Erozioni rrezikon banesat në fshatin Tresh të Lezhës, banorët: Ka ikur një mal, na ka ardhur dheu në rrëzë të shtëpisë! Shembet rruga, 6 familje të izoluara prej 3 muajsh

5 Shkurt 2022, 09:41| Përditesimi: 5 Shkurt 2022, 09:46

  • Share

Banorët e fshatit Tresh të Lezhës prej javësh jetojnë me frikë, për shkak se erozioni po i rrezikon seriozisht banesat. Ata shprehen se ky është një fenomen prezent prej kohësh, por që këtë dimër është shfaqur frikshëm, ku i gjithë shpati i kodrës ka lëvizur.

6 familje kanë mbetur tërësisht të izoluara pasi si pasojë e rrëshqitjes së dherave është shembur edhe rruga që i lidh ata me qe qendrën, në një gjatësi prej 50 metrash

Teksa ngrenë shqetësimin e tyre, banorët shprehen se janë ankuar edhe tek pushteti vendor, por deri tani nuk është marrë asnjë masë.

"Ka 3 muaj që është shemb dhe ka bllokuar 6 familje. Kemi lajmëruar kryetarin e qarkut, kanë ardhur ta verifikojnë dhe kanë thënë kur t'i dali koha do punojnë. Ne me u sëmurë njeri, nuk kemi ku e çojmë. Rrezikohen edhe shtëpitë, na ka ardhur dheu deri në rrëzë të shtëpisë", thotë një banor.

"Kam investuar mbi 8 milion dhe është rrëzuar betoni, e ka marrë mali. Askush nuk ka ardhur askush të na shohë. Rruga ka 3 muaj që është prishur", shprehet një tjetër.

"Problemi i rrëshqitjes së dheut ka qenë në vazhdimësi. Tani janë bllokuar 6 shtëpi. Njëri e pati rregulluar me hekur e beton, por ka rrëshqit përsëri, situata është alarmante", thotë tjetri

Burime nga Bashkia Lezhë bëjnë me dije se e kanë verifikuar situatën në terren dhe po hartohet një plan për të ndërhyre në këtë zonë.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?