Ermal Meta

Ermal Meta: ”Çelësi i Qytetit” në Bari hapi kujtimet e mia të ëmbla

30 Mars 2018, 17:32| Përditesimi: 30 Mars 2018, 21:12

  • Share

Fituesi i Sanremo-s, Ermal Meta do të marrë çmimin ”Çelësi i Qytetit”, nga kryetari i Bashkisë së Barit. Çmimi do t’i dorëzohet nga kryetari Antonio Decaro në datën 31 mars në orën 11:00 në Town Hall. Këngëtari Meta ka jetuar 20 vite në Bari, ku mbërriti kur ishte ende fëmijë.

Përveç kontributit që ka dhënë si artist, Ermal Metës i jepet çmimi dhe për motivacionin: Si fëmijë i larguar nga Shqipëria dhe që zhvilloi karrierën në shtetin italian.

Vetë Meta ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku është shprehur i nderuar, i prekur dhe natyrisht mirënjohës për këtë vlerësim.

“Ky çelës nuk hap dyer, por kujtimet e mia më të ëmbla e më të thella. Ju falënderoj nga zemra”, ka thënë këngëtari.

Kryetari i Bashkisë së Barit ka dhënë vlerësime maksimale për këngëtarin shqiptar, duke u shprehur: ”Ermal Meta u ka dhënë zë ndjenjave që na bashkojnë dhe na kujtojnë se e vetmja fe që nuk njeh kufinj është qenia e lartë njerëzore”.

Ky çmim i shkon atij për talentin e jashtëzakonshëm dhe suksesin e merituar që ka arritur falë personalitetit dhe stilit të tij të veçantë, thuhet në motivacionin e bashkisë.

 “Të flasësh për dhunën në familje apo për frikën nga atentatet terroriste nuk është e lehtë, por Ermali e bëri duke u dhënë zë ndjenjave me të cilat përballemi të gjithë e që na kujtojnë se i vetmi besim që nuk njeh kufij është ai i të qenët human”, thuhet në motivacion.
 

Ishte viti 1994 dhe isha 13 vjeç, erdha në një qytet që nuk e njihja. Kam takuar njerëz që nuk i kisha parë kurrë më parë dhe dëgjoja një gjuhë që nuk e flisja. Gjithmonë shikoja këmbët e mia kur ecja. “Mos merr ndonjë hap të gabuar”, i thosha vetes, gjithmonë shikoja këmbët e mia, dhe isha i kujdesshëm ku i vendosja. Mësova një gjuhë që nuk e dija dhe ngadalë fytyrat e të huajve u bënë miq. Qoshet e qytetit u bënë gjithnjë e më të njohura. Flisja pak, por ndjeja shumë.

Unë ecja duke parë këmbët e mia, e më dukej sikur në asfalt pasqyrohej qielli dhe vazhdimisht mendoja “çfarë do të bëhet me mua”? Atëherë hapat e mi një ditë u ndalën në dërrasat e drunjta dhe ngrita vështrimin. Isha në një skenë dhe dëgjova se ishte e vetmja gjë që doja të bëja, ky ishte i vetmi vend ku doja të isha. E dija çfarë do të ndodhte me mua , kështu që fillova të fluturoja lart.

Pas gjithë këtyre viteve qyteti i Barit më jep çelësat e tij dhe ndihem i nderuar dhe mirënjohës për t’i marrë ato. Ata nuk hapin dyer, por kujtimet e mia më të thella. Faleminderit shumë.

Reagimi i plote i Ermal Metës ne Facebook

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?