Estonia do të heqë të gjitha monumentet e luftës që i përkasin epokës sovjetike nga ambientet publike. Ky akt synon të parandalojë “armiqësinë e shtuar të shoqërisë, si edhe kujtimin e plagëve të vjetra” pas pushtimit rus të Ukrainës, tha qeveria.
Një tank T-34 në qytetin Narva, i cili kufizohet me Rusinë, është zhvendosur për t’u dërguar në Muzeun e Luftës në Estoni. Narva është qyteti i tretë më i madh i Estonisë, ku 97% e popullsisë së saj prej rreth 60,000 banorësh flasin rusisht. Estonia është e shqetësuar se lufta e Rusisë në Ukrainë do të nxisë tensione në Narva.
Estonia e rifitoi pavarësinë në vitin 1991, pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Në deklaratën e saj, kryeministrja Kaja Kallas tha se qeveria e saj "nuk do t'i lejojë Rusisë mundësinë për të përdorur të kaluarën e për të prishur paqen në Estoni".
"Duke marrë parasysh shpejtësinë e rritjes së tensioneve dhe konfuzionit rreth memorialeve në Narva, ne duhet të veprojmë shpejt për të garantuar rendin publik dhe sigurinë e brendshme", th Kallas.
Ministri i Jashtëm Urmas Reinsalu tha se këto monumente janë ngritur për të lavdëruar pushtimin rus dhe nuk kanë më vend në hapësirën publike të Estonisë.
Përveç tankut T-34, varrezat e Luftës së Dytë Botërore do të zhvendosen po ashtu, gjë që qeveria e pranon se mund të krijojë tensione.
Javën e kaluar, Rusia shprehu pakënaqësi ndaj planeve të Estonisë.
"Lufta kundër historisë, për më tepër me një histori të përbashkët dhe asgjësimin e monumenteve për ata që shpëtuan Evropën nga fashizmi, është skandaloze," tha zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin.
Estonia po anulon gjithashtu rreth 50,000 viza të lëshuara për shtetasit rusë.
Letonia, Lituania dhe Republika Çeke po ashtu kanë ndaluar lëshimin e vizave për rusët. Finlanda po redukton në 10% numrin e vizave që lëshon për rusët.