Ermal Vila, historia e suksesit
të shqiptarit në Bankën Botërore

10 Dhjetor 2015, 09:00| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- I larguar prej vitesh nga Shqipëria, ai sërish i mbetet ‘besnik’ i ëndrrës se një ditë - si shumë shqiptarë të tjerë të suksesshëm - do të jetë një vlerë e shtuar e vendit të tij. Ky është Ermal Vila, 27 vjeçari me origjinë nga Korça, i cili ka realizuar ëndrrën e tij duke shkëlqyer në moshë fare të re në poste e nisma të rëndësishme që ka ndërmarrë përtej kufijve.

Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Vila rrëfen hap pas hapi rrugëtimin e tij nga Parlamenti Europian tek Programi i Forcimit të Parlamenteve të Bankës Botërore, program ky që synon të rrisë kapacitetin e parlamenteve në plotësimin me eficencë të roleve të tyre të mbikqyrjes, përfaqësimit të qytetarëve si dhe ligjbërjen në mënyrë që ky institucion të kontribuojë në krijimin e një jete me prosperitet dhe dinjitet për çdo qytetar që përfaqëson.

Por, ai nuk ndalet këtu! Duke kontribuar në një karrierë plot sukses, thotë se të rinjtë shqiptarë janë ‘ambasadorët’ më të mirë të vendit tonë jashtë, duke u bërë qytetarë model në vendet ku jetojmë dhe punojmë.
 
Punoni dhe jetoni prej shumë kohësh në Washington DC. Ju mungon Shqipëria?
Patjetër! Shumë dhe çdo ditë, madje. Jam larguar nga Shqipëria menjëherë pas përfundimit të gjimnazit në qytetin e Korçës dhe për më shumë se 9 vjet mundohem të shkoj disa herë në vit në mënyrë që të mbaj gjallë lidhjet me familjen dhe të afërmit, shoqërinë e fëmijërisë si edhe me vendin tim. Gjithsesi çdo ditë mundohem t’i ndjek nga afër zhvillimet në fushën e ekonomisë, edukimit dhe politikës.
 
Çfarë do të thotë për ju një pozicion pune në Bankën Botërore. Si keni arritur të jeni pjesë e saj, na rrëfe disa hapa?
Në Bankën Botërore kam filluar punë që në moshën 24 vjeçare, dhe ka qenë patjetër realizimi i një ëndrre e cila vazhdon dhe bëhet më interesante me kalimin e çdo dite. Këtu kam filluar menjëherë pas përfundimit të Masterit në Johns Hopkins University në Itali dhe në Washington DC.

Edukimin e lartë e kam kryer tek Universiteti Amerikan i Selanikut në Greqi në fushën e Diplomacisë, nga ku fillova studimet Master për Zhvillim dhe Ekonomi Ndërkombëtare. Natyra e studimeve të mia të Masterit ishin në të njëjtën linjë me një organizatë të zhvillimit ndërkombëtar si Banka Botërore, por për shkak të mungesës së eksperiencës së punës m’u desh që për gjatë gjithë vitit të dytë të Masterit të takoja personalisht për intervistë ‘joformale’ menaxher dhe punonjës të institucionit. Ishte mënyra e vetme të prezantoja aftësitë dhe njohuritë në fushën e qeverisjes së mirë, përqëndrim të cilin studiova për dy vjet.

Pas shumë takimesh dhe intervistash, profili im përputhej ekzaktësisht me përshkrimin e një pozicioni në një program të politikave të Dialogut Publik-Privat.
 
ermal vita

Theksuat se punoni në departamentin që merret me forcimin e parlamenteve, ndërsa më përpara ishe në një program që merrej me politikat e dialogut public-privat. Ka qenë një sfidë e vështirë për ju këto arritje?

Momentalisht punoj në Programin e Forcimit të Parlamenteve. Ky program synon të rrisë kapacitetin e parlamenteve në plotësimin me eficencë të roleve të tyre të mbikqyrjes, përfaqësimit të qytetarëve si dhe ligjbërjen në mënyrë që ky institucion të kontribuojë në krijimin e një jete me prosperitet dhe dinjitet për çdo qytetar që përfaqëson. Unë mbuloj rrjetet rajonale parlamentesh në Karaibe, Ishujt e Paqësorit si edhe Parlamentin e Kuvaitit, ku japim asistencë teknike përgjithësisht komisioneve parlamentare që merren me mbikëqyrjen e formulimit dhe implementimit të buxhetit të shtetit.

Për rreth një viti e gjysmë punova me një program global i cili merrej me politikat e Dialogut Publik-Privat. Ashtu si edhe në pozicionin aktual, puna ime është e përqendruar rreth praktikave të qeverisjes së hapur, transparente dhe të përgjegjshme ndaj qytetarëve që i ka zgjedhur. Në fakt, pjesë e rrjetit të programit tonë të mekanizmave të Dialogut Publik Privat ishte edhe Këshilli Ekonomik Shqiptar në Shqipëri si edhe Këshilli për Zhvillim Ekonomik Kombëtar në Kosovë.
 
