Ermal Meta dhe grupi rock puljez
befasojnë Londrën

12 Tetor 2012, 14:01| Përditesimi:

  • Share
Koncerti i grupit rock puljez "La fame di Camilla" në klubin historik Dingwalls u dha në kuadrin e mbrëmjes me titull "Puglia Sounds In London". Grupi drejtohej nga Ermal Meta, djaloshi shqiptar me origjinë nga Fieri, që i ngjiti shumë shpejt hapat e suksesit Itali.

Ermal Meta dhe dhe grupi i tij në Londër ishin pjesë e mbrëmjes dedikuar Puglias, e cila u prit me entuziazëm. Dje grupi prezantoi për herë të parë në Tgcom24 videoklipin e këngës së re "Vetëm një gjurmë".

Grupi muzikor "La fame di Camilla" ka lindur në vitin 2007 dhe sot konsiderohet si një nga më premtuesit në panoramën muzikore italiane. Ashtu siç e kishin parashikuar kritikët dhe specialistët e muzikës, brenda një kohe të shkurtër grupi rok pop doli nga hija amatoriale dhe mbërriti në kanalet më të rëndësishme të muzikës. Lideri i grupit është i riu shqiptar Ermal Meta, i cili prej 16 vjetësh ishte me banim në Itali. Në diskun e parë të grupit, Ermali nuk ka harruar të fusë diçka nga Shqipëria.

Vepra e tyre e parë, e prodhuar nga Universal Music, mbyllet me këngën "Në dorën tënde" të kënduar në shqip. Tingujt emocionues të kitarës krijojnë një atmosferë të ëmbël, me tone nostalgjie. Jo më kot një kritik e ka cilësuar muzikën e grupit "La Fame di Camilla" si një përkëdhelje plot nostalgji. Ermal Meta me "La Fame di Camilla", gjithashtu ka marrë pjesë në Sanremo 2010 këngën "Buio e Luce" të shkruar e të kënduar nga Ermali.

"Errësira dhe drita janë bij të diellit" thotë kënga, për të thënë që mund edhe të fshehësh ndjenjat për dikë, por errësira nuk mund të pengojë kthimin e dritës, arsyeja nuk mund të fshijë identitetin e zemrës. Me poezinë e tekstit, melodinë ëndërrimtare, kjo këngë e ka bërë publikun për vete. Në një intervistë dhënë për "Bota Shqiptare" ai tregon si nisi rruga e tij drejt suksesit.

NGA "BOTA SHQIPTARE"
"....Ermal Meta është 30 vjeç, jeton prej rreth 16 vjetëve në Bari ku ka mbërritur me familjen e tij nga Fieri. Në Itali ka sjellë me vete edhe pasionin për muzikën, me të cilën është ushqyer që i vogël, falë së ëmës, mësuese violine. Ermali këndon, i bie pianos dhe kitarës. Siç tregon edhe vetë i janë shumë familjarë edhe tingujt, të bezdisshëm për shumëkënd, të akordimit të një instrumenti. Ka nisur të studiojë pianon në qytetin e tij të lindjes që në klasë të parë, por rreptësia e mësuesve dhe kokëfortësia e tij nuk shkuan dakord për më shumë se dy vjet. E la studimin por nuk braktisi pasionin e tij për muzikën.

Kush janë pjesëtarët e grupit tënd?
Grupi ynë përbëhet nga katër vetë, unë këndoj dhe luaj në kitarë e piano, dhe tre djem nga Bari: Giovanni Colatorti kitarist, Emanuele (Lele) Diana baterist dhe Dino Rubini basist. Të tre djemtë kanë vite të tëra studimesh mbi shpatulla, praktikisht unë jam anëtari i grupit që ka studiuar më pak.

Si u krijua ky grup?
Grupi ka lindur para tre vjetësh, fare rastësisht. U takuam në një dyqan veglash muzikore ku punonte njëri prej nesh ku, domosdo, shkonim gjithmonë. Aty në dyqan filluam të flisnim me njëri-tjetrin dhe kuptuam që idetë tona muzikore kishin shumë pika takimi. Menjëherë vendosëm të bëjmë një provë në studio live për të kuptuar nëse vërtet mund të funksiononim së bashku. Qe diçka që as vetë nuk e prisnim: shkoi shumë shumë mirë. Nga prova e parë punuam në studio së bashku e pas dy muajve dhamë koncertin e parë. E që atëherë nuk jemi ndalur më, kemi bërë gjithnjë koncerte. E kam parë vërtet shumë pak shtëpinë këto dy vitet e fundit.

Të gjithë anëtarët e grupit vinim me një eksperiencë të gjatë mbi shpatulla, prandaj edhe ia dolëm që të jepnim thuajse menjëherë koncerte, pasi e dinim se ç'ishte muzika live. Të kompozosh e të regjistrosh është një gjë, por të vësh në skenë këngën është tjetër gjë. Duhet respektuar një kohë, duhet interpretuar, duhen dhënë ngjyrimet e duhura, nuk mjafton të luash me saktësi pjesën në kitarë apo bas apo bateri. Duhet që të katërt të jemi në sintoni të plotë, si një trup i vetëm. Për të bërë këtë ose ke shumë eksperiencë ose je shumë me fat. Dhe unë mendoj që fati nuk ka të bëjë fare me rastin tonë.

Njeh artistë të tjerë shqiptarë në Itali?

Po kam njohur personalisht një grup në Firence që bënin rap, nuk di nëse janë akoma bashkë. Ishin një përzierje shumë interesante, shumë e bukur: kitaristi ishte maroken, dy këngëtarët shqiptarë dhe bateristi argjentinas, dhe bashkë krijonin diçka shumë të bukur, mbresëlënëse. Elsa Lila është, për shembull, këngëtare shumë e mirë, nga ana teknike është e shkëlqyer dhe ka një zë që më pëlqen shumë. Por unë kam shije të tjera artistike.

A mendon të shkosh të këndosh një ditë në Shqipëri?

Do të shkoj patjetër. Duhet një punë e madhe organizative, nuk është e thjeshtë pasi çdo gjë duhet të jetë në vendin e vet. Të ishte për mua merrja kitarën e shkoja, por është një strukturë e tërë që duhet të funksionojë. Besoj se koncerti është në brendësi të një festivali, që zgjat për 2-3 ditë.

Po për në festival të Tiranës a mendon të shkosh, në mos për të kënduar, për ta prezantuar siç kanë bërë Elsa Lila apo Alban Skënderaj?

Jo, jo, jo (qesh me të madhe). Nuk jam i zoti as të jap një intervistë jo më të prezantoj një festival të tërë. (Intervistoi Keti Biçoku. Botuar me shkurtime)

Dhu.Ha-Su.Fu/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?