Foto ilustruese

ERE shqyrton fashat e reja të energjisë për furrat e bukës e pastiçeritë: Do bëjmë konsultime me grupet e interesit

2 Prill, 14:54| Përditesimi: 2 Prill, 14:57

  • Share

Enti Rregullator i Energjisë shqyrtoi kërkesën e Furnizuesit të Shërbimit Universal sh.a. për përcaktimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike për kategorinë e klientëve “Furra buke dhe/ose prodhim mielli”.

Diskutimi u fokusua tek 3 fashat e propozuara për furrat e bukës:

Çmimi i energjisë për furrat e bukës do jetë 7.6 lekë/kilovati.

Çmimi i energjisë për furrat e bukës që janë edhe pastiçeri do jetë 9.5 lekë/kilovat.

Çmimi i energjisë për furrat, që janë edhe pastiçeri por edhe kafe do të jetë 12 lekë/kilovat.

“Në kërkesën e FSHU thuhet se:- FSHU. sha është përballë vështirësive, pasi përfitojnë një çmim 7.6 lekë për kilovat orë, por në fakt nuk janë vetëm furra buke por edhe pastiçeri. Nga kontrollet e bërë nga FSHU është konstatuar se është abuzuar me këtë çmim nga bizneset nuk janë vetëm furra. Vitin e kaluar konsumi i energjisë nga furrat ishte 67 milionë kilovat dhe kostoja për FSHU përllogaritej 515 milionë lekë”, u tha nga relatori në mbledhjen e ERE. 

Pas këtij propozimi të bërë nga FSHU, Enti Rregullator i Energjisë nisi procedurat për shqyrtimin e kësaj kërkese, dhe kërkoi nga FSHU një analizë kosto përfitim. Pra sa do jetë kostoja për këtë kategorizim e furrave, si dhe sa do të jetë përfitimi i FSHU nga këto fasha të energjisë.

Po ashtu ERE tha se do të bëjë konsultime me palët e interesit, për këto propozime dhe më pas do të dilet me një vendim përfundimtar.

“Kërkesa në vetvete nuk ka të bëjë me rritje të çmimit për furrat e bukës, pasi furrat do vazhdojnë ta blejnë energjinë me të njëjtin çmim. Organizimi në 3 kategori vjen edhe për shkak të zhvillimeve në fushën e furrave, që nuk janë më vetëm furra por kanë edhe shërbime të tjera që ofrojnë”, tha relatori.

Pak ditë më parë drejtori i OSHEE, Enea Karakaçi tha se një kategorizim i tillë vjen për shkak të abuzimeve të identifikuara. Miratimi i këtyre fashave është në dorë të ERE, nëse do ti pranojë apo jo.

Aktualisht në vend operojnë 2600 furra buke dhe konsumi vjetor i energjinë arrin në 66 milionë kilovat, duke u kthyer në një nga konsumatorët më të mëdhenj në vend. Deri në miratimin e çmimeve nga Enti Rregullator i Energjisë, çmimi për të gjitha furrat do të jetë 7.6 lekë për kilovat.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?