Ermal Meta

Ermal Meta, ‘Nesër e Përgjithmonë’: Doja të shkruaja historinë e shqiptarëve

25 Tetor 2022, 21:23| Përditesimi: 25 Tetor 2022, 21:25

  • Share

TIRANË- Ermal Meta do të vijë nesër në Shqipëri, ku kësaj here do të jetë nën petkun e shkrimtarit, autor i një libri, e jo si këngëtar, ku do të prezantojë librin e tij të titulluar ‘Nesër e përgjithmonë’. Në një intervistë të Rudina Magjistari, Ermal Meta ka rrëfyer rrugëtimin e tij, se si arriti deri në shkrimin e librit, teksa ka treguar se ka ëndërruar gjithmonë një roman që të tregonte historinë jo të Shqipërisë, por të shqiptarëve.

“Kam gjithë jetën që shkruaj, por kam shkruar gjithmonë këngë dhe kënga është shumë ndryshe nga romani. Kam pasur gjithmonë dëshirë të shkruaja që kur isha 20 vjeç me vinin shumë ide në mëndje. Nuk e merrja guximin të shkruaja një roman, se gjithë sforco, lodhjet e mia doja ta hidhja te muzika, sepse nuk mendoja se mund të bëheshin të dyja gjërat njëkohësisht. Nuk e merrja guximin të shkruaja një roman edhe pse kisha shumë ide në mendje. Kur në 2020 erdhi pandemia, nuk më dukej gjë  e drejtë të merresha me muzikë. Në atë periudhë jetoja në Milano dhe çdo 10-20 minuta dëgjoheshin vetëm ambulanca dhe tingulli i sirenës së saj është diçka që njofton diçka të rëndë. Nuk më vinte e lehtë të luaja një piano. Kisha një piano që kisha shumë vite që e synoja një piano të vitit 1919 që e kisha ëndërr që i vogël, por prapë nuk kisha fuqinë të ulesha në piano dhe të shkruaja këngë, por ndieja nevojën që duhet të shprehesha, se nuk kisha kaluar kurrë më shumë se një javë pa shkruar diçka. Më në fund gjeta guximin të shkruaja këtë histori që kisha 2 a 3 vite që e kisha në mëndje. Por nuk kisha skemë, projekt, thjesht fillova të shkruaja. Ideja ishte që në fillim një këngëtar kur shkruan një roman zakonisht, në 90% të rasteve shkruan për jetën e vetë, këtë doja ta evitoja. Do ishte diçka shumë e pritshme. Doja ta masja veten me diçka tjetër. Po emocionet janë personale, por nuk doja të ishte historia ime, atë e kam treguar nëpërmjet këngëve, këndvështrimin tim për botën. Për sa i përket romanit, doja të tregoja historinë e një vendi ku unë linda dhe jetova për 13 vite, ku kam rrënjët edhe doja të tregoja diçka që nga ana tjetër e Adriatikut nuk e njohin. Shqipërinë e njohin nga ’91-shi e deri më sot. Doja të shkruaja një roman që të tregonte historinë jo të Shqipërisë, por të shqiptarëve”, u shpreh Ermal Meta.

Ndalesa e parë për Ermal Metën do të jetë Tirana, kryeqyteti në 26 tetor, ku do të prezantojë librin e tij të titulluar ‘Nesër e përgjithmonë’ në ambientet e sallës ‘Tonin Harapi’ te Liceu Artistik. Më pas, këngëtari do të kthehet në vendlindjen e tij, në Fier në 27 tetor  në Teatrin e Bylisit e për ta mbyllur këtë tur 3 ditor me Shkodrën te ‘Arka’. Ai është në Tiranë me ftesë nga Instituti Italian i Kulturës. ‘Nesër e përgjithmonë’ është një roman i  jashtëzakonshëm formues, ku Ermal Meta rrëfen historinë e Kajanit, që rritet mes stuhisë së konflikteve të shekullit XX, një shpirt i ndjeshëm i katapultuar në botë të largëta.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?