Sport

EURO 2020/ Sot nisin ndeshjet e dyta në grupe, Italia për kualifikim ndaj Zvicrës! Sfidat e tjera Turqi-Uells dhe Finlandë-Rusi

16 Qershor 2021, 11:20| Përditesimi: 16 Qershor 2021, 12:33

  • Share

Sot nisin ndeshjet e dyta në grupe të Euro 2020. Në grupin A sfida që spikat është ajo e mbrëmjes në Olimpico mes Italisë dhe Zvicrës. Të kaltrit pas fitores në ndeshjen e parë ndaj Turqisë janë sonte përpara një testi të vërtetë për të parë se sa larg mund të shkojnë. Dhe objektivi minimal është faza e 1/8 të cilën Italia e arrin me një fitore ndaj Zvicrës. Trajneri Roberto Mancini thotë se skuadra e tij duhet të bëjë një ndeshje të madhe pasi Zvicra për Italinë ka qenë historikisht një rival i fortë. Vetëm një ndryshim do të bëjë në formacion Mancini ku vendin e Florenzit në të djathtë të mbrojtjes do ta zërë Toloi dhe dhjetë të tjerët do jenë ata që mposhtën Turqinë.

E udhëhequr nga shqiptarët Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri Zvicra do të kërkojë patjetër pikë sonte ndaj Italisë. Helvetët barazuan ndeshjen e parë me Uellsin dhe një humbje thuajse i nxjerr jashtë. Trajneri Petkovic kërkon që ekipi i tij së pari të frenojë entuziazmin e të kaltërve. Nuk priten ndryshime në formacion krahasuar me ndeshjen e parë dhe në majën e sulmit të Zvicrës do jenë Seferovic e Embolo.

Më herët në orën 18:00 Turqia përballet me Uellsin në Baku. Turqit duan të harrojnë humbjen e ndeshjes së parë dhe trajneri Gunes vlerëson shumë mbrojtjen e britanikëve por thotë se skuadra e tij do kërkojë t’i fitojë të dyja ndeshjet e mbetura. Në formacion e turqve nuk pritet të ketë ndryshime.

Ndërsa Uellsi pas pikës së marrë në sfidën e parë të grupit A ka filluar të bëjë llogari. Trajneri Rob Page kërkon fitoren sot ndaj Turqisë dhe sqaron se me katër pikë skuadra e tij ka shanse të mëdha për të kaluar turin. Lojtarët kryesorë Bale e Ramsey pritet të udhëheqin skuadrën./ Përgatiti Andi Kapxhiu

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?