Ekskluzive/ Flet për herë të parë ish-polici Besnik Meta! Në burg, bllokmenët dhe byroistët, ja si i njoha! Esencë-Report Tv

17 Mars, 21:01| Përditesimi: 17 Mars, 21:17

  • Share

I ka njohur thuajse të gjithë. Nga Fatos Nano, Simon Stefani, Ramiz Alia, Hekuran Isai, Vilson Ahmeti, Rita Marko, Sulo Gradeci, Aranit Çela dhe shumë të tjerë. Ata kanë qenë të ‘’detyruar’’ të flisnin me të. Ai është nga ato personazhe që rrallë herë i gjen. Huqet e burgut dhe të jetës jashtë tij, ua njeh shumë mirë ish bllokmenëve dhe të tjerëve pranë tyre.

Nga ankesat më fëminore e deri te hallet me pushtetin e ri në demokraci, ai flet për karakteret njerëzore ku edhe në burg kishin ndryshuar ose jo gjendjen e tyre të lidhur ngushtë me Partinë Komuniste Shqiptare. A e kishin pranuar tashmë bllokmenët në burg demokracinë dhe ligjet e saj? Flet për herë të parë për këtë çështje ish polici Besnik Meta në Esencë me Eljan Taninin në ekranin e Report Tv.

Eljan Tanini: -Si e keni njohur dhe ku e keni njohur Hekuran Isain?

Besnik Meta: -Hekuran Isai, ish ministër i brendshëm pas viteve ‘80, ndodhej i izoluar dhe sistemuar në birucën nr.9 në katin e tretë. Kjo dhomë ishte disi e veçantë në krahasim me gjithë të tjerat, sepse ka aneks, banjë dhe ujë, në fakt Hekuranin e kam gjetur në këtë dhomë. I thashë një ditë të zakonshme:

-Lale, sa largëpamës ke qenë!

-Pse? Ku e ke hallin të keqen Lala, më tha ai.

-Në kohën kur ke qenë Ministër i Brëndshëm shtove katin e tretë dhe bëre dy dhoma me aneks dhe banjo. Ke menduar bukur për vete?!

-Ah more Besnik, ta dija se kur do të vdisja do të shkoj ta hap vorrin vetë, foli ai duke qeshur me zë.

Por, takimi im i parë me Hekuran Isain ishte më herët, shumë vjet më parë, në gusht të vitit 1979, kur ai u caktua në krye të kontrollit të komisariatit të naftës në Fier. Atë kohë unë punoja në pusin e kërkimit Vjosa-1, në bishtin e fshatit Hekal, buzë lumit Vjosa. Atë buzëmbrëmje kur dielli skuqte perendimin, ai futet pa pritur në sallën e mbledhjeve ku ndodhej dhe televizori. Unë ndodhesha duke rregulluar kanalin e RAI-1. Për një çast ngriva, pas përshëndetjes së Hekuranit. Tomorr Skënderi, inxhinieri i Pusit ndërhyn:

-“Shoku Hekuran! Këtu nuk na e kap Tiranën, për të vrarë kohën e lirë çoku shikojmë ndonjë program pozitiv te italiani”.

Hekurani nuk bëri zë, por u ul në podium. Na përshëndeti të gjithëve, foli për situatën aktuale, për gjëndjen e shëndoshë të Partisë, ndaloi pastaj tek rëndësia e këtij pusi që punohej për zbulimin e një vendburimi të ri.  Atë natë darkoi në mencën e punëtorëve dhe fjeti në dhomën tonë.

Takimin e fundit në burgun e Tiranës na bëri të njihemi më mirë, ditët në vazhdim konsilidonin bisedat dhe njohjen tonë. E pyes një ditë:

-Çfarë shkolle keni kryer?

-Shkollën e mesme teknollogjike të naftës në Grozny të Çeçenisë, dhe shkollën e Partisë V.I.Lenin, më tha ai.

-Kur vdiq Stalini në mars të vitit 1953, grupi ynë filloi ta qante. Kryeinxhinieri çeçen, Ibrahim Abazaljeve, u çudit dhe na pyeti:

-“Çfarë ju ka bërë Stalini juve që e doni kaq shumë?”.

-Ne i folëm aq sa dinim. Ai na tha se gjatë Luftës së Dytë Botërorë, Stalini i kishte përzënë çeçenët, duke i hypur nëpër trena e duke i dërguar e interrnuar në Siberi. Pas vdekjes së Stalinit, çeçenët filluan t’i kthenin nga Siberia, por, hynë në konflikt me rusët, pasi ata u kishin zënë shtëpitë dhe pronat. Abazaljevi na ftoi për drekën që shtroi kur bëri çunat synet dhe ia kaluam shumë mirë.

-O lale, po ti a je berë synet? I thashë unë me të qeshur.

-Po të keqen Lala, më ka bo synet plaku, Selmoni! E shoqëroi përgjigjen me të qeshur.

