në flamur një shqiponjë, / Një shqiponjë me dy krerë, / Ai lirisht hapej n' erë ".(8)

faik konica

Pa u ndalur në një koment të hollësishëm të kësaj "poezie flamur" për flamurin kombëtar – ku Konica e ngjesh vargun me lot e revoltë për gjendjen mjerane në të cilën ishin katandisur shqiptarët e kohës së tij, tek zëvendësuan flamurin historik kombëtar me bajrakun klanor dhe tek "u bashkuan me aganë" për të mbetur pa dritë, kur "kordhat u ndryshkën e në baltë na ra flamuri i naltë!" dhe kur "zuzarët ulërijnë se janë shqiptarë, [por] po bëhen tradhtarë e shërbëtorë", – është me interes të theksohet në poezinë "Flamuri" thirrja koniciane me peshë aktuale, kundër të gjithë bajraktarëve të sotëm të politikës shqiptare, molepsur keq në korrupsion, që pengojnë sot e kësaj dite përparimin e shpejtë të Kombit shqiptar në rrugën e demokracisë: "Luftë për ca zuzarë, që u lindën shqiptarë... / Është turp për kësi krimbash / Të mundohet një komb trimash!"(9)  - Heeej Konicë! me fjalën plumb, që bumon e shpon drejt e në zemër!

Më tej, rilindësi i pjekur e i thekur që në moshë të re, i kthehet e rikthehet "Flamurit" me disa shkrime radhazi në prag të shpalljes së pavarësisë (1911), për të nënvizuar idenë se "Flamuri Shqiptar" është i tillë që vetëm syri, zemra, shpirti i një njeriu me ndjenja të larta mund ta kuptojë gjuhën e tij të pashkruar, se "Flamuri Shqiptar", që nga koha lavdimadhe e Skënderbeut, përherë ka qenë vetëm "Flamur për vetëmbrojtje, me mundime të palodhura dhe trimëria të gjata e të forta", dhe kurrsesi "jo një flamur lakmirash e rrëmbimesh"(10). Dhe Konica që konkludon si rrallëkush, plot urti: "Nga kjo pikëpamje, mund të mburremi se flamuri ynë, siç është një nga më të vjetrit në botë, është dhe një nga më të drejtët".(11)

Një nga më të drejtët!... Në një Europë që u tregua aq e padrejtë historikisht ndaj shqiptarëve!... Po as këtu Konica nuk ia përtoi kritikës fshikulluese e ironike, siç dinte veç ai, tek shkroi në frëngjisht te "Albania" më 1897: "Model mirënjohjeje – Europa është kërcënuar dy herë nga një pushtim turk: në mesin e shekullit XV dhe më 1683. Herën e parë u shpëtua nga Georges Kastriot Skanderbeg, dhe herën e dytë nga Jan Sobieski. Sobieski ishte nga Polonia, Skanderbegu nga Shqipëria. Ja pse Europa lejon që shqiptarët të shtypen nga të egrit turq dhe polakët nga të egrit moskovitë."(12)

Një tjetër shkrim me bukuri koniciane, për idenë e fuqishme që përmban, është edhe proza e titulluar "Feja e Flamurit". Sigurisht që flamuri kombëtar, "flamuri i nderit e i lirisë", tek simbolizon e sintetizon idealin dhe dashurinë për mëmëdheun, përfaqëson edhe krejt lavditë e djeshme, të sotme e të nesërme në vijimësinë e brezave. Dhe Konica, në emër të flamurit të Shqipërisë, veç kur befason duke iu drejtuar me thirrje oshtime rinisë shqiptare, si e ardhmja e vendit që mban në duar fatet e kombit. Tek e don të ndërgjegjësuar për rolin e saj në rrugën e përparimit kombëtar, ai thekson: "U lajthitën ata që thanë se të rinjtë duhet të mësojnë nga pleqtë. Jo. Historia na thotë që pleqtë kurdoherë kanë mësuar nga të rinjtë. Djelmuri e Shqipërisë, mësoi Kombit shqiptar Fenë e Flamurit".(13)

