Enver Robelli: 21 vjet, një premtim të cilit më 2024 nuk i beson gati askush në Ballkan

11 Qershor, 09:02| Përditesimi: 11 Qershor, 09:11

  • Share

Më 21 qershor 2003, Bashkimi Europian u premtoi vendeve të Ballkanit anëtarësimin. Me përjashtim të pranimit të Kroacisë, që nga atëherë realisht s’ka ndodhur asgjë sa u përket integrimeve evropiane. Premtimi i para dy dekadave është shndërruar në fjalë boshe. Është koha të thuhet hapur se në BE nuk ka gatishmëri për integrimin e vendeve të Ballkanit

Moti ishte i bukur dhe i ngrohtë më 19 qershor 2003, por Ibrahim Rugova ende bartte shallin e tij të famshëm, kur erdhi, si lider politik i Kosovës, në Hotelin Porto Carras afër Selanikut për të marrë pjesë në Samitin treditor të shteteve anëtare të BE-së me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit. Afër tij qëndronte, si rojtar, Michael Steiner, një diplomat gjerman, i cili atëbotë drejtonte misionin e OKB-së në Kosovë, të njohur si UNMIK. Gjurma e vetme reale që Steiner si shef i 9000 punëtorëve të UNMIK-ut la në Kosovë ishte përralla që arriti ta plasojë edhe në një gazetë gjermane se e kishte “bashkuar Mitrovicën” me një plan prej shtatë pikash. Letra e gazetës është zverdhur, Steineri ka dalë në pension, Ibrahim Rugova ka ndërruar jetë.

Ka mbetur vetëm premtimi i Porto Carrasit mbi integrimin dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian. Hoteli Porto Carras, i projektuar nga arkitekti i famshëm gjerman Walter Gropius, ende pret turistë, por tashmë ka ndërruar pronarin: më 2020 e ka blerë sipërmarrësi ruso-grek Ivan Ignatjeviq Savidi. Simbolikë më të fuqishme për boshllëkun e premtimit të BE-së për vendet e Ballkanit zor se mund të gjendet: hoteli ku u dha premtimi tash është në duart e një investitori rus.

Garancia e liderëve europianë se e ardhmja e vendeve të Ballkanit është në BE, gjendet në dokumentin përfundimtar të Samitit të mbajtur në Porto Carras. Premtimi i madh ishte dhënë tre muaj pasi në Beograd ishte vrarë kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq. Në vitet në vijim do të thuhej nga burokratët e BE-së se është gjetur edhe viti shumë simbolik për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE: më 2014, në 100-vjetorin e atentatit të anarkistëve serbë ndaj trashëgimtarit të fronit austrohungarez Franz Ferdinand gjatë vizitës së tij në Sarajevë më 28 qershor 1914.

Më 1 korrik 2013 në BE u pranua Kroacia. Realisht diçka tjetër s’ka ndodhur në dy dekadat e fundit sa i përket integrimit të Ballkanit në BE. Ok, janë hequr vizat për Zonën e Schengenit, por këtu nuk bëhet fjalë për integrim, më shumë kemi të bëjmë me një të drejtë njerëzore për lëvizje të lirë. Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia (e Veriut) janë anëtarësuar në NATO, por kjo më shumë është meritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sesa vizion i europianëve.

Kur kaloi viti 2014, nisi të përmendej një vit tjetër: thuhej se Mali i Zi dhe Serbia do të anëtarësohen në BE në vitin 2025. Jemi gjashtë muaj para vitit 2025. Përkundër përkëdheljes shumëvjeçare nga Brukseli dhe miliardave të dhuruara, Serbia ka bërë hapa pas dhe prej vitesh është shndërruar në faktor destabiliteti në pothuaj të gjitha vendet fqinje. Udhëheqja serbe madje ka arritur ta “serbizojë” një pjesë të politikës së Brukselit: komisionari për zgjerim, një aparatçik nga Hungaria, vepron si të ishte i deleguar i Beogradit në kryeqendrën e BE-së. Më 2023 Charles Michel, kryetar i Këshillit Evropian, e përmendi një vit tjetër: deri më 2030, sipas tij, shtetet e Ballkanit do të duhej të ishin pjesë e BE-së. “Kjo është ambicioze, por e domosdoshme”, tha ai.