Një ditë tjetër e gjeta në humor të mirë, i kërkova të më recitonte vargje nga Fishta. Ai filloi një fragment nga “Lahuta e Malësisë”:

-Stop, Lale, e ndërpreva.

-Kurse unë nuk e kam lexuar Fishtën.

-Ndërsa për mua është poeti më i preferuar, shtoi Hekurani.

-Pse e latë mënjanë?

-Ke të drejtë, tha Hekuran Isai dhe vazhdoi:

-Kam “shahit” Pali Miskën, kur në vitin 1979 i thashë Enver Hoxhës, ai na kishte ftuar për një drekë pune.

-Shoku Enver, mos ka  ardhur koha  që ne të rehabilitojmë Fishtën? Enveri më vështroi me shikimin e tij si të shqiponjës dhe m’u drejtua:

-Hekri, kemi akoma punë për të arritur deri te Fishta. Brezat që do vijnë pas nesh le ta reabilitojnë Fishtën.

Kur gardiani nxori çelsat te dera e dhomës para së të hynte brenda, Hekurani recitoi këto vargje:

Nënë hape derën,

hasmi po më ndjek,

para kam humnerën,

nuk kam tjetër shteg.

Unë i përgjigjem në çast:

 

Ik, ti s’je biri im,

se im bir në male,

po lufton si trim.

Për një  moment Lala mbeti i habitur, u kthye,  dhe m’u drejtua:

-Kjo poezi ka qenë e viteve ‘50 dhe,  titullohet “Nëna patriote dhe djali tradhetar”.

-Si ka mundësi që e di, ti nuk ke lindur në atë kohë? Kjo poezi është hequr nga qarkullimi, ka qenë e ndaluar. Nëna kishte dy djem, njërin me ballin dhe tjetrin partizan, atë me ballin nuk e donte, një nënë nuk mund t’i ndajë fëmijët, kështu dikush në atë kohë dha urdhër dhe e hoqi nga letërsia.

-Nuk e di si pati mbërritur deri në fillimet kur unë fillova shkollën fillore. Vërtetë, janë disa vargje që më kujtohen nga vitet e largëta të fillimit të shkollës, aty nga vitet 1967-1968. Me thënë të drejtën nuk e mbaj mend autorin e kësaj poezie. Por, strofa e parë e recitonte një vajzë e klasës sime, kurse strofën e dytë e këndonte kori pas recitimit, e sqarova unë Hekuranin.

“THYENI GJUHËN, POR JO GJUNJËT”

Hekuran Isai një ditë më tha:

-Kur isha student Çeçeni në vitet ’50-të kishim dalë shëtitje me disa vajza mbrëmjeve vonë në Grozny. Në një bulevard ndeshemi përballë me Antarin e Byrosë Politike të PPSH, shokun Gogo Nushi. Në të vërtetë na njohu përfaqësuesi i ambasadës sonë në Moskë, që shoqëronte grupin e Gogo Nushit. Pasi u përshëndetëm, ai na pyeti:

-Po këto ç’janë?

 -Ruse, u përgjigjem ne.

-Unë gjasme më i shkathëti i’a prita:

-Duke ndenjur me to çoku thyejmë gjuhën, shoku Gogo!

-“Thyeni gjuhën, por jo gjunjët”, na tha Gogoja duke qeshur.

NGJALAT E DETIT

Histori që flitej shumë edhe në jug. Besnik Meta vazhdon e tregon. Hekuran Isai më tha:

-Po gjuaja në Detin Jon diku në brigjet e Himarës me skaf, kishim hedhur grepa të mëdhenj. Papritur parangalli që kisha hedhur në thellësi të detit më dha një të tërhequr të fortë. Bashkë me shoqëruesin filluam ta tërhiqnim. Po ç’të shikojmë, një nalë gjigande që s’kishte perëni ta bonte zap. Mora automatikun dhe e vrava. Peshonte më shumë se 20 kg. E ndamë fleta-fleta me hanxharë. I dërgova Pali Miskës dy kg. Pali i bie telefonit tim në shtëpi, pasi më falenderon, më thotë si gatuhet. Unë i them me shaka:

-Ashtu siç është, merre dhe lyej bukën! Kur bie telefoni prapë.

-Nuk ngjit o Hekri! Trashte zonin pas telefonit Pali.

-Unë ia dhashë të qeshurës dhe i thashë:

-Skuqe mor budall në ftere, se unë bona shaka.             

PSE NUK I KËRKOVE PLURALIZËM ENVERIT?

Bisedë me ditë të gjata.

Besnik Meta, Hekuran Isait i thotë:

-Ti ke patur koifedenca me Enverin, je ulur nëpër dreka e darka, ashtu siç i kërkove rehabilitimin e Gjergj Fishtës mund t’i thoje dhe për Pluralizëm Politik.

-Të nesërmen mblidhte Byronë Politike, të shpallte grup anti parti. Kujt ia mbante, kush i thoshte, foli Hekurani .

