Eliminimi i Interit, asnjë ekip italian në 8 më të mirat e Europës! Të premten shorti i Championsit, caktohet rruga deri në finale

14 Mars, 09:46| Përditesimi: 14 Mars, 11:09

  • Share

Ajo që s’pritej ndodhi. Ndeshja e parë e humbur në vitin 2024 i ka shkaktuar Interit eliminimin nga Champions League. Zikaltërit nuk i rezistuan dot Atletico Madrid në Spanjë, duke humbur 2-1 në kohën e rregullt dhe duke përshëndetuar kompeticionin më të rëndësishëm europian te penalltitë.

Për më tepër ishin italianët ata të cilët realizuan të parët në Metropolitani me Di Marcon. Goli i anësorit krijoi përshtypjen e një kualifikimi në një kohë kur Interi kishte fituar 1-0 ndeshjen e parë në Milano.

Megjithatë avantazhi zgjati vetëm pak sekonda, pasi Griezman finalizoi në gabimin e parë në mbrojtje. Francezi nuk fali pas një rrëmuje në zonë, duke ngritur peshë zemrat e madrilenëve. Nga ky moment Interi u përpoq të administronte, por në minutën e 87 Depay realizoi një nga golat më të rëndësishëm këtë sezon për Atleticon, duke e dërguar ndeshjen fillimisht në shtesë dhe më pas te penalltitë.

Te 11-metërshat spanjollët u treguan më të saktë, pasi italianët fillimisht gabuan me Sanchez dhe më pas me Klasën, ndërsa në fund vulosi goditja për t’u harruar e Lautaros. Me këtë eliminim nuk mbetet më asnjë skuadër italiane në Champions, ndërsa tre spanjolle shkojnë në çerekfinale.

Biletën tek 8 më të mirat e preu edhe Dortmund, që mposhti 2-0 PSV-në në Gjermani. Kjo në një kohë kur ndeshja e parë në Holandë ishte mbyllur 1-0. Megjithatë ndeshje e kthimit ishte e hapur deri në minutat e fundit, kur Dortmund në të 95 realizoi golin e dytë me Reus.

Të premten në orën 12:00 do të mbahet edhe shorti i çerekfinaleve të Champions League, që do jetë edhe i fundit për këtë sezon, pasi do përcaktojë rrugën deri në finale.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?