Kjo politikë e BE-së ka pasoja. Në Serbi dhe Shqipëri liderët autokratë janë forcuar aq shumë edhe për shkak se BE-ja ka krijuar një aleancë me ta. Korrupsioni, krimi i organizuar, qeverisja e keqe, shfrytëzimi i resurseve kombëtare për interesa të elitës sunduese - kjo nuk e pengon gati askënd në Bruksel. Në Maqedoni së fundi fituan nacional-konservatorët e VMRO-së me një agjendë skeptike ndaj BE-së. Fitorja e VMRO nuk ishte befasuese. Pasi e ndërroi emrin, Maqedonia tashmë e Veriut priste me të drejtë përshpejtimin e integrimit në BE. Njëherë bllokoi Franca (dhe viktimë e kësaj bllokade ishte edhe Shqipëria), mandej Bullgaria paraqiti një sërë kërkesash shantazhuese ndaj Shkupit, të cilat në thelb synojnë mohimin e identitetit nacional maqedonas. Mësimi që nxorën politikanët e VMRO-së në Shkup ishte ky: ju mund të plotësoni të gjitha kërkesat e BE-së, por në fund do të ballafaqoheni me kërkesa të reja.

Nëpër një përvojë të tillë kaloi edhe Kosova, e cila ndonëse i plotësoi të gjitha kushtet, nuk u pranua në Këshillin e Europës. BE nuk i ka fajet, kështu tentoi t’i lajë duart shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, një burokrat çek me sharmin e frigoriferit të zbrazët. Kjo deklaratë e tij është tallje me qytetarët e Kosovës, të cilët qenë dëshmitarë se si tri shtetet më të rëndësishme të BE-së - Gjermania, Franca dhe Italia - e kushtëzuan pranimin e Kosovës me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të draftit të asociacionit të komunave serbe të shkruar nga diplomati sllovak, Mirosllav Lajçak. Kjo lojë cirku tani për tani mori fund. Por cirku vazhdon. Mund të dalë ndonjë burokrat i BE-së e të thotë: ndoshta në vitin 2040 Ballkani bëhet pjesë e BE-së. Është koha të thuhet hapur se në BE nuk ka gatishmëri për integrimin e vendeve të Ballkanit. Një argument që përmendet shpesh është ky: nëse BE-ja i pranon vendet e Ballkanit, ato vetëm do të marrin miliarda nga arkat e Brukselit dhe nuk do të paguajnë asnjë euro. Por zhvillimi ekonomik që mundëson hyrja në BE në perspektivën afatgjatë mund të shndërrojë vendet e reja anëtare në kontributdhënëse. Kjo nuk ndodh brenda natës, por ka vende që kanë hyrë në BE dhe janë në rrugë të mirë për t’u bërë kontributdhënëse, pasi me vite kanë marrë miliarda nga Brukseli. Një argument që përmendet jopublikisht është se Franca nuk dëshiron zgjerimin e BE-së, sepse frikësohet se kësisoj epiqendra e BE-së do të anojë edhe më shumë nga Evropa Lindore dhe rrjedhimisht, do të rritet ndikimi i Gjermanisë si shtet tradicionalisht më i afërt me Ballkanin se Franca, e cila ka dalje në Oqeanin Atlantik, pra është larg Prishtinës e Podgoricës. Pa marrë parasysh besueshmërinë apo jo të argumenteve të tilla, e vërteta e hidhur është kjo që është: s’ka zgjerim të BE-së! /Koha

 

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?