Kur erdha në Byronë Politike kërkova një takim të veçantë me Enverin. Doja t’i thoja se jemi veti 8-të në shtëpi, gruaja ka rrogë minimale, punon në çerdhe, pleqtë pension të ulët. Nuk e përballoja jetesën, ndaj dëshiroja të mos banoja në vilë. Në vilë duhet të paguaja 1.500 lekë qera, por të rrija te cepi i bllokut në një apartament 3 +1, qeraja ishte 350 lekë në muaj, më ndihmonte shumë.

-Hekuran, më tha Enveri. Tani je antar i Byrosë Politike, je personalitet, je figurë, do të kesh shoqërues edhe ushtarë te dera e vilës.

-Nuk fola, por vetëm e falenderova dhe u angazhova si ushtarë i Partisë.

-Enveri a ishte i kthjelltë deri në fund të jetës së tij? E pyeta unë.

-I kthjellët? Tundi kokën me qesendi Hekurani. Një jetë me gjithë ato ngarkesa, një jetëgjatësi në pushtet, do kishte dhe pasoja shëndetësore dhe kujtese. Enveri ishte fanepsur kohët e fundit sikur ishte gjallë Teme Sejko, me thërret mua që ta verifikoja se nuk e kanë pushkatuar, kjo ndodhi pas vdekjes Mehmet Shehut. Urdhëroi  gjithashtu, dhe i kërkoi llogari edhe Aranit Çelës. Enveri kur më thirri më tha se “Teme Sejkon e kanë parë në Patos”. Pasi verifikova dosjet e të pushkatuarve, gjeta vendin afërsisht ku ishte kryer vendi i pushkatimit, urdhërova  vartësit e m’i që ta gjenin. Dy toga ushtarësh punuan e gërrmuan të gjenin varrin e tij në Linzë. Enveri më kërkoi me çdo kusht kokën e Teme Sejkos, do e vertetonte me një dhëmb floriri që kishte Temja.

-E gjetët varrin, e pyeta unë.

-Jo! Kishin kaluar më shumë se 20 vite dhe toka kishte pësuar shumë transformime, agjentët atmosferik dhe shirat kishin bërë të tyren, e kishin grryer terrenin e thyer dhe të asimilushëm me ato formacione gjeollogjike.

Besnik Meta: -“Pas disa javësh, kur Hekurani ishte liruar nga burgu, e takoj rastësisht te rruga “Barrikadave”. Po ecte i vetëm në qetësinë e tij, me një kasketë në kokë. Pasi u përqafuam, më futi krahun duke thënë:

Hekuran Isai: -Tani gjej një lokal që ta kthejmë nga një gastare!

Besnik Meta: -Unë isha në marrëdhënie pune, i ruajtur dhe nga shumë “sy”, sepse SHIK-u i Berishës, ishte i egër në atë kohë. U ngjitëm 50 metra lartë në rrugën e “Dibrës” në të djathtë u futën në një lokal që e posedonte një shqiptaro-maqedonas. Kamarieri erdhi menjëherë për të marrë porosinë. Hekurani i drejtohet: 

-Dy dopio raki!

-Ne nuk shërbejmë pije alkolike, i tha kamarieri.  

Hekurani ndërhyn në çast.

-“Ca m.. dyqoni është ky që nuk mban raki?”

-Mos i ngri zonin Lale se do na rrahin, por të ham nga një omëlcin dhe t’ia mathim vrapit, i thashë unë.

-Pash nerin nga e gjete këtë zgiq, këtë vend të m’fshehtë, tha ai.

-Jemi në ilegalitet Lale, duhet kujdes, i thashë unë.

Aty nga viti 2000 ndodhesha me shërbim në Radio Televizionin Shqiptar. Hekurani vjen për të më takuar, për një kafe. Ishte momenti i daljes për në shërbim, i turnit të dytë i efektivit të policisë. Kisha rreshtuar efektivin dhe po jepja instruktazhin. Befas shfaqet në korridor ish-Ministri i Brendshëm, Hekuran Isai. Menjëherë i dhashë komandën efektivit:

-“Toga, gati-tu”! Shoku Ministër, efektivi është i rreshtuar për të marrë shërbimin. Raporton përgjegjësi i shërbimit, Besnik Meta. U ktheva sërish nga efektivi dhashë komandën: Qetësohu!

