Avokati i arrestuar dhe gazetari i vrarë Jamal Khashoggi

Bota

Emiratet e Bashkuara Arabe arrestojnë avokatin amerikan të gazetarit të vrarë Khashoggi me akuza për pastrim parash

17 Korrik 2022, 18:50| Përditesimi: 17 Korrik 2022, 19:00

  • Share

Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arrestuar një qytetar amerikan dhe një avokat për të drejtat civile, i cili më parë ka shërbyer si avokat i gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi , sipas një zyrtari dhe një grupi të të drejtave me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar i qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe konfirmoi për agjencinë e lajmeve Reuters të shtunën se Asim Ghafoor u arrestua gjatë tranzitit përmes aeroportit të Dubait më 14 korrik, pas një dënimi në mungesë për pastrim parash.

Një zyrtar amerikan më herët të shtunën tha se Uashingtoni ishte në dijeni të arrestimit, por nuk mund të thoshte nëse presidenti Joe Biden do ta ngrinte këtë çështje në bisedimet dypalëshe me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe në margjinat e një samiti arab në Arabinë Saudite.

“Nuk ka asnjë indikacion që ka të bëjë me çështjen Khashoggi”, tha zyrtari amerikan.

Khashoggi u vra nga agjentët sauditë në vitin 2018 në konsullatën e mbretërisë në Stamboll në një operacion që inteligjenca amerikane thotë se ishte miratuar nga Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman (MBS).

Grupi i të drejtave Democracy for the Arab World Now (DAWN), anëtar i bordit të të cilit është Ghafoor, tha në një deklaratë të premten se avokati i të drejtave civile me bazë në Virxhinia ishte rrugës për në Stamboll për të marrë pjesë në një martesë familjare kur u arrestua. Zyrtari i Emirateve i tha Reuters se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pranuar një kërkesë nga ambasada e SHBA për të kryer një vizitë konsullore në Ghafoor. Ai shtoi se meqenëse gjyqi fillestar u mbajt në mungesë, Ghafoor lejohet të kërkojë një rigjykim.

“Është pranuar dhe aprovuar një kërkesë, me ç’rast çështja është rihapur dhe procedurat përkatëse ligjore janë duke u zhvilluar”, tha zyrtari.

DAWN citoi zyrtarë konsullorë amerikanë të thonë se avokati po mbahej në një objekt paraburgimi në Abu Dhabi. Grupi tha gjithashtu se Ghafoor nuk kishte njohuri për ndonjë çështje ligjore kundër tij.

Ai tha se dënimi ishte marrë "pa proces të rregullt" dhe bëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

Grupet globale të të drejtave thonë se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë burgosur qindra aktivistë, akademikë dhe avokatë në gjyqe të padrejta me akuza të gjera.

Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë hedhur poshtë akuzat si të pabaza, duke thënë se janë të përkushtuara ndaj të drejtave të njeriut./Përktheu nga Al Jazeera, Shqiptarja.com

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?