Emigrantët shqiptarë përdorin nënat shtatzënë për të siguruar leje qëndrimi në Britaninë e Madhe, avokat Hasani: Skemë mashtrimi, ja penalizimet nëse kapeni

3 Prill, 12:53| Përditesimi: 3 Prill, 15:46

  • Share

Media britanike “The Sun” zbuloi një truk të ri të trafikantëve të qenieve njerëzore që duan të shkojnë në Britani. Ata ofrojnë lidhje mes grave shtatzëna atje dhe emigrantëve shqiptarë, të cilët duke i regjistruar bebet me atësinë e mbiemrin e tyre, mund të përfitojnë dokumente.

Avokati shqiptar në Britaninë e Madhe, Naim Hasani shpjegon për Report Tv pasojat me të cilat mund të përballen personat që përfshihen në këtë skemë, përfshirë dhe emigrantët shqiptarë. Ai thekson se kjo është totalisht një skemë mashtrimi, përmes së cilës përfitojnë trafikantët e qenieve njerëzore.

Për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, avokati thekson se është vepër penale të marrësh leje qëndrimi në Britani të Madhe përmes mashtrimit. Avokati shpjegon se nëse një emigrant shqiptar zbulohet se ka mashtruar gjatë kohës që ka aplikuar për leje qëndrimi, ajo i refuzohet. Ndërsa në rastet kur leja e qëndrimit është marrë përmes mashtrimit, ajo i hiqet menjëherë dhe shqiptarët detyrohen të largohen nga Britania e Madhe.

“Abuzimet me ligjin e emigracionit në Britani nuk janë të reja jo vetëm për shqiptarët, por për çdo lloj komuniteti. Ka pasur mënyra të ndryshme. Tipike për shqiptarët ka qenë gjatë viteve 90 kur shqiptarët u vendosën në Britani dhe një pjesë e madhe e tyre pretenduan se ishin nga Kosova dhe po largohen nga lufta. Shumë pak e menduan që autoritet e emigracionit do viheshin në lëvizje dhe sot ka 17 vite që çështja për shqiptarët që kanë deklaruar se janë nga Kosova nuk pushon së reshturi.

Edhe kjo vepër e elementëve kriminalë, që tentojnë të përfitojnë me njerëz fatkeq që vijnë për një jetë më të mirë. Është mashtrim, vepër e dënueshme. Të marrësh në Britani leje qëndrime me mashtrim është vepër kriminale dhe mund të ndiqesh penalisht. Dhe e dyta nëse një person zbulohet, nëse ka aplikuar, nuk e merr të drejtën për të qëndruar në Britani dhe nëse zbulohet se ka marrë leje qëndrimi përmes mashtrimit, kjo leje hiqet. E treta nëse tentohet që me marrëveshje të paligjshme t’i jepet shtetësia një fëmije me prind fiktiv dhe regjistrohet emri në certifikatën e lindjes dhe ky fëmijë bëhet shtetas britanik, nëse autoritet britanike e zbulojnë, ky person s’do jetë kurrë shtetas britanik. Mendo që ka lindur sot dhe pas 20 vitesh të dalë e vërteta dhe të mbetet pa asnjë lloj statusi në Britani”, tha Hasani në Report Tv.

Jo vetëm emigrantët shqiptarë, por edhe nënat britanike përballen me pasoja nëse përfshihen në një skemë të tillë, shpjegon avokati.

“Ato që ndihmojnë këtë person , mund të përgjigjen penalisht. Kur bën aplikim për pasaportë britanike deklaron para nëse informacioni është i rremë. Dënimi mund të jetë 6 muaj burg ose gjobë. Nëse vërtetohet se ka qenë mashtrim përballesh me pasojat”, thekson avokati Hasani.

Në fund avokati e ka një thirrje për të gjithë shqiptarët që mos të bien pre e skemave të tilla mashtruese.

“Nuk është rruga e  duhur kjo, është e paligjshme. Bien viktimë e kriminelëve që përfitojnë shuma marramendëse”, apelon Hasani.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?