Menjëherë hapet dera dhe del komandanti i Repartit Fatmir Dusha duke thirrur me zë të lartë:

-Ooo çfarë surprize! I hidhet Hekuranit në qafë duke u përqafuar. Fatmiri kishte punuar gjatë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Efektivi ende nuk e kuptonte ç’po ndodhte, ishin polic të veshur pas viteve 90. Më 4 mars 2008 u nisëm për të drekuar në  stacionin e sipërm të teleferikut “Dajti-Ekspres”, veti katërt, Muhamet Malo, Niko Gjyzari dhe mjeku Fatos Panariti. Gjatë rrugës pa arritur afër  spitalit ‘’Nënë Tereza’’, Fatos Panariti i thotë Muhamet Malos se në spital ndodhet Hekuran Isai, është në gjendje të rëndë, a mund të kthehemi 5 minuta për të parë gjendjen e tij. Muhamet Malo e miratoi kërkesën e Fatosit. Kur arritëm në dhomën ku qëndronte Hekurani, prezente ishte vetëm bashkëshortja, Bukuria. Hekurani sa më pa, hoqi oksigjenin dhe me një zë të thellë më thirri dy herë:

-Beso, Beso!

Më erdhi keq, kisha kaluar disa momente të bukura me këtë njeri, pavarësisht pozicionit të tij në jetë. Me ne ishte dhe ish-kandidati Byrosë Politike, ish- Ministri i Financave dhe ish-Kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Niko Gjyzari. Nuk u vonuam gjatë, Shefi im Muhamet Malo, m’u drejtua me zë të ulët:

-Sa lekë t’i hedhim Beso?

-Ju e dini, qesja është e jotja, i fola me gjysmë zëri.

Nën jastekun e Hekuranit, Muhameti futi disa kartmonedha 50-she. Gruaja e Hekuranit, Bukuria, e falenderoi me gjithë zemër Muhamet Malon. U përkula dhe e putha në ballë ‘’Lalën’’, për ato kujtime të bukura dhe të këqija që pata në jetën time në kontaktet me të. Ishte puthja e fundit, puthja e lamtumirës. Pas pak ditësh Hekuran Isai do të largohej nga kjo jetë.

Eljan Tanini: -Si e keni njohur kryeministrin Vilson Ahmeti?

Besnik Meta: -Ai ishte sistemuar në një birucë me disa persona që akuzoheshin për vrasje. I thashë një ditë:

-Nëse do që të ndrrosh birucën më thuaj.

-Po, më tha Vilsoni dhe vazhdoi.

-Është mirë që të shkoj te biruca nr.12, sepse ajo ka hapsirë dhe nuk ka njerëz ordinerë.

-Vilson sa po bën në birucë, e pyeta unë.

-Kam shumë, që kur Berisha erdhi në pushtet.

-Për çfarë akuzohesh?

-Akuzat kundra meje i ka në rrënjët e thella. Akuzohem për çeshtjen Arsidi. Vërtetë unë e kam njohur Arsidin, po vetëm kaq. Pas prishjes së Qeverisë Stabilitetit, ku unë isha ministër, u vendos zgjedhja për një qeveri teknike, që do ta çonte vendin deri në zgjedhjet e reja të 22 marsit. Ylli Bufi më propozoi në emër të Partisë Socialiste të merrja në dorë drejtimin e Qeverisë Teknike. Në fillim kundërshtova. Sepse vendi ishte në gjendje shumë të rëndë dhe do të kisha shumë telashe. Për këtë ishte dakord edhe Preç Zogaj e Gramoz Pashko. Para se të paraqitesha te Presidenti, takova babanë. I thashë se do merrja drejtimin e qeverisë si kryeministër për katër muaj. Babai u shpreh duke më thënë:

-“Ti je vetë burrë dhe e di ç’bën, por dije se sapo të hipësh në majë të mullarit, të tjerët do të hanë barin, kurse ty do të mbetet vetëm huri…”.

-Pas zgjedhjeve të para, si anëtar i qeverisë Nano 2, kur qeveria bëri betimin, kur u bëra kryeministër i Qeverisë Teknike, vatjta te Presidenti që të më komunikonte Dekretin. Më tha se të tjerët nuk kishin pranuar, më tregoi Vilsoni.

-Shoku Vilson Ahmeti ngarkohet për krijimin e Qeverisë Teknike.

-Unë ndërhyra, tha Vilsoni, duke i thënë të më drejtohet me “Zoti”. Gjatë kohës që punova me Presidentin Alia, për katër muaj të Qeverisë Teknike, ai ka qenë shumë i kujdesshëm dhe pothuajse nuk ndërhynte në punët tona. Por, në të njëjtën kohë, ishte shumë i informuar për gjendjen dhe punët e qeverisë që drejtoja unë.

Eljan Tanini: -Si e njohët, dhe ku u njohët me Fatos Nanon?

Besnik Meta: -Kur vajta në mëngjes në punë, më thanë se në izolim ka ardhur Fatos Nano, i cili në atë kohë  vuante dënimin në Burgun e Bençës, Tepelenë.

-Ku e keni futur, pyeta oficerin e rojës.

-Në katin e dytë, në sektorin e grave, më tha ai.

U nisa për ta takuar, kryetarin e PS, i cili kishte 18 muaj në burg dhe, kishte kohë që emri i tij lakohej në mediat brenda dhe jashtë vendit. I shoqëruar nga komandanti i skuadrës dhe gardiani i shërbimit, hapa derën e birucës. Në fund të dhomës shoh Fatosin me mjekër. U ngrit në këmbë (ky një detyrim për çdo të burgosur). Pasi u përshëndetëm, komandanti i skuadrës i tha Fatosit duke më prezantuar:

-Komandanti i izolimit.