Po ashtu, edhe në ditën më të zezë të pushtimit fashist të vendit më 7 prill 1939, Konica i kthehet prapë e prapë flamurit të Shqipërisë, flamurit të lirë të Skënderbeut, që vazhdon të valëvitet në zemrat shqiptare "me shpresë se dielli do të dalë përsëri në qiell", ngaqë shqiptari ka sedër, nder dhe kuptim se çdo të thotë Flamur i Shqipërisë, Flamur i Kastriotit të Madh, "që ka për të valuar, sa kohë që do mbetet në faqe të dheut një shqiptar i vërtetë".(14)

Te Konica, si tek tërë rilindësit, flamuri është kështu vetë qëndresa historike, vulosur me emrin e Skënderbeut, është bashkimi i njëzëshëm i shqiptarëve për unitet kombëtar, si domosdoshmëri historike. Nga kjo pikëpamje, simbolika e  Flamurit Kombëtar për bashkim e vëllazërim, do të kërkonte natyrshëm edhe zërin e përbashkuar të shqiptarëve për një himn mbarëkombëtar që, siç e thekson me të drejtë prof. Vasil Tole në veprën e madhore "Himni kombëtar" do të quhej si askund tjetër "Himni i Flamurit", në të cilin shkrihen në një të vetme ideja e himnit dhe ideja e flamurit(15).

Himni Kombëtar Shqiptar ka, edhe ai, zanafillat e veta, dhe historiku i tij përbën objekt studimesh të rëndësishme, ku domosdo edhe Konicës i njihet një rol parësor në ideimin e këtij himni, që do të ndiqte rrugën e vet të natyrshme nga krijimi i këngës shqiptare me muzikë klasike (viti 1902)(16), nga themelimi i bandave orkestrale shqiptare dhe i muzikës korale (organizimi i koreve kishtare më 1907-1908) gjer te përgatitja e partiturave të para të vetë Himnit nga Hilë Mosi e Ilo Tashko, e më tej te Asdreni me shokë që dhanë Himnin Kombëtar, këtë "fakt të ndritur historik",(17) vulosur me gjak e sakrifica.

Ishte vetë nevoja shpirtërore e një populli të tërë të përvuajtur që, në prag të Pavarësisë, kërkonte – si dikur thirrja e luftarake e Lekë Dukagjinit "E mbë ta!" (E mbi ta!) në furinë shqiptare ndaj turkut pushtues – thirrjen kushtrim të Himnit: "Rreth flamurit të përbashkuar!", atë thirrje mobilizuese për qëndresë në çdo kohë e rrethanë, që përherë mban lart zemrat dhe ndjenjën kombëtare. Andaj dhe shohim Konicën, më 15 maj 1911 në Saint Louis, Missouri, t'i hyjë një ndërmarrjeje të re, siç di e befason ai, tek përshtat lirshëm e bukur në shqip vargjet e "Marsejezës" franceze, me ritmikë marshi gjithë gjëmim:
 
 "Përpara, djem' të Shqipërisë! / Zër' i kushtrimit po gjëmon! ... / I ndryri [i përgjakuri] flamur po valon! / Malet tona po ushtojnë... Egërsirat ju kërkojnë / Nder e gruas, gjakn' e djalit! / Burra, kush është trim, / Në luftim me nxitim, / Me hov, me hov! I bini me tërbim, / Armikut për shpërblim...".(18)
 
"Marsejeza shqiptare", me fuqinë e një force koniciane tingëllon kështu po aq energjike sa "Marsejeza franceze", ku fjala, ritmi, rima na japin "këngën luftare", siç e quan Konica himnin, tek sheh në kuintesencën e tij zgjimin e ndjenjës së trimërisë, lirisë e atdhedashurisë, "që ndez zemrën e ushtarit me atdhesi".(19) Si jep historikun e "Marsejezës", që shpejt do bëhej himni kombëtar francez, për vetë rolin madhor që luajti në lavdinë e Francës, Konica ndalet në përshtatjen që ai i bën në shqip tekstit të këngës franceze duke bërë, siç thotë, një "përkthim équirythmique", domethënë përkthim vargu me barasvlerë ritmi për të njëjtat nota muzikore.

