Emrat e kandidatëve që duan
të drejtojnë Teatrin Kombëta

10 Dhjetor 2013, 07:11| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Një gjendje e tensionuar vihet re mes artistëve të Teatrit Kombëtar pas shkarkimit të drejtorit Kristaq Skrami. Ajo që e rrit më shumë ankthin është edhe reforma e pritshme e shpallur nga Ministria e Kulturës për mënyrën si do të kontraktohen artistët që do të punojnë për Teatrin Kombëtar. Jo pak artistë mendojnë se nëse kanë njohje të afërt me drejtorin e ri mund të ketë edhe një lloj zgjidhje të situatës personale të punësimit. 

Po kush do ta drejtojë Teatrin Kombëtar? Ndërsa nuk ka mbaruar ende afati i aplikimeve, gazeta mëson emrat e tre konkurrentëve më të fortë, të cilët duken se janë më afër kritereve të shpallura nga Ministria e Kulturës, ku ndër to theksohet edhe “që të dëshmojë përvoja ndërkombëtare”.

Kanë aplikuar për drejtor të Teatrit Kombëtar aktorja Luli Bitri, aktori e regjisori Laert Vasili, si dhe aktori dhe regjisori i njohur Hervin Çuli. Luli Bitri u bë e famshme për çmimet edhe vlerësimet që ka marrë në Itali për rolin e saj në filmin “Dimmi che destino avrò” (Më thuaj çfarë fati do të kem). Është vlerësuar me çmimin Napoli Cultural Classic për Kinematografinë, por edhe me çmimin “Aktorja më e Mirë”, si dhe një çmim special “Sorellanza 2013” për kontributin e saj në favor të grave të etnisë rome. Luli Bitri ka ardhur në Shqipëri si protagoniste e dy filmave më të rinj shqiptar, premierën “Ada” dhe “Bota” që po xhirohet rishtas. Laert Vasili prej 14 vjetësh punon si aktor e regjisor në Greqi.

Me shfaqjen “Emigrantët” u vlerësua me çmimin e parë të regjisë në Festivalin Ballkanik 2005-s. Me shfaqjen “Një në dhjetë” u vlerësova “Mess Future Prize” në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevos në 2008-n, duke përfaqësuar Greqinë. Ndërsa aktori dhe regjisori Hervin Çuli është i njohur si një ndër artistët më të angazhuar në Shqipëri me projekte dhe premiera.

Karriera e tij si aktor dhe regjisor është e mbushur me dhjetëra çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Disa aktorë ngjisin në krye të listës së konkurrencës aktoren Luli Bitri, duke menduar se qeveria e re do ta shtojë listën e grave në drejtim (kthyer në risi) por edhe prej kriterit “të dëshmojë përvoja ndërkombëtare”. Ndërkohë artistë e dramaturgë të njohur shprehen për gazetën se do të vijojnë të bëjnë aplikime deri në datën 26 dhjetor ku mbyllet zyrtarisht fati i këtyre aplikimeve. 

Shkrimi u publikua sot (10.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?