-Gëzohem, u përgjigj Fatosi.

-Nga jeni ju, më pyeti ai.

-Unë jamë nga ato vende ku fryjnë erëra të ngrohta dhe sjellin bereqet, iu përgjigja unë.

Për një moment më pa në sy dhe buzëqeshi.

-Ju jeni nga jugu, shtoi pas pak.

-Po, i thashë dhe shtova.

-Për çfarëdo problem që mund të keni, brenda rregullave, unë do t’ju ndihmoj.

-Ju faleminderit, por unë nuk kam nevojë, m’u përgjigj prerë.

-Tek kjo birucë ka qëndruar Fiqeret Shehu, e mbylli jetën këtu në mënyrë tragjike, vazhdova bisedën.

Për një moment e pashë se u ndje ngushtë, m’u drejtua:

-Të lutem më nxirr që këtu, foli i nervozuar Fatosi.

-Është dhoma më e mirë, s’ke pse e ndërron, pastaj ti nuk mund të rrish me të tjerë, I thashë unë. Mirupafshim, I dhashë dorën dhe u largova në rutinën e punës së përditshme. Kaq ishte takimi me të. Por, në të  nte, më vërshuan shumë mendime. E çuditshme sa s’bëhet është jeta e njeriut. Në krye, në fund, në presidiume, në qeli, në biruca. Kot s’thonë të moçmit:

“Jeta I ka që të gjitha! Për njeriun janë të tëra’’. Të nesërmen u futa përsëri në dhomën e Fatosit dhe u ula këmbëkryq në dyshekun e tij. Ndenja më tepër se një orë. Pimë një paketë cigare “Gamel”. Më pyeti për ish-Presdentin:

-A mbahet Ramizi?

-Shëndetin e tij e admiroj, I thashë unë.

-Kur të vemi në moshën e tij, ne s’do jemi në gjendje as të lëvizim dot nga vendi. A ke dëshirë ta takosh?

-Jo, më tha ai. Një ditë Fatosi më tregoi:

-Aty nga viti ’70-të babai im ka qenë drejtori I RTSH-së. Një natë po shikonim festimin e Krishtlindjeve në një stacion Italian. Bie zilja e telefonit, ngrihem dhe e kap. Zëri më thotë:

-Mooo Thanas, ku e ke çuar televizorin sonte? Ç’thotë  ntenna në Dajt?

-I bëj shenjë babait dhe ai ngrihet dhe I kërkon falje Enverit duke I thënë:

-E kam harruar shoku Enver. Tani do ta mbyllim antenën në çast. Enverit nuk I shpëtonte asgjë.

-Besnik, sa fëmijë ke, më pyeti Nano.

-Dy! Dy vajza, I thashë unë.

-S’qenke burrë, më thotë Fatosi.

Eljan Tanini: -Si e ke njohur Simon Stefanin?

Besnik Meta: -Simon Stefani qëndronte në një dhomë ngjitur me ish-Presidentin Alia, dhoma nr.38. Por, ndryshe nga Ramizi, ai qëndronte me katër persona të tjerë, një Kosovar, një maqedonas, një kurdistanas, dhe një i dënuar për vrasje me origjinë nga Përmeti. Kur i futa kinezin në dhomë, Simoni m’u drejtua me shpoti:

 -Edhe kinezin kishim mangut në këtë birucë o komandant Besniku!

-Pse Simon, ju Kinën e kishit motrën e madhe. Pse nuk të pëlqejnë? Ne Kinën e kemi patur aleatin më të shtrenjtë, dhe të shpejtë gjatë ndërtimit të socializmit! Simoni qeshi bashkë me të burgosurit e tjerë.                                                                                                                                    

Ai nuk kishte ndryshuar, nuk kërkonte privilegje, por as mëshirë. Në një moment dreke kur erdhi kazani i supës unë për qef mora garuzhden dhe fillova të ndajë ushqimin, Simoni u ofrua me tasin në dorë dhe më tha:

 -Komandant unë nuk i ha patatet, më hidh vetëm lëngun!

Unë mora drejtëqëndrim dhe iu drejtova Simonit:

-Shoku Enver ka thënë se patatja është “Bukë, edhe gjellë”!

Të burgosurit që prisnin me tasa në dorë qeshën. I burgosuri nga Përmeti i drejtohet Simonit:

-Të kam thënë Simon mos u ngatërro me Besnikun, se nuk i kthen dot përgjigje!

-Besniku vetëm poezin njeh, ai nuk e njeh Filozofinë e as Matrializmin Dialektik, tha Simoni.

-Këtu nuk kam ardhur për t’u bërë filozof, iu drejtova unë Simonit.

