Endrit Braimllari

Endrit Braimllari: Tirana e 17 në botë për ajrin e ndotur, Veliaj po ‘helmon’ qytetarët

27 Dhjetor 2022, 09:13| Përditesimi: 27 Dhjetor 2022, 09:36

  • Share

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimallari thotë se Tirana renditet si qyteti i 17 në botë për ndotjen e ajrit. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Braimllari shkruan se Veliaj po helmon qytetarët dhe sipas tij ndërtimet pa leje dhe trafiku i rënduar kanë sjellë ndotjen e ajrit në Tiranë.

“Veliaj helmon qytetarët, Tirana e 17 në botë për ajrin më të ndotur Tirana renditet në vendin e 17 në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Sipas “IQair”, një faqe e specializuar në matjen e cilësisë së ajrit në botë, ditën e djeshme ajri në kryqytetin shqiptar kishte 159 mikrogram në metër kub të grimcave PM2.5.

Për të gjithë ata që nuk e dine, PM2.5 janë grimcat e imëta ndotëse të thithshme me një diametër më të vogël se 2.5 mikrometra që mund të hyjnë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut, që shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, kryesisht në mushkëri dhe në zemër.  Thënë ndryshe përqendrimi i PM2.5 në Tiranë është aktualisht 14.3 herë më shumë se vlera e udhëzimit vjetor të cilësisë së ajrit të OBSH-së”, shkruan Braimllari.

Braimllari thotë se vetëm për këtë vit, Bashkia e Tiranës ka dhënë më shumë se 1800 leje ndërtimi. Ai shton se Bashkia nuk i ka dhënë zgjidhje trafikut të rënduar.

“Shkaktarët kryesor të ndotjes së ajrit në Tiranë janë padyshim ndërtimet pa kriter dhe trafiku i rënduar. Për të dyja përgjegjësia bie mbi Bashkinë e Tiranës, e cila vetëm në 2021 dha më shumë se 1800 leje ndërtimi, ndërsa betonieret dhe makinat e rënda vijojnë të helmojnë qytetarët me ajrin e ndotur.

Ndonëse ka gati 8 vite në krye të Bashkisë, pinoku i Tiranës gjithashtu nuk i ka dhënë asnjë zgjidhje trafikut, teksa makinat qëndrojnë çdo ditë me orë të tëra të bllokuara në rrugë. Madje situata është rënduar akoma më shumë në 4 vitet e fundit, teksa Veliaj në vend që të zgjeronte rrugët dhe të krijonte rrugë të reja, ka bërë të kundërtën, i ka ngushtuar ato, ndërsa nuk ka dhënë asnjë zgjidhje as për transportin urban”, përfundon Braimllari.

Fotoja e postuar nga Braimllari

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?