Ëmbëlsirë festive/ Trung krishtlindje nga zonja Albana

23 Dhjetor 2022, 11:18| Përditesimi: 23 Dhjetor 2022, 11:19

  • Share

Ëmbëlsirë festive / trung krishtlindje

Përbërësit:

Për bazën e biskotës:

  • 100 gr miell 00
  • 5 vezë
  • 120 gr sheqer
  • 10 gr mjaltë
  • 1 bustinë vanilje
  • 1 majë luge kripë

Për kremin mbushës:

  • 300 gr pana
  • 200 gr çokollatë fondente

Për pjesën e dekorit:

  • Çokollatë fondente

Përgatitja:

Për brumin e biskotave ndajmë të verdhat nga të bardhat. Të verdhat i vendosim në një enë bashkë me 80 gr sheqer dhe pak kripë. I rrahim për disa minuta dhe më pas shtojmë vaniljen. Në fund shtojmë mjaltin, e punojmë derisa të bëhet një masë e kthjellët dhe shumë e shkumëzuar. Më pas rrahim të bardhat e vezëve derisa të ngurtësohen me pjesën tjetër të sheqerit. I bashkojmë bashkë dy masat, duke i trazuar butësisht nga lart poshtë, në mënyrë që të mos ulet vëllimi. Në fund shtojmë miellin gradualisht duke e situr.

 

E shtrijmë brumin në një tavë me letër pjekje, trashësia nuk duhet të kalojë një centimetër në lartësi. E pjekim në furrë në temperaturën 220° për 6-7 minuta. Më pas e mbulojmë me qese celefon kuzhine dhe e lemë të ftohet.

 

Ndërkohë copëtojmë çokollatën. Hedhim panën në një tenxhere, e vendosim të vlojë dhe shkrijmë çokollatën brenda. Pasi çokollata të jetë shkrirë dhe homogjenizuar me panën, transferojmë përzierjen në një tas të vendosur brenda një tasi tjetër më të madh me akull. E rrahim me mikser elektrik duke e punuar për 10-15 minuta.

 

Hapim brumin e biskotave dhe bëjmë mbushjen me gjysmën e masës së çokollatës së rrahur me panën. E nivelojmë më një spatul duke lenë hapësirë 2 cm nga anësoret. E mbështjellim role me ndihmën e një qeseje kuzhine dhe e lemë të pushojë në frigorifer për rreth 1 orë.

 

Ndërkohë tresim çokollatën në banjo mari dhe e vendoSim në një letër pjekje. E përhapim mirë çokollatën në një fletë letre me një shpatull për të formuar një pllakë të hollë. Lëreni të ftohet dhe më pas ndajeni në drejtkëndësha. E prisni në shirita me një thikë të lëmuar dhe më pas në katrorë.

 

Trungun e mbushur e nxjerrim nga frigoriferi dhe e lyejmë me pjesën e mbetur nga shkrirja e çokollatës me panën. E kthejmë trungun përmbys në pjatancën e servirjes, presim dy skajet dhe e mbulojmë sipërfaqen duke e dekoruar me çokollatën e prerë në katrorë.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?