Erkand Qerimaj dhe Kristi Ramadani pas medaljeve

Europiani i Peshëngritjes/ Erkand Qerimaj dhe Kristi Ramadani i dhurojnë Shqipërisë tre medalje argjendi

16 Shkurt, 21:40| Përditesimi: 16 Shkurt, 22:14

  • Share

BULLGARI - Peshëngritësi shqiptar, Erkand Qerimaj ka siguruar sot në mbrëmje medaljen e argjendtë në stilin e shkëputjes, në peshën 81 kilogramë, në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Sofie të Bullgarisë.

Shtangisti shkodran mbylli garën në këtë stil në vendin e dytë me 155 kilogramë të ngritura, duke realizuar dy nga tri provat, ndërkohë që vijon garën në stilin e shtytjes.

Qerimaj e nisi garën me 152 kilogramë, peshë që nuk e ngriti dot në provën e parë. Shkodrani arriti të ngrejë lart këtë peshë në provën e dytë. Në provën e tretë, Qerimaj arrin të ngrejë lart edhe 155 kilogramë, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë në garë.

Në stilin e shtytjes, gara e Qerimajt nuk ishte aq e mirë sa ajo e shkëputjes. Shtangisti kuqezi realizoi me sukses vetëm provën e parë, ku ngriti 180 kilogramë. Në dygarësh Erkand Qerimaj u klasifikua në vendin e katërt me 335 kilogramë në total.

Skuadra e medaljeve kuqezi

Veç Qerimajt, dy medalje argjendi ka siguruar edhe peshëngritësi Kristi Ramadani në peshën deri në 81 kilogramë.

Kristi Ramadani siguroi dy medalje të argjendta, një në stilin e shtytjes dhe një në dygarësh. Edhe pse garoi në Baterinë B, gara e Ramadanit ishte e mjaft e mirë, duke i dhuruar Shqipërisë dy medalje të argjendta, të parat për të në një Europian për të rritur.

Në stilin e shkëputjes ai u rendit në vendin e katërt, me 151kilogramë të ngritura. Në stilin e shtytjes, Ramadani ishte mjaft i saktë në të trija provat, duke ngritur fillimisht 180 kg e më pas 186 kg e në fund 190 kg.

Falë këtij rezultati Ramadani u rendit i dyti, me vetëm 1 kg më pak se fituesi i së artës. Ramadani mbylli garën e tij në Europian me 341 kilogramë në dygarësh, duke u klasifikuar në vendin e dytë.

Madje në dygarësh Ramadani doli edhe më mirë se Qerimaj (i katërti). Shtangisti kuqezi vari kështu në qafë dy medalje të argjendta.

Rezultatet

 

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?