Besnik Meta: -‘’Bëmat e Simonit” i kisha mësuar që kur punoja në naftë. Simoni e kishte filluar karrierën saldatore në një ndërmarrje nafte të Kuçovës, dikur njihej me emrin  “Qyteti Stalin”. Në një raste rrogën nuk e kishte marrë të plotë, sepse, sipas tij i kishin hedhur shumë para, ai ishte shprehur:

-Drejtuesit e ndërmarrjes  duhen të jenë të drejtë, ashtu siç na mëson Partia, duhet të marrim atë që na takon, ishte shprehur Simoni”.

Sot rastisi që në të njëjtën kohë të kryhet edhe takimi i Simon Stefanit me njerëzit e familjes së vet edhe ai i Ramizit. Ish-Presidenti, si gjithmonë, vetëm me vajzën dhe dhëndrrin në dhomën që ndodhej përballë dhomës së takimeve të paraburgosurve dhe të arrestuarvë. E shoqja e Simonit, kur pa diferencimin e ndarjes në dhomën veç, u revoltua dhe m’u drejtua mua me zë të lartë:

-Ç’janë këto pazarllëqe që bëni? Pse i bëni këto lëshime Ramiz Alisë, kurse me një plak të sëmurë nga zemra talleni? Këtij një radio nuk i lejoni, kurse Ramiz Alisë i keni lejuar televizor, edhe gazetat e plotë lehtësira të tjera!

-Ju lutem, mos u bëni xheloze dhe mos u merrni me thashetheme, i thashë unë.

Debatin e dëgjoi dhe Ramizi, ai më shkeli syrin dhe tundi kokën, duke miratuar fjalët e mija. Simoni me një zë të trashë i tha:

-Nuk ka faj komandant Besniku, prandaj lëri llafet.

Në fakt Simon Stefani ishte i vetmi byroist që nuk më kishte kërkuar ndonjë nder qoftë dhe të vogël. Ai, edhe pse kishte problem shëndetësore nuk u ankua asnjëherë.

Një ditë tjetër Ramizi më tha;

-Besnik, ngelëm në burg.

-Je shumë mirë, i thashë.

-Pse jam shumë mirë, më pyeti i habitur.

-Sepse shokëve të tu të  luftës dhe të punës, nuk i dihen ende varret.

Një ditë djali i Sadik Bekteshit që ndodhej në burg, këtu në katin e tretë më thotë:

-Eja  Besnik, nëse ke dëshirë të prezantoj me fëmijët e Byrosë Politike, se kanë ardhur në takim për mua.

-Do vi me kënaqsi, i thashë. Kur vajta më prezantoi me motrën e tij Pranvera Bekteshin, Spartak Ngjelën dhe djalin e Beqir Ballukut, Çlirimin. Në bisedë e sipër Çlirimi më pyet për eshtrat e babait të tij, Beqir Ballukut.

-Ti je polic i vjetër më ndihmo të gjej eshtrat e babait tim, -m’u drejtua me një pyetje ai.

-Unë nuk i di, pasi kam ardhur në Tiranë në fillim të viteve 80. Nuk kam qenë kur është pushkatuar yt atë, në vitin 1975 kam qenë vetëm 15 vjeç. Pastaj, pushkatimi bëhej tepër sekret dhe me siguri të lartë e me njerëz të besuar që firmosnin për sekretin e vendit të pushkatimit. Duhet të pyesësh policët e asaj kohe, që kanë shërbyer në atë sektor.

-Kam pyetur, më thotë Çlirimi. Por, siç duket kanë frikë të tregojnë.

Besnik Meta vazhdon dhe pyet Ramiz Alinë. 

-Po për Mehmet Shehun?

Ramiz Alia: -Me emrin e Mehmet Shehut jam ndeshur për herë të parë në vitin 1942, kur më arrestuan fashistët në muajin gusht. Më futën në birucat e kuesturës në Rrugën e Barrikadave. Ti e di zakonin e të burgosurve, që shkruajnë emrat apo inicialet e tyre në muret apo dyshemetë e birucave. Kështu në faqen e birucës ku më futën edhe mua, në fund të emrave ishte shkruar frengjisht:

“Emri i budallait gjendet kudo!”

 Dhe poshtë kësaj shprehje, me të njëjtën kaligrafi, ishte “Mehmet Shehu”. Më vonë ky emër do të dilte në Vlorë dhe Mallakastër, në të gjithë krahinat e Shqipërisë dhe herë-herë edhe nën pseudonimin “Vjosa”. Mehmeti më duket nuk e kishte kuptuar, që duke shkruar emrin e tij, ishte bashkuar me të tjetrët. Ka qenë kryeministër i zoti. Shumë i gjallë dhe tepër energjik. Dinte të ndërhynte, por edhe të kërkonte llogari. Por ishte dhe shumë arrogant me njerëzit.

Eljan Tanini: -Me Rita Markon si u njohët?

