Emigrantët kthehen për festa, 5 tragete në ditë nga Bari e Ankonat! Porti i Durrësit masa për fluksin, 20 pika kontrolli në terminal

21 Dhjetor 2023, 16:40| Përditesimi: 22 Dhjetor 2023, 02:13

  • Share

Durres - Festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri rikthejnë emigrantët pranë familjeve të tyre. Për këtë arsye, porti i Durrësit ka marrë masa për rritjen e kapaciteteve. Gjithashtu tragetet e linjës Durrës-Bari nisin lundrimet e dyfishta për të përballuar fluksin e udhëtarëve.

“Dy tragete kanë ardhur në mëngjes nga Bari dhe kanë sjellë mbi 2 mijë pasagjerë dhe dy tragete të tjerë pritet të vijnë në mbrëmje. Ndërsa të premten dhe të shtunën do të mbërrijnë 5 tragete të linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona”, tha Kapiteni Portit Durrës, Tauland Allka.

Ndërsa në terminal janë hapur 20 pika për kontrollin e pasaportave në mënyrë që të mos krijohen radhë pritjeje.

Në ndryshim nga muajt e verës, pritet një fluks më i vogël udhëtarësh i cili do të jetë i përqendruar në hyrje përgjatë 10 ditëshit të fundit të këtij viti, ndërkohë që në ditët e para të janarit pritet të nisë fluksi në dalje.

Rreth 770,000 pasagjerë dhe 265,000 automjete kanë udhëtuar nga porti i Durrësit përgjatë 11 muajve të vitit 2023. Përgjatë periudhës janar-nëntor janë regjistruar 24,922 pasagjerë më shumë se 11 mujori i vitit paraardhës.

Tragetet gjatë periudhës Janar-Nëntor 2023 kanë kryer gjithsej 919 lundrime me linjat nga Porti i Durrësit drejt Barit, Ankonës dhe anasjelltas, duke kryer kështu 35 lundrime më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022.

Në prag te festave ka një rritje të lehtë te fluksit edhe në Portin e Vlorës, aty ku mbërrin çdo ditë trageti nga porti i Brindizit. Këtë të enjte erdhën 256 pasagjere dhe 60 automjete, ndërsa në ditët në vijim pritet të ketë rritje, tha Festim Skendaj Shef i përpunimit te trageteve. Aktualisht operohet me dy tragete ne linjën Vlore- Brindisi.  

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?