Arrestohet në Vlorë me armë farmacisti i spitalit të Traumës! Ish-komandos së ushtrisë iu gjetën këllëfë pistolete e veshje kamuflazhi (VIDEO)

5 Tetor 2023, 09:20| Përditesimi: 5 Tetor 2023, 15:31

  • Share

VLORË- Një ish-komando i ushtrisë shqiptare, 38-vjeçar, aktualisht farmacist në Spitalin e Traumës, u arrestua nga policia e Vlorës pasi lëvizte në qytet i armatosur. I riu Enron Sejdini u kap në flagrancë me një pistoletë “Bereta” dhe një krehër me fishekë teksa ishte duke lëvizur në këmbë në rrugën “Hajro Çakërri”. Policia kishte marrë më herët informacione se Sejdini, i cili banonte dhe punonte farmacist në Tiranë dhe me origjinë nga Fieri, sapo kishte ardhur në Vlorë i armatosur dhe organizoi punën për kapjen e tij.

Report Tv mëson se 38-vjeçari Enron Sejdini ka qenë me herët pjesë e forcave “komando”, por është larguar nga shërbimi prej disa vitesh. Të njëjtat burime bëjnë me dije se i riu dyshohet se shoqërohej me njërin prej grupeve kriminale që bazën e ka në qytetin bregdetar ku edhe u arrestua. Mbetet e paqartë arsyeja që ai ka shkuar i armatosur në Vlorë, por burimet thonë se po hetohet në këtë drejtim nëse do kryente ndonjë vepër penale.

Paralelisht me operacionin në Vlorë, policia në Tiranë kreu kontroll në banesën e ish-ushtaraku në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, pranë zonës së “21 Dhjetorit”, ku gjeti dhe sekuestroi edhe 2 këllëfë pistolete dhe veshje kamuflazhi, si ato të ushtrisë. Nuk dihet nëse këto veshje ishin me qëllim përdorimi për aktivitete kriminale, apo të mbetura që prej kohës që ai ka qenë pjesë e forcave “komando”. Ndaj 38-vjeçarit është formuluar akuza “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?