faik konica

Është kjo, një punë tejet e vështirë, që kërkon sa përkthim, aq edhe përshtatje e krijim të zhdërvjelltë, profesionalizëm të lartë, por edhe talent të veçantë, kuptuar vetëm nga ata që dinë ç'do të thotë në thelb përkthim, por që dinë ç'do të thotë në thelb edhe muzikë, në harmoninë e notës muzikore me fjalën poetike.

Me përshtatjen në shqip që i bëri "Marsejezës", si dhe me historikun dhe komentin e saj, Konica, që nga Amerika dha jo vetëm thelbin e saj patriotik që sintetizon e pasqyron shpirtin dhe ndjenjën kombëtare të popullit francez, (gjest i lartë internacionalizmi nga ana e tij), por edhe modelin perëndimor të ndezjes së ndjenjës kombëtare shqiptare, për ndërgjegjësim të popullit, në një shkallë më të lartë vetëdijeje, në prag të Pavarësisë, kur Himni Shqiptar do të shihte dritën e parë të shfaqjes së tij më 21 prill 1912, një vit më pas nga "Marsejeza shqiptare" koniciane.
 
II
Në numrin e fundit të "Albania-s", botuar në shkurt-mars 1909, tërheq vëmendjen një shënim i shkurtër i Faik Konicës titulluar "Pilori" – huri i dikurshëm (i Mesjetës), siç shpjegon ai, ku lidheshin në sheshin publik keqbërësit "për t'u bërë sehir". Por Konica e përdor këtu termin si titull rubrike për të denoncuar "ca të thëna të botëshme, poshtërsia karakteristike e të cilave meriton më tepër se të kasnecohet...".(20)

Godet kështu gazetën "Lirija" të Selanikut, e cila nuk kishte munguar të denigronte në atë kohë simbolin e çmuar të shqiptarëve, "flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenaresh" tek shkruante: "S'mund të themi se ajo lëvere është flamur i Shqipërisë".(21) Aq do duhej, që rilindësi i flaktë, i cili nuk linte organ shtypi pa kaluar në duar kur flitej për shqiptarët, të gatiste kopaçen e vet, çomangen koniciane, dhe të hartonte një shkrim tejet të argumentuar për flamurin shqiptar (artikulli i mëposhtëm – pjesa III), shkrim që, për fat të keq, nuk është ribotuar që nga koha e "Albania-s".

Duke e lënë lexuesin të shijojë plotësisht penën e Konicës, dhe pa dashur të perifrazojmë një grimë argumentimin e tij mbështetur mbi bazë dokumentare, po parashtrojmë përmbledhtas katër etapat që njohu stilizimi i shqiponjës në emblemat e konceptuara nga Faik Konica dhe të realizuara nën kujdesin e tij.  
Fillimisht, vihet re në ballinën e revistës "Albania" përgatitur nga piktori e skulptori Paul Nocquet (duke filluar nga nr. 1, viti II, 1898 i revistës), emblema kastriotase, që vendoset në krye të anës së majtë të revistës, sikundër vetë zemra qëndron në anën e majtë të trupit njerëzor.

Përmban shqiponjë të zezë krahëhapur në fushë të artë dhe të kurorëzuar në dy krerët e saj. Në ballë të emblemës, gjendet një shqytëz në formë trekëndëshe, në ngjyrë të kaltër, e me një yll të artë gjashtëcepësh (shpjegimet këtu janë të vetë Konicës). Në fakt, "Ky armor është blazon i shekullit XVI, dhe paraqet emblemën që u skalit rreth vitit 1500 në Napoli, mbi varrin e Kostandin Kastriotit, nipi i Skënderbeut, nën kujdesin e Donika Kastriotit".(22) E quajtur "shqiponja heraldike e Kostandin Kastriotit",(23) ajo dallon për trupin e mbushur e të mbledhur, për qafat e paraqitura në lartësi dhe bishtin në gjatësi, duke pasur, kështu vertikalitet si emblemë.