Besnik Meta: -Në ato ditë fund gushti, vapa fillon që në mëngjes, pashë se disa kishin dalë në ajrim me pantallona të shkurtëra, pa veshje lartë. U ofrova dhe pashë nga afër Rita Markon. Ai kishtë bërë një operacion në veshka. Operacioni ishtë bërë nën një kujdes shumë të lartë, këtë e tregonte sheja e operacionit që dukej vetëm një vizë e hollë. Në atë moment e pyes:

-Jashtë shtetit je operuar, ju Francën e kishit më afër se Spitalin Ushtarak, iu drejtova unë me një pyetje  shpotitëse Rita Markos.

-Jo, më tha shkurt Rita. Jam operuar këtu. Më ka operuar Profesor Petro Cani. Për operacionin tim është mbledhur Byroja Politike dhe, Petro Cani ka hedhur firmën për jetën time përpara Byrosë Politike.

-Interesant, -u përgjigja unë. Doktor Petro Canin e kam njohur në gusht të vitit 1983. Ishte një vapë  përvëluese, vaft dreke , unë shërbeja patrullë policie në plazhin e Currilave. Shikoj se në drejtim meje po vinte një makinë e bardhe e marka “Varshavë” kundravajtje, i jap shejë dhe makina ndalon te këmbët e mia. Përpara meje shfaqet një burrët i fuqishëm, me fytyrë që i shkëlqente, dhe me flokë të gjata, thijosh. Pasi e përshëndeta me grusht, i thashë se je në kundravajtje, por, nuk i përmenda gjobë.

M’u prezantua:

 -Jam Doktor Petro Cani, njëkohësisht dhe antar i Presidiumit të Kuvendit Popullorë të Republikës Popullore Socialiste së Shqipërisë. Kjo makinë është private.

Mora dhe një herë drejtëqendrim me grusht kur më tha që jam antarë i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kompetencat e Presidiumit të Kuvendit Popullorë i njihja mirë, madje më kujtohet një nga kopetencat që kishte Presidiumi i Kuvendit Popullorë që përbëhej nga 15 veta, për marrjen e vendimit me vdekje, këtë kompetencë e kishim dhe ne si punonjës policie kur të përdornim armën kundër një keqbërësi apo krimineli. Për herë të parë dëgjoja se në Shqipëri kishte makina private.

-E paske njohur dhe Doktor Petron, më tha Rita.

-Profesioni jonë, i veshur me rrobën shtet, na ka njohur dhe miqësuar me shumë personalitete të të gjithë fushave, iu përgjigja unë.

Eljan Tanini: -Çfarë ke dëgjuar për Koçi Xoxen në burg, çfarë të kanë folur për të?

Besnik Meta: -Koçi Xoxe arriti të bëhej figura nr.2 pas Enverit. Ai u tregua shumë i egër në kohën kur u emrua në postin e Ministrit të Brendshëm. Fatosi, djali i Koçit më ka habitur kur më ka thënë: 

-“Baban tim nuk e ka vrarë Enveri, atë e vrau Stalini. Një letër e Stalinit drejtuar ish vendeve satelite të tij, u vranë gjashtë ministra të brendshëm. Ne deri në vitin 1974 kemi jetuar në Tiranë, pas këtij viti na internuan në Selenicë, Vlorë. Por më tragjikja është se babai kur u pushkatua nuk na u tregua varri. Në atë kohë gjyshi punonte në kombinatin “Josif Pashko”, Laprakë. Një fshatar duke kullotur lopën diku afër Kinostudios kishte konstatuar një gropë të mbuluar, pasi lopa e tij e zhgrryen me brirët dhe del kufoma. Kështu fshatari, njeri i mirë, njofton gjyshin, ne ishim gjashtë fëmijë të vegjël në atë kohë, nuk ia kishim haberin fare. Gjyshi e vlerson situatën dhe atë natë nuk ka fjetur, u ngrit në ora tre pas mes natës dhe vajti tek vendi që i pat treguar fshatari. Por ç’të shihte?! Gropa ishte e zbrazur, kufoma ishte zhvarrosur dhe, varrosur diku vend tjetër. Gjyshi sa qe gjallë ngrihej çdo ditë në ora 4 të mëngjesit dhe me një sqepar nën sqetull ka kërkuar duke gërmuar të gjithë bregun e lumit për të gjetur eshtrat e babait tonë, Koçit. Ai iku i helmuar që nuk arriti ta gjente kufomën.

Eljan Tanini: -Çfarë të ka thënë Ramiz Alia për Tuk Jakovën?

Besnik Meta, citon Ramiz Alinë:

-Enveri e vlerësoi, e bëri Kryetar Kuvendi, zv/kryeministër e minister, gjithashtu Tuk Jakovën e mori pranë vetes në Sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH. Familja Jakova e ka mbështetur luftën fuqishëm. Tukun e përjashtuan nga Partia, ai pati një fund të hidhur. Enveri u tregua i kujdesshëm për pjesën tjetër të familjes, të paktën Kolën e la në pozicionin e tij si drejtues, e dramaturg pranë Teatrit Popullor dhe në krijimtari të lirë.