Ju jeni edhe Drejtues për Partneritete dhe Evente tek “Komuniteti Të-Rinj-Për-Të-Rinj i Bankës Botërore”, e cila është organizata e të rinjve të Bankës Botërore. Çfarë veprimtarish ndërmerrni në këtë rol?
Komuniteti Të Rinj Për Të Rinj i Bankës Botërore është një komunitet i profesionistëve të rinj të Bankës të cilët synojnë të sjellin ide dhe perspektiva të reja në punën operacionale dhe projektet e Bankës Botërore dhe të përfshijë, frymëzojë dhe fuqizojë të rinjtë në vendet në zhvillimin. Pjesa më a madhe e aktiviteteve që ndërmarr kanë të bëjnë përgjithësisht me fuqizimin e axhendës rinore, duke filluar që me organizimin e një konference mes Presidentit të Bankës Botërore Jim Yong Kim dhe inovatorëve të rinj mbi “Të Ardhmen e Zhvillimit”, e deri tek evente të ndryshme sociale që kanë si për qëllim sjelljen së bashku të profesionistëve të rinj që jetojnë dhe punojnë në Washington.

Javën e kaluar organizuam edhe Festën e Fundvivit të Organizatave Ndërkombëtare, kur rreth 1200 profesionistë të rinj morën pjesë në mbështetje të dy bamirësive: një e cila gjen familje për fëmijë jetimë si edhe një bamirësi tjetër e cila inkurajon prindërit të ndajnë sa më shumë libra me fëmijët e tyre në vitet që pas lindjes.
 
ermal vita

Si e shikoni rolin kontribues të të rinjve shqiptarë që jetojnë në diasporë?

Pavarësisht se jemi jashtë dhe jemi duke ndjekur karrierën larg Shqipërisë, unë besoj që ka hapësira për të kontribuar për çdo shqiptar, veçanërisht të rinjtë. Dhe ndoshta mënyra më e mirë dhe thjeshtë është ajo e të qenurit ‘ambasadorë’ të mirë të vendit tonë jashtë, duke u bërë qytetarë model në vendet ku jetojmë dhe punojmë.

Duke e kthyer historinë tonë jashtë në histori suksesi, i japim vendit tonë vizibilitet mbi larmishmërinë që ofron Shqipëria në fusha si turizimi apo investimet. Sigurisht që mënyra më e drejtpërdrejtë është kthimi dhe dhënia e kontributit ndaj vendit nëpërmjet sjelljes së eksperiencës dhe kapitalit human dhe financiar në fushat ku vendi ka më shumë nevojë.
 
ermal vita

Ju përmendët një iniciativë të Universitetit të Harvardit dhe qeverisë shqiptare mbi një Program të Diasporës Shqiptare, ku vetë koordinoni Grupin e Diasporës Shqiptare të Washingtonit. Mund të na tregoni diçka më tepër rreth këtij programi?
Programi i Diasporës Shqiptare është një inicitativë ambicioze e Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvardit i cili ka si për qëllim identifikimin dhe zhvillimin e një strategjie për përfshirjen e Diasporës Shqiptare në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës. Dy janë objektivat e kësaj iniciative: të lehtësojë ndërtimin e marrëdhënieve mes Diasporës Shqiptare dhe ministrive relevante nga një anë, dhe komuniteteve shqiptare jashtë vendit nga ana tjetër, si dhe të mbështesë Diasporën Shqiptare në zhvillimin e një strategjie për të përfshirë diasporën në zhvillimin e vendit.

Grupi e Diasporës Shqiptare të Washingtonit është një iniciativë ombrellë e përbërë nga organizata Shqiptaro-Amerikane dhe aktivistë të zonës së Washingonit e cili ka si synim të konsolidojë grupin e profesionistëve të kryeqytetit Amerikan në krijimin e një platforme të përfshirjes në çështjet e diasporës shqiptare. Së bashku me qendra të tjera të diasporës shqiptare, kryesisht në Boston dhe Neë York, jemi duke punuar për të identifikuar potencialin real profesional dhe financiar të diasporës dhe kanalizimin e tij në fushat më me nevojë të vendeve të origjinës.

Natyra e programit është shumë ambicioze dhe e një shkalle të gjerë kështu që për të shmangur gabime të iniciativave të ngjashme të kaluara, entitetet e përfshira janë duke analizuar me kujdes kushtet e zhvillimit të programit, duke patur parasysh edhe terrenin politik dhe ekonomik në Shqipëri.
 

Ju kaluat nga një eksperiencë te Kabineti i Presidentit të Parlamentit Europian tek Programi për Forcimin e Parlamenteve te Banka Botërore. Mendoni se një ditë të riktheheni në atdhe për të ndërtuar një tjetër histori suksesi?
Une jam i mendimit që në një botë kaq të ndërlidhur si kjo e sotmja, mënyrat e kontribuimit në vendin tonë janë të shumta dhe jo gjithnjë kjo përkthehet në kthim fizik. Megjithatë, unë përsëri jam i besimit që kthimi është mënyra më e drejtëpërdrejtë dhe që do të ketë impaktin më të madh.


Në të njëjtën kohë, jam gjithashtu i mendimit që vlera më e madhe e shtuar e kthimit është të kthehesh me eksperiencë të mirëfilltë në një fushë të caktuar. Momentalisht, ashtu si shumë të rinj të tjerë që punojnë jashtë në institucione apo kompani prestigjoze, pozicioni ku jam tani është një mundësi e artë për mua të ndërtoj ekspertizë dhe të kthehem në një ekspert të ndërtimit të parlamenteve të forta dhe demokratike – kur të arrij atë nivel ekspertize atëherë do të jem aset akoma më me vlerë për vendin tim.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?