Eno Peçi në Vjenë, balet
me këngën e Aurela Gaçes

27 Prill 2013, 05:10| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Premiera e baletit “Herzblume” ngjitet sot në teatrin e Operës së Vjenës me koreografi dhe muzikë të përpunuar nga Eno Peçi. Rrëfimi i koreografit: “Drejtori Manuel Legri më dha lirinë që të bëja çfarë të doja”

E vështirë për ta intervistuar sa do të dëshironim. “Kërkoj ndjesë, por jam tërë ditën në teatër..”, thotë balerini i famshëm shqiptar Eno Peçi, duke na falënderuar që jemi interesuar për një nga arritjet e tij të radhës. Eno Peçi, pas sukseseve të njohura në skenat botërore si balerin, prej 3 vjetësh ka filluar të bëj koreografi moderne.

Dhe ja këtë herë, siç shprehet edhe ai vetë, iu dha shansi që të bëj një pjesë për Teatrin e Operës dhe Baletit të Vjenës. Një koreografi që do të jetë vetëm 30 minuta e gjatë, por jo aq e lehtë sa mund të mendohet. Premiera është një eksperiment i guximshëm që vihet përballë publikut sqimatar vjenez. Balerini i njohur, tashmë koreograf, me këtë premierë merr në dorë trupën e Teatrit të Vjenës.

Vështirësia për një koreograf të talentuar nuk është te drejtimi dhe orientimi i trupës, por tek bindja dhe mirëbesimi që ka krijuar te eprorët për të bashkuar pjesët muzikore të autorëve të njohur Fhillip Glass-it, “Openning” dhe Ernesto Cortazar-it, “Beethovven's Silence”, pastaj e bënë edhe një pjesë të muzikës së vetë.

E sikur të mos mjaftonte kjo, vjen sfida më e re, Eno Peçi eksploron me ide të reja, fut në pjesën tjetër të baletit muzikën e një këngë shqiptare, kënduar nga këngëtarja shqiptare Aurela Gaçe. Kënga titullohet “Venë me këmbë e vijnë pa kokë”. “Muzikën e kam përpunuar unë”, thotë Eno.

Të gjitha këto numra koreografikë janë ngritur mbi bazën e fantazisë së maestros shqiptar, Eno Peçit, i cili ngjit sot premierën e baletit “Herzblume” në operën e Vjenës. Siç do të shohim nga intervistat, Eno Peçi në këtë premierë duket se është bërë zot i gjithçkaje, i trupës së balerinëve, i muzikës, ndriçimit. “Kam bërë vetë dhe ndriçimin gjithashtu:”, thotë ai për “Shqiptaraja.com”.

Po cila është ideja e kësja vepre dhe pse ka ngulmuar ta ngjis në skenë balerini Eno Peçi. “Ideja ka të bëjë me lidhjen e Nënës dhe Fëmijës. Me mërgimin pak a shumë... “, thotë Eno Peçi, megjithëse motivin e kësaj premiere e ka shpjeguar në një intervistë që ka dhënë në Vjenë para disa ditësh.

Pak para premierës Eno Peçi gjen megjithatë pak kohë për të na treguar motivin e futjes së muzikës shqiptare në veprën e tij. Premiera e baletit “Herzblume” do të ngjitet sot në orën 19:00 në teatrin e Operës së Vjenës me koreografi dhe muzikë të përpunuar nga Eno Peçi.

Eno, ishte zgjedhja juaj tema e mërgimit për baletin që do të ngjisni në skenë me trupën e balerinëve të Operës së Vjenës?
-Zgjedhja ishte totalisht imja, pasi drejtori i operës dhe baletit të Vjenës, Manuel Legri, më dha lirinë që të bëja çfarë të doja...

Pse zgjodhët këngën e Aurela Gaçes. Çfarë ndikimi ka ajo këngë tek ju kur e dëgjoni?
-Ai titull i këngës dhe teksti thotë gjithçka për idenë që kam unë për koreografinë.. sidomos titulli i kësja kënge “Venë me këmbë dhe vinë pa kokë”, ka një ndikim të fortë. Pjesën koreografike që e kam nesër (sot) do t’ia kushtoj gjyshes sime, Fatime Arapi, që vdiq sot, vetëm pak orë para se unë të ngjis në skenë shfaqjen.

