Evoluimi i nofkave të Ramës për
Berishën, Nanon, Metën, etj

15 Nëntor 2017, 12:13| Përditesimi:

  • Share
Edi Rama iu rikthye edhe një herë etiketimeve dhe paisonit të tij të vjetër për vendosjen e nofkave gjatë një emisioni televiziv dje, për personazhet kryesorë të politikës.

Ashu sikurse ka bërë në librin e tij “Kurban”, ku përshkruan me detaje mënyrën se si i ka njohur personalisht aktorët më të rëndësishëm të jetës politike shqiptare, duke përshkruar imtësisht profilet e tyre, që nga  anët fizike e deri te pjesët karakteriale, Rama dje, me sa duket bëri një rishikim për thuajse gjithçka ka thënë për liderët e opozitës por dhe ish-udhëheqsit socialistë ndër vite.

Pati vetëm një përjashtim, Rama nuk ka ndryshuar mendim vetëm për Lulzim Bashën, ndoshta për arsye se e konsideron ende atë si një politikan aktiv me potencial për ta rivalizuar.

Për Sali Berishën

Nuk mund të harrohen thirrjet e Edi Ramës në mitigjent e PS të sapo ardhur në pushtet në vitet 1997 dhe 1998, kur thërriste me të madhe “o doktooor”, duke imituar Sali Berishën dhe leksikun e tij. Gjithashtu etiketimi si “Doktor rrumpalla”, ishte një tjetër nofke që Edi Rama i vuri Sali Berishës në kohën kur i pari ishte kryebashkiak i Tiranës dhe i dyti lider i opozitës. Por në emisionin e djeshëm Rama e rishikoi qëndrimin e tij dhe e quajti Berishën “një forcë të natyrës”, “një lider absolut, që lidershipin e tij e konsideron si një valle me shpata”.

Për Fatos Nanon

Në kohën kur Edi Rama ishte në kulmin e karrierës së tij në Bashkinë e Tiranës dhe qyteti gumëzhinte nga punët, kryeministri i atëhershëm Fatos Nano, u fotografua me bashkëshorten e tij duke shijuar një mbrëmje muzike në një buzuk grek. Ndoshta qe kjo arsyeja qe Rama nisi ta quante publikisht “Robert çamçakëzi”. Bëhet fjalë për një personazh të huazuar nga një film i vjetër shqiptar, kushtuar heroit të punës Adem Reka, ku personazhi në fjalë, pra “çamçakëzi” paguhej në Portin e Durrësit, edhe pse endej fjalëshumë e punë pakë.

Por në intervistën e djeshme Rama tha për Nanon se tashmë i kujton personazhin e shkrimtarit Heminguej “plaku dhe deti”. Një simbolikë kjo për njeriun e vetmuar por me përvojë, që pavarësisht moshës i bën ballë dallgëve dhe peripecive, pa ndihmën e askujt. Rama tha se ka nisur të këshillohet rregullisht me ish-liderin socialist.

Për Ilir Metën

Rama nuk ka përdorur etiketime të mëdha për Ilir Metën. Ai nisi t’i theksonte shumë “bllokun në dorë prej 7%”, pas një filmimi ku Meta shihej duke biseduar me Dritan Priftin për një 7 përqindësh të mundshëm tenderash, që solli një valë protestash të opozitës, të cilat kulmuan me rënien e 4 vitimave në Bulevardin Dëshmorët e Kombit më 21 janar 2011. Në librin “Kurban” Rama trajtonte me tone habie faktin që në vitin 2009, Meta pas një takimi për koalicionin e tyre u nda me të duke i thënë “mirë flori”, por më pas kaloi në aleancë me Berishën. Edhe sot duket se Rama nuk ka ndryshuar shumë mendim për të, kur e quajti me tone superlative “një politikan racë”.

Për Lulzim Bashën

Për kryetarin e Partisë Demokratike Rama vazhdon të mbajë një qëndrim kritik dhe agresiv. Dikur e quante “lulja që qesh”, ndoshta për mimikën me një buzëqeshje të pandarë të liderit të opozitës. Edhe sot Rama për të thotë se “bëhet qesharak duke u përpjekur të imitojë të paimitueshmen”, duke nënkuptuar ndoshta se Basha përpiqet të ndjekë modelin e Berishës.

Për Monika Kryemadhin

Në mjediset e PS por edhe jashtë tyre, shpesheherë kur bëhet fjalë për mbledhje të organizimit të strukturave të brendshme, janë të shumtë ata që dëshmojnë se Edi Rama e ka marrë shpesh Monika Kryemadhin si shembullin e vullnetit dhe energjive të pashterueshme për të mobilizuar dhe rekrutuar anëtarësinë. Sot që Kryemadhi është ashpërsuar në opozitarizmin ndaj tij, Rama e cilësoi si thjesht “bashkëshortja e Ilir Metës”.

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?