Duke filluar nga nr. 8, shtator 1900, "Albania" e ndërron plotësisht ballinën e vet apo "kryefytyrën" sipas termit konician, për të na dhënë emblemën e saj të re, që do të botohet periodikisht, gjer në numrin e fundit të revistës, mars 1909. Hyjmë kështu në etapën e dytë të stilizimit të "'shqiponjës koniciane", gati mbretërore, nëpërmjet një embleme të fuqishme, që përmban shumë elementë karakteristikë.

Emblema është vepër e piktorit belg Alfred Bastien, i cili realizoi për revistën "Albania" edhe një mori vinjetash e ilustrimesh, mbi bazën e kërkesave të Konicës, ku bien në sy stilizime të "Lule Shëngjergjit" për nder të Gjegj Kastriotit, dhe stilizime të vetë shqiponjës. Por le të ndalemi konkretisht te emblema "Albania",(24) që jepet në bardhë e zi, kur origjinali me siguri duhet të ketë qenë me ngjyra, nisur nga vetë tonet e së zezës. Emblema sundohet nga një shqiponjë (e artë) dykrenore sqeponjë-klithëse dhe masive, me krahët e shpalosura dhe një flakadan mes krerëve, përshkuar nga një shirit ku shkruhet latinisht "Unitas" ("Bashkim").

Në gjoks të shqiponjës qëndron flamuri i Arbërit dhe, duke pasur parasysh emblemat e familjeve fisnike shqiptare të kohës,(25) mendojmë se ky flamur ka pasur këto ngjyra: tre shirita vertikalë, nga të cilët, dy anësorët në ngjyrë blu dhe shiriti i mesit i verdhë;  në krahun e djathtë, sipër, qëndron një kryq i kuq dhe poshtë, në krahun e majtë, është vendosur një gjysmë hënë dhe përballë saj një yll me gjashtë cepa, po të kuq (sigurisht ngjyrat po i japim të pavërtetuara). Po ashtu, flamuri ndahet diagonalisht në dy pjesë nëpërmjet një vizimi nga e majta në të djathtë.

Kemi të pasqyruar nëpërmjet këtij flamuri të Arbrit idenë e lashtësisë shqiptare, nga kryqi i krishterimit te simbolet bizantine të hënës së re dhe yllit me gjashtë cepa (rreze), i njohur si ylli i Davidit. Krejt gjoksi i shqiponjës dhe flamuri i Arbërit, përshkohen nga një shirit i dytë ku është shënuar latinisht viti i botimit të "Albania-s" (Anno 1896) dhe vetë emri i emblemës "Albania". Një shirit i tretë mbahet nga kthetrat e shqiponjës ku shkruhet: "Unguibus et Rostris". "Kjo fjalë latinishte, shpjegon Konica, bie shqip "Me qipe e me thonjë", domethënë shqipja dykrerëse i ruan të drejtat e saj me qipe e me thonjë."(26) Është në fakt motoja e lashtë e qytetit të Avinjonit në kohën papale, e barasvlershme me shprehjen "me dhëmbë e thonj" për të ruajtur diçka të shenjtë, ashtu si shqiponja dykrenore e Sienës në Itali.

Në një etapë të tretë, Konica e ndryshon kryekëput konceptin e tij për shqiponjën dykrenore duke u frymëzuar këtë herë drejtpërdrejt nga Barleti. Merr shkas nga një fjalë e vetme  "Distincta" në përshkrimin që i bën Barleti shqiponjës kastriotase për ta paraqitur këtë herë si shqiponjë të zezë në fushë të kuqe, pa kurora mbi krye, por me flatrat ngritur mjaft përpjetë, duke theksuar në këtë mënyrë idenë e një shqiponje krenare, si e ardhur drejtpërdrejt nga frontet e luftërave ngadhënjyese skënderbejane.