-Isha një ditë për vizitë në shtëpinë e Kolë Jakovës, sepse me djalin e tij, Sokolin, jemi miq. Xha Kola ishte i kërrusur nga vitet, mosha kishte bërë të veten, por kujtesa e tij brilante më bëri për vete. Ai do kujtonte në bisedë e sipër:

-Kur u kthye Enver Hoxha nga Konferenca e Paqes së Parisit, qëndruan tranzitë në Zvicër. Në këtë delegacion merrte pjesë dhe vëllai im, Tuku. Gjatë orëve të pritjes së avionit në kthim për atdhe, në bisedë Enveri e pyeti Tukun:

- Ç’bëjnë vëllezërit e tu, si janë, e ku janë?

-Kola gjatë luftës ra në burg, pas burgut doli partizan, vazhdonte i tregonte Tuku, Enverit. Ai shkruan dhe, gjatë luftës shkroi këngët;

“Tre heronjtë e Shkodrës” dhe “Shqiponjat Partizane”. Me zë të ulët kënduan të dy këngën tre heronjeve të Shkodrës, që u kushtohej Perlart Rexhepit, Jordan Misjes dhe Branko Kadisë, që të tre  mbajnë titullin e lartë “Hero i Popullit’’:

Eljan Tanini: -Çfarë ju kanë thënë në burg  Aranit Çela?

Besnik Meta: -Në dhomën nr.7, në katin e tretë, ndodhej i izoluar numri një i drejtësisë shqiptare në diktaturë, Aranit Çela. Dhoma ose biruca ishte e ngushtë. Aty qëndronin të izoluar katër vetë, midis tyre dhe një Kosovar që quhet Ismet Kryeziu, i akuzuar për trafik armësh. Edhe në burg Araniti kishte hije burrërore. Ai fliste pak, më të shumtën e kohës e kalonte në heshtje, ose dëgjonte bisedat e të tjerëve. Të gjithë të arrestuarit kërkonin mendimin prej tij, një ose dy-tre ditë para se të dilnin në gjyq. E kisha të vështirë të hyja direkt në bisedë me të. Por, pothuajse çdo ditë përshëndeteshim, duke ruajtur gjithashtu edhe ekuilibrin me të burgosurin. Araniti vinte nga Lufta. Ishte hera e dytë për të që binte në burg.

Një ditë Aranit Çela do të më shprehej:

-Kam qenë një nga ilegalët e parë në Shqipëri. U arrestova nga fashistët dhe u dënova me dy vjet burg. Bëra 6 muaj tek Burgu i vjetër, atje ku është sot busti i Mine Pezës. Gjatë vitit 1942-1943 jam marrë me ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtare, p.sh në Hekal e kam ngritur unë Këshillin Nacionalçlirimtar. Kam qenë në grupin e tretë të Mallakastrës, komisar batalioni në Brigadën e 14-të sulmuese.

-Në vitin 1949 vajta për drejtësi në Moskë dhe mbarova në vitin 1954. Në vitet 1945-46 kam punuar si prokuror në Shkodër.

-Gjatë kësaj periudhe flitet shumë se jeni ju ai që keni dënuar klerin katolik shkodran?

-Unë dënimin e ka dhënë konform ligjit, për këtë flasin dokumentat historike të kohës, shikoni dosjet. Flasin dosjet dhe provat e sjella, më tha Çela.

Eljan Tanini: -Edhe Sulo Gradecin e keni njohur?

Besnik Meta: -Sulo Gradeci ndodhej i izoluar në një dhomë në katin e tretë, bashkë me Rita Markon dhe Muharrem Sakon. Ky i fundit ishte drejtor i Drejtorisë Ekonomike në Ministrinë e Punëve të Brëndshme. Sulo vuante nga diabeti i shkallës së lartë, bënte insulinë tre herë në ditë. Për këtë trajtohej me regjim të veçantë përsa i përket ushqimit. Ushqimin e tij i përditshëm; qumështi, veza dhe mishi, gatuhej veç. Unë gjithmonë e ngacmoja:

-Ti Sulo je i vetmi bllokmen që vazhdon dietën e ushqimit dhe e ha të kontrolluar!

Sulo nuk më kthente përgjigje, por më buzëqeshte. Ishte njeri i fizikshëm. Sa herë që vinte avokati, vinte kasketën në kokë, dosjen me material nën sqetull e nisej drejtë dhomave të hetuesisë, duke salutuar me të gjithë personat që ndeshte gjatë ecjes. Për Enverin kishte dobësi të veçantë. Bashkë me Rita Markon, asnjëherë nuk e kisha dëgjuar të përmendte emrin e Enverit, por thonin “Komandanti”. Madje Sulo më është shprehur se “vetëm ta shihje komandant Enverin, ishte fat”.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?