Ngushëllime për gjyshen! Si e ke ndjerë ti vetë largimin nga Shqipëria për të bërë një karrierë më të mirë si balerin?
-Largimi për mua nuk ishte i lehtë, sepse ishin vitet 1997-1998.. Kështu që edhe u detyrova që të ikja nga Shqipëria për një të ardhme më të mirë, pavarësisht që prindërit nuk ishin edhe shumë dakord (mamaja më donte pranë ). Por sigurisht si të gjithë prindërit ata edhe donin që të kisha një të ardhme të mirë... Kështu që kur u ndamë, në atë kohë unë isha me një turne për në Itali me valle popullore për 4-5 ditë, u takuam me mendimin se do të shiheshim për 5 ditë përsëri. Por unë nuk u ktheva, mora trenin dhe shkova drejt Austrisë... Kështu që fillova një jetë tjetër, pothuajse nga fillimi.. Dhe isha 15-16 vjeç.

Cilat janë pjesët koreografike më të fundit që keni ngjitur në skenë? Si janë pritur nga bashkëpunëtorët tuaj?
-Pjesa e fundit që kam vënë në skene ishte vitin e kaluar “Exitium” dhe është pritur shumë mirë në një nga skenat këtu në Vjenë. Pastaj dhe një pjesë tjetër “Cut”, “Modus” dhe shume Solo performance për gala baleti... Duket se bashkëpunëtorëve të mi kjo iu pëlqen dhe janë të interesuar në stilin që përdor unë në koreografitë e mia..

Eno, ju edhe në Shqipëri jeni bërë shumë i njohur. E ke zbuluar tashmë se cili është sekreti i sukseseve të tua në skenat e mëdha botërore?
-Sekreti. .. : Mbase ne shqiptarët jemi shumë ambiciozë. Jemi të disiplinuar dhe i bëjmë punët me qejf, edhe për çka i përket Artit, por një gjë është që në Shqipëri nuk e kemi pasur fatin ta vëmë në dukje këtë veti...

KRITIKA

Eno Peçi, ndryshon faqen e koreografisë në Operën e Vjenës
Eno Peçi si rrallë herë ndonjë artist është shoqëruar me artikuj të plotë të kritikës vjeneze së artit. Kritika e ka vlerësuar atë, jo vetëm si kërcimtar, balerin, por edhe si koreograf me një fantazi të gjerë krijuese.

Në një artikull kritik me titull “E fshehta e mjekrës blu”, për premierën “Mjekra blu” të Stephan Thoss, e cila u dha më 17 janar 2012, ku rolin e Mjekrës Blu e kërcente vet Eno Peçi, portreti i balerinit shqiptar vizatohet në këtë mënyrë: “Në premierën e “Mjekrës blu” të Stefan Thoss në Teatrin e Operës së Vjenës, pothuaj të gjithë rolet kryesore ishin marrë nga balerinë të rinj.

Kështu Eno Peçi luan personazhin e Mjekrës Blu, tipit të mbyllur që kontraston fuqishëm me Daniele Daton, që luan Alter Egon. Eno Peçi është një kërcimtar me ndjenjë, një artist i cili mund të flas edhe me supet, me çdo lëvizje të kokës, me çdo përkulje të trupit.

Mjekra e tij blu vuan në të shkuarën e tij të zymtë, një i përvuajtur i cili me çdo qelizë të trupit të tij ngrihet rreth dashurisë së tij dhe mirëbesimit. Ndërsa artikulli që mban datën 23 prill 2013 “Krijimi dhe tradita” nuk është gjë tjetër veçse një përshkrim i gjenialitetit të një koreografi që bënë gjithçka për të arritur më të mirën, këtë herë në skenën e artit modern.

Gjatë përshkrimit me superlativa të portretit të tij si balerin dhe koreograf përmendet edhe kontributi që ka dhënë Eno Peçi për të ndryshuar traditën në Teatrin e Operës së Vjenës. “Baletit shtetëror i Vjenës po shkon në krijimin e një tradite moderne me një koreografi të re..

András Lukács, Andrey Kaydanovskiy dhe Eno Peçi do të ndryshojnë faqen e koreografisë dhe ajo që është e rëndësishme për ata është të vallëzosh me zemër”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?