Këtë shqiponjë, ai e konceptoi në fillim të shekullit XX dhe e shohim të shfaqur kryesisht te kartolinat që botoi Aladro Kastrioti me rekomandim të Konicës dhe që u shpërndanë në mjaft kopje në Shqipëri në vitet 1904-1910 për të propaganduar flamurin kombëtar. Po ashtu e shohim këtë shqiponjë më pas, me rastin e botimit të organit "Trumbeta e Krujës" në Sent Luis, Amerikë, më 1911. Dhe vetë Konica që e komenton me hollësi këtë shqiponjë te "Dielli" i 25 nëntorit 1938: "Kryefytyra e Trumbetës së Krujës është përvijësuar me mjeshtri nga një artist i Bostonit, Z. Morse,(27) pas planit dhe dokumenteve që i dhashë.

Vëreni re mirë dhe kuptojeni: më një anë, kalaja e Krujës, gjysm'e prishur. Në majë të një mur-kulle, ka dalë një ushtar i veshur me çelik e hekur, si në kohë të Skënderbeut... Më anë tjetër, si një shpresë e largme, por jo e kotë, shohim flamurin e Skënderbeut, por flamur feste dhe jo lufte... Më të mëngjër e më të djathtë janë të dy dokumentet katërqind vjeçare të vjetra, që provojnë se me të vërtetë kështu ish flamuri i Skënderbeut".

Në një etapë të katërt, shohim të na shfaqet tanimë shqiponja dykrenore, e stilizuar në disa variante, kryesisht shqiponja e gazetës "Flamuri" dhe sidomos ajo e gazetës "Dielli", që do të njohë disa stilizime: fillimisht me krahë mjaft të shtrira dhe herë me diellin mes kryeve dhe rrezatime të gjata a të shkurtra, herë me diellin në gjoks, pa rrezatime, ose pastaj shqiponjë me krahë të drejta horizontale që simbolizojnë edhe vetë rrezet e diellit. Nuk mungon as shqiponja me një lakore të madhe diellore në formë shiriti që kurorëzon krejt emblemën e gazetës "Dielli".

Në fakt, simbolin e diellit e kemi te "Albania" koniciane që me fillimet e revistës në ilustrimin e Nocquet, si dhe te ilustrimet  "Farëhedhësi" dhe "Malet e Shqipërisë", nga i njëjti piktor. Po ashtu edhe te vinjetat e Alfred Bastienit përdorur te "Albania". Veçse, pas shpalljes së Pavarësisë, simboli i shqiponjës do të vijë duke u stilizuar përherë e më shumë, siç na e dëshmon studiuesi virtuoz Jaho Brahaj.

Në flamujt e shpalljes së Pavarësisë dhe të shtetit të ri shqiptar, por edhe në emetimet e para të pullave postare dhe prerjet e monedhave shqiptare gëlojnë stilizime të mahnitshme të shqiponjës dykrenore, sidomos te flamuj të shoqërive patriotike brenda dhe jashtë vendit. Tanimë, shqiponja dykrenore e flamurit të Skënderbeut, zbuluar e iniciuar nga Konica - si krejt zbulimet dhe Punët e tij të mëdha Kombëtare -  e kishte bërë punën e vet për t'u shndërruar shpejt në Flamur Kombëtar dhe në version zyrtar.
 
III
Shqipëria e ka një flamur autentik? – Përgjigje për një të sharë xhonturqve
Nga Faik Konica

Xhonturqit, për të shuar idealizmin në zemrat e shqiptarëve, përhapën dhe po përhapin fjalën që Shqipëria nuk ka flamur autentik, që flamuri i kuq me të zezën shqiponjë dykrerëshe, është i përbërë rrenësisht tani shpejt, dhe që kjo "lëvere" s'ka ndonjë rëndësi fare. Oh jo, o xhonturq, nuk është ashtu! Lajthiteni shumë. Në kini dyshim, pyesni kockat e stërgjyshërve tuaj, dhe do të mësoni lartin dhe madhërinë e atij flamuri.

