Erdogan propozon referendum për të drejtën e mbajtjes së shamisë

2 Nëntor 2022, 17:34| Përditesimi: 2 Nëntor 2022, 17:40

  • Share

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka sugjeruar se ndryshimi kushtetues për të garantuar të drejtën për të mbajtur shaminë në shërbimin civil, shkolla dhe universitete duhet të vendoset përmes një referendumi.

Sipas sondazheve, mbështetja për Qeverinë e Erdoganit është duke rënë. Sondazhet e tjera tregojnë se pak turq e shohin shaminë e kokës si çështje debati, ndërkaq kritikët dhe opozita thanë se caku i vërtetë i ndryshimeve kushtetuese është komuniteti LGBT+.

“Nëse keni guximin, hajdeni, le ta vendosim këtë në një referendum. Lëreni kombin të marrë vendimin”, tha Erdogan, duke folur me liderin e partisë kryesore opozitare Kemal Kilicdaroglu, i cili fillimisht kishte propozuar një ligj për të garantuar të drejtën për të mbajtur shaminë në një përpjekje për të zgjidhur atë që ai tha se ishte “polarizimi i thellë”.

Shamia ishte në qendër të debateve në vitet 1990, por asnjë parti sot nuk propozon një ndalim në Turqinë me shumicë myslimane. Kjo temë është veçanërisht e rëndësishme për Erdoganin e devotshëm mysliman, partia qeverisëse e të cilit me rrënjë islamike hoqi një ndalim të gjatë për mbajtjen e hixhabit në institucionet shtetërore në vitin 2013. Çështja e shamisë ka dominuar debatin politik muajt e fundit përpara zgjedhjeve të përgjithshme në 2023, të cilat janë vendosur të jenë një nga sfidat më serioze për kontrollin dy dekadash të Erdoganit mbi Turqinë.

Si përgjigje, Kilicdaroglu të shtunën mbrëma hodhi poshtë idenë e një referendumi, duke akuzuar Erdoganin për “imitim” të liderit nacionalist hungarez Victor Orban, i cili është bërë ikona e së djathtës së fortë.

“A keni ndërmend të imitoni Orbanin, Erdogan? Nga e merrni referendumin?”, postoi ai në Twitter.

Gjithashtu edhe Kreu i CHP-së, Mustafa Kemal Ataturk kishte propozuar një ligj për të garantuar të drejtën për të mbajtur një shami për të lehtësuar çdo frikë se partia e tij do të rivendoste ndalimin.

“Ne kemi bërë gabime në të kaluarën në lidhje me shaminë. Është koha ta lëmë pas nesh këtë çështje”, tha Kilicdaroglu në fillim të këtij muaji.

Kilicdaroglu kërkon t’u tregojë votuesve fetarë se nuk kanë asgjë për t’u frikësuar nga zgjedhja e partisë së tij laike vitin e ardhshëm, thonë ekspertët.

Debati mbi shaminë në Turqi është ndezur kohët e fundit përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit të ardhshëm. Turqia ka qenë prej kohësh një vend ku mbajtja e shamisë ishte e ndaluar në institucionet publike. Por kufizimet mbi mbulesën u hoqën në vitin 2013 nga qeveria konservatore e Erdoganit.

Presidenti turk shpesh e portretizon veten si mbrojtës i myslimanëve kundër “elitave” laike, duke sugjeruar se pa të, “fitimet” si heqja e kufizimeve të shamisë do të rrezikohen. Edhe pse shamia shkaktoi debat të ashpër, asnjë lëvizje politike nuk propozon tani një ndalim të saj në Turqi. Në korrik 2008, Gjykata Kushtetuese rrëzoi një përpjekje të partisë qeverisëse AK të Erdoganit për të hequr ndalimin e shamisë në universitete me arsyetimin se ishte kundër laike.

Bashkëshortja e Erdoganit, Emine Erdogan, njihet për mbajtjen e shamisë gjatë kohës, kur e shoqëron të shoqin në fushata elektorale dhe gjatë funksioneve zyrtare. Emine Erdogan ka mbështetur hapur zërat e grave konservatore, duke nderuar si aktivisten Sule Yuksel Senler, për të cilën ajo tha se ishte “një figurë kryesore e kauzës së shamisë që i kushtoi jetën e saj për të rritur ndërgjegjësimin e të rinjve” pas vdekjes së Senlerit në vitin 2019.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?