Eros Dibra: Vështirësitë
që hasin artistët e rinj

1 Maj 2013, 06:50| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Ajo që të bën përshtypje më tepër është se piktori i ri Eros Dibra nuk rend pas detajeve të konsumuara piktorike, dhe nuk fshihet pas fasadave të figurave të mëdha. Telajoja e tij është e pastër, grishëse dhe ai vazhdon të pikturojë me modesti.

Pikturon realitete që zakonisht kalojnë përmes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, përmes emocionit, që mbetet peng i pritshmërisë e durimit për t’ia dalë punës në krye. Ky konstatim estetik është ABC-ja me të cilën mund të kontaktojmë me pikturat e Eros Dibrës.

Ngaqë ka studion edhe për Multimedia, shpesh i jepet mundësia të prek dhe gjuhë të tjera të artit përveç pikturës, si videon, fotografinë, instalacionin, etj. Eros Dibra kishte çelur para pak kohësh një ekspozitë në galerinë FAB.

Ekspozita ndryshe nga shumë të tjera të çelura gjatë kësaj periudhe në galerinë pranë Akademisë së Arteve, në Tiranë, ishte më e veçanta në stil, më e plota për një përfaqësues të brezit të ri të pikturës, sepse aty spikaste dora e një piktori vërtetë të ri në moshë, por që prezantohej me një personalitet të plotë, të sigurt në këtë ekspozitë.

Eros Dibra djali i një shkrimtari të njohur, thotë se i ka qëlluar fati të ketë babanë banues të së njëjtës ndërtesë, siç është arti. Dhe për këtë ndihet me fat, jo se babai i tij është i zoti të hedh ndonjë vijë peneli në telajot e tij, por se i lejohet të ndihet i lirë edhe ne mjedisin e shtëpisë si artist, falë mirëkuptimit të gjuhës, figurës, stilizimeve që përdorin mes tyre, si mjete të të gjitha arteve të botës.

Eros rrëfen për gazetën edhe sesi ka ndikuar poezia e babait të tij në pikturë, cilat janë marrëdhëniet me pedagogët dhe shkollën. Bashkë me disa nga veprat e tij, portreti i Eros Dibrës shpaloset qartë në rreshtat e kësaj interviste.

Eros, para pak kohësh ju çelët një ekspozitë mbresëlënëse në galerinë FAB. Dëgjova vlerësime të mira nga pedagogët e tu. A mund të na tregosh cilat janë motivet e ekspozitës?
-Ekspozita titullohej “Ndjesi të djegura” me piktura kryesisht të dy viteve të fundit, kuruar nga artisti (njëkohësisht dhe pedagogu im)Vladimir Myrtezai. Kjo ekspozitë erdhi si një nevojë për t’u kthyer pas në kohë deri në skajet e Zanafillës.

Shpejtësia,pasiguria dhe ftohtësia me të cilën vepron njeriu bashkëkohor, shkëputja e tij totale me natyrën dhe ndjesitë e thella njerëzore,më bënë që të ndalem.

Ky cikël peizazhesh ka ardhur natyrshëm tek unë në copëza imazhesh,realitetesh dhe ëndrrash “të djegura” ku qëllimi parësor nuk ka qenë rikthimi në qendër i peizazhit thjesht si një gjini e pikturës, por rikthimi i ndjesive dhe emocioneve që transmetohen tek ne.

Arti juaj çfarë drejtimi ka?
-Nuk e di nëse mund të flas për një drejtim të caktuar. Unë studioj për Multimedia, gjë që më ka dhënë mundësinë të prek dhe gjuhë të tjera përveç pikturës, si videon, fotografinë, instilacionin, etj.

Të gjitha këto janë mjete vizuale dhe zanore në shërbim të autorit dhe veprës së artit, si ide dhe emocion. Ndoshta më vonë mund të vinë natyrshëm kanalizimet në një medium të caktuar, por tani për tani e shoh veten të lidhur me videon dhe pikturën, si dy gjuhë që plotësojnë dhe bashkëveprojnë njëra me tjetrën.

Babai juaj, Ridvan Dibra, është shkrimtar i njohur, a ka ndikuar ai në veprat e tua?
-Padyshim që ka ndikuar, sidomos shkrimtari Ridvan Dibra. Shumë nga punët e mia janë bazuar dhe frymëzuar nga krijimtaria e babait tim, ku më të fundit janë “Dashuri në morg” (film me metrazh të shkurtër) dhe “Kurthet e dritës”(video art). Nuk ndodh shpesh ta kesh babanë banues të së njëjtës ndërtesë, siç është arti. Ndjehem me fat.

Cilat janë disa nga vështirësitë që hasin artistët e rinj sot?
-Mendoj që vështirësitë e artistëve të rinj sot janë kryesisht praktike,si financimi,përkrahja dhe mbijetesa në një shoqëri e cila ka çdo ditë e më pak interes për artin.

Ku dhe kur jeni shkolluar. A mund të flisni se çfarç keni përfituar prej shkollës deri më sot?
Shkollën e mesme e kam kryer në Shkodër, në liceun artistik “Prenke Jakova” për pikturë-grafikë. Më pas kam kryer Universitetin e Arteve në Tiranë në atelierin e Multimedias, ku aktualisht vazhdoj dhe vitin e parë master në po këtë atelie. Nga shkolla përfiton, por në të njëjtën kohë rrezikon apo pëson dhe “deformimin”. Unë jam munduar të ruaj një rrugë të mesme.

Keni artistë që i adhuroni, cilët janë?
-Nuk mendoj që artisti duhet të adhurohet. Kam artistë të pëlqyer të cilët i shoh më pranë vetes siç është Andrei Tarkovsky,Bill Viola apo Mark Rothko.

Ka pasur ndonjë vlerësim ose mendim kritik që të ka nxitur për të ecur në rrugën e artit?
-Po. Në fillimet e mia më ka përkrahur piktori Gjovalin Paci të cilit ia tregoja shpesh punimet dhe i vlerësonte, babai i cili tregonte gjithmonë vëmendje ndaj asaj çfarë unë bëja, gjithashtu piktorët Ismail Lulani, Gjelosh Gjoka dhe Gazmend Leka më patën nxitur që ta vazhdoja rrugën e artit. Dhe padyshim profesor Vladimir Myrtezai, i cili falë besimit dhe vlerësimit më ka mbështetur vazhdimisht në këtë rrugë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?