Dhe jo kockat e kraharorit, po kockat e kurrizit – se turqit, stërgjyshërit tuaj, të mundur prej atij Flamuri në jo më pak se njëzet e dy luftëra, i kthyen më shpesh kurrizin se sa qëndruan t'i bëjnë ballë. Por, që t'u presim guximin xhonturqve, dhe t'u provojmë shqiptarëve padrejtësinë e armiqve të kombit tonë, do të shtrojmë përpara secilitdo tekste autentike që dëftojnë, pa lënë fare vend për dyshim, vjetërsinë dhe vërtetësinë e flamurit që përdorim.

Kur bisedohet një pikë historie, duhet më parë të marrim librat më të vjetra  dhe më të shëndosha që e ngasin atë pikë. U botuan latinisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, anglisht, hispanisht, portugisht, suedisht, greqisht, më tepër se njëqind vepra përmbi jetë të Skënderbeut. Por, lënda e të gjitha këtyre veprave është e marrë, rrjedh nga një burim. Thashë "burim", dhe këtë fjalë mbajeni mend, se nuk është një metaforë e ardhur pa kërkuar nën pendën time, por është pikërisht fjala teknike e përdorur nga historianë; Thonë frëngjisht "les sources" , "burimet" e një çështjeje historiake.

Kënduat ngandonjëherë fjalën "bibliografi" të përdorur këtu [te "Albania"]. I ndjeri Emile Legrand gatonte një bibliografi shqiptare. Puna e bibliografëve është të ngrehin lista metodike librash përmbi aksh e aksh subjekt, që jo vetëm studentët e një çështjeje të shohin se ç'u botua përmbi atë, po të dinë edhe burimet nga u hoqnë [nxorën] ato botime.

Mjerisht, "burimet" e Skënderbeut tonë janë aq të pakta, sa s'kemi nevojë për kërkime të veçanta, dhe i dimë që janë dy.
I pari burim është një libër i shtypur më 1480 (vetëm 13 vjet pas vdekjes së Mbretit!), në Venedik, latinisht, nën këtë titull: "Historia Scanderbegi edita per quendam Albanensum. Venetiis impressa industria, atque impensa Erhadi Radolt de Augusta  anno Domini 1480. Die 2 mensis Aprilis ducante Joanne Mocenyco  inclyto Duce".

Do me thënë: "Historia e Skënderbeut e botuar prej një shqiptari. U shtyp në Venedik me mundim dhe me të holla t'Erhard Radolt-it në vit të përlartë të Zotit 1480, ditën e 2-të të muajit të Prillit, kur ish në fron (të Venedikut) Joanni Mocenigo, duka i shkëlqyer". Për autorin, i cili me modesti të tepërt, nuk e shfaqi emrin e tij, dimë këto: Ish nga Tivari, dhe një vëlla i tij qe zyrtar ndër truprojësit e Skënderbeut. Nga ky vëlla, autori shqiptar i mësonte të gjitha punët e Mbretit pothuaj ditë pas dite: zakonet e veçanta të Skënderbeut, marrëveshjet diplomatike, fushat e luftës, të tëra janë shkoqitur me shumë kujdes.

