'Erdha me këmbët e mia në Shqipëri', Bruno Çobo del para togave të zeza: Nuk më esktraduan nga Dubai

14 Mars, 11:00| Përditesimi: 14 Mars, 21:35

  • Share

Bruno Çobo, i deportuar të mërkurën nga Emiratet e Bashkuara Arabe, doli këtë të enjte para Gjykatës së Posaçme. Togat e zeza i komunikuan masën e arrestit në burg që ishte marrë në mungesë, sa i takon përfshirjes së tij në rrjetin kriminal të mashtrimeve me vlerë 4.7 milion euro ndaj shtetasve italianë përmes platformave të “call center”. Në sallën e gjyqit, Bruno Çobo tha se ka udhëtuar i vetëm me vendimin për t’u vetëdorëzuar.

“Erdha me këmbët e mia në Shqipëri. Nuk më ka shoqëruar asnjë autoritet i Emirateve apo Dubait. Erdha në Rinas dhe në pikën e kalimit, iu komunikova se kush jam dhe cili ishte qëllimi i ardhjes time. U njoftuan shërbimet dhe më shoqëruan. Madje më ngjitën në avion edhe një herë”, ka deklaruar ai.

Bruno Çobo rezulton t’i ketë dërguar nëpërmjet postës, Zyrës së Interpol Tirana, një kërkesë ku i kërkon që të vetë dorëzohet e t’i krijohen kushtet për tu kthyer në Shqipëri.

Sipas Policisë së Shtetit, 28-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u lokalizuar në Abu Dhabi, pas shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tiranës, Policisë Kriminale dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me kërkesë të tij është kthyer në Shqipëri, ndërsa INTERPOL Abu Dhabi, njoftoi homologët në Tiranë për një ekstradim të thjeshtuar, njësoj si në këtë dokument të siguruar një ditë më parë nga Report Tv.

Në janar të këtij viti SPAK dërgoi në GJKKO për gjykim dosjen në ngarkim të Çobos dhe 16 anëtarëve të tjerë të grupit, të cilët përmes “call center” në Tiranë kontaktonin italianët për të investuar në bursa, por që në fakt paratë përfundonin në xhepat e tyre.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?