Një tregim [episod] do t'u tregoj vërtetësinë e autorit tonë: kur arrin në histori të luftës së Skënderbeut në Itali, ku Mbreti ynë kishte vajtur t'i ndihte mbretit Ferdinando të Napolit kundër frënqve, shkronjësi kërkon ndjesë nëse bën lajthime, sepse, thotë, këto të ngjara i mësoj nga dorë e dytë, duke qenë që i vëllai i tij, i sëmurë në atë kohë, qe i shtrënguar të mbetet në Shqipëri: "Frater meus, qui in ipsis Domini stationariis ordines ducebat, cujus traditiones ego potissimum sequebar, eo tempore morbo implicitus domi manere coactus fuerit". Si e shihni, libri i shkronjësit të Tivarit është një burim shumë i vlershëm për jetën e Skënderbeut. Për fat të keq, s'ka mbetur më sheshit asnjë ekzemplar; po me gjithë këtë, e njohim me anë të priftit Biemmi, i cili e përdori, pothuaj e përktheu, në jetë të Kastriotit që botoi italisht më 1742 në Brescia.(28)

 I dyti burim i jetës së Skënderbeut është vepra e Barletit: "Historia de vita et gestis Scanderbegi, etc". ("Histori e jetës dhe e të bërave të Skënderbeut, etj). Barleti qe shkodran dhe e kish parë me sy Skënderbenë. Kur ra Shkodra në duar të barbarëve, Barleti u ngrit e shkoi në Venedik, dhe atje botoi më parë historinë e luftës së Shkodrës. Më 1508, botoi latinisht jetën e Skënderbeut, e cila pati shumë edicione dhe shpejt u përkthye në të gjitha gjuhët e Evropës. Edicion i parë, 1508, është shumë i rrallë; po British Museum-i, i cili është fort i pasur në libra për Skënderbenë, ka jo një, po dy ekzemplarë nga ky edicion!

Pas këtyre burimeve, mund të shtojmë një vepër shumë edicionesh (i pari të cilin e kujtoj këtu, doli në Paris më 1576) të Lavardinit: "Histoire de George Castriot, surnommé Scanderbeg, roy d'Albanie. Par Jacques de Lavardin, etc., Paris, 1576". Libri i Lavardinit, i hequr nga i Barletit, nuk mund të quhet një burim, po ka një vlerë: si e dëftova aq herë te pjesa frëngjisht e "Albania-s", në atë kohë mbretërit e Francës kishin një trupë shqiptarësh në ushtri të tyre. Lavardini, si burrë i luftës, kish raste mjaft që të piqej me këta ushtarë, të cilët do kishin dëgjuar qindra herë  nga pleq të vendit të tyre të ngjarat dhe punët e Skënderbeut.

Lavardini pra qe i zoti të kontrollonte të thënat e Barletit; dhe në mos e akseptofshim si burim, se burim nuk është, kemi të drejtë ta pëlqejmë si një shtim të dobishëm të burimeve.29 Le të kërkojmë tani në këto vepra me rëndësi në bëhet fjalë për flamurin e Skënderbeut dhe ç'thuhet.
 
I." Anonimi i Tivarit", 1480 (i cituar prej Biemmi-t, f.23) thotë: "L'insegna di Scander begh era un'aquila negra distinta in due teste sopra campo rosso." Do me thënë: "Flamuri i Skënderbeut ish një shqiponjë e zezë me dy krerë dhe e hapur në shesh të kuq".
 
II. Barleti, 1508 (fletë XV) thotë: "Rubea vexilla nigris et bicipitibus distincta30 aquilis gerebat Scanderbegus." Do me thënë: "Skënderbeu mbante flamurë të kuq të shtruar, me shqiponja të zeza dhe dy krerësh".
 
III. Lavardin-i, 1576 (faqe 42) thotë: "Dans ses estendars, qui estoient tous rouges, il portit une Aigle noire à deux testes." Do me thënë: "Në flamur të tij, që ishin të gjithë të kuq, Skënderbeu kish një Shqiponjë të zezë me dy krerë".
 
Si e shihni pra, o vëllezër, flamuri ynë, i cili është një nga më të ndershmit dhe më të lëvduarit e botës, është pa dyshim edhe një nga më të vjetërit. Turqit le të thërrasin "lëvere" flamurin e tyre, i cili është i përlyer dhe i kalbur nga lot dhe nga gjaku i armenëve dhe i aq kombeve të tjera.          
 
Albania, vëll. XII, 1909. 
Solli në shqipen e sotme Fotaq Andrea


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?