Elezi në ‘Repolitix’: Berisha i kompleksuar nga SHBA! Murrizi: Shumica s’e kupton kauzën e ish-kryeministrit! Muça: Incidenti në seli ndodhi nga dështimi i protestës

21 Dhjetor 2021, 22:17| Përditesimi: 21 Dhjetor 2021, 22:28

  • Share

Incidenti i sotëm në PD ku një nga dyert e zyrave të selisë blu u shqelmua nga një mbështetës i ish-kryeministrit Berisha dhe situata në këtë parti, ishte temë diskutimi këtë mbrëmje në emisionin 'Repolitix' të gazetarit Denis Minga në Report Tv. Gjithashtu u diskutua edhe për protestën e djeshme e cila ishte thirrur nga ish-kryeministri Berisha. Të ftuar në studio, ish-deputeti Myslim Murrizi, gazetari Alban Daci, ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ibsen Elezi dhe gazetari Flogert Muça ndanë mendime të ndryshme për situatën e tensionuar në Partinë Deokratike.

Elezi është i mendimit se dera e zyrës në selinë e PD nuk duhet të ishte thyer ndërsa për protestën e djeshme të ish-kryeministrit Berisha, tha se nga numri i pjesëmarrjes, edhe mund ta quash të dështuar, por protesta nuk u mbyll pa dhënë një mesazh.

“Berisha në këto momente është i kompleksuar nga SHBA më shumë se çdo gjë tjetër. Fakti që G29 dhe Berisha nuk e realizuan që dje ekzekutimin e vendimeve të Kuvendit për shkarkimin e Bashës, nuk mund të nxjerrin justifikime. Problemin e incidenteve e kanë të sajuar. Dilemë e sajuar që mund të ndodhë edhe kjo. Po të shkojnë demokratët te PD, futen brenda dhe dalin. As Basha as Gazi, rrinë aty se e dinë që Berisha s’ka ndërmend të futet në ato zyra.”-tha Elezi.

Gazetari Flogert Muça u shpreh se incidenti i sotëm në PD vjen si pasojë e dështimit të Sali Berishës në protestën e djeshme. Ai deklaroi se Berisha po tregohet i kujdesshëm që të jetë politikisht dhe institucionalisht korrekt ndërsa shtoi se mbyllja e derës mund të jetë dhe një karrem i Bashës për ish-kryeministrin Berisha. Me protestën, sipas gazetarit Muça, Berisha deshi të tregojë që ka ngritur një frymë, por mbetet një protestë spektakël nga dështimi.

“Supozojmë se Basha e ka bërë karrem për Doktorin. Berisha s’duhet ta bënte por e ka bërë ndoshta për inatin e asaj që u bë dje. Dje ka dështuar një protestë e Berishës, në pikën kulminante ku bëri shumë gjëra, përfundoi në një protestë që e organizon dhe një OJF modeste në Tiranë. Për Berishën ishte pak dhe gjithë ky dështim i mbrëmshëm ka shpërthyer sot me atë që pamë. Ishte nervozizëm nga dobësia. Mllefi ose mërzia e demokratëve ndaj Bashës i nxorri vetëm një herë, por kaq.”-tha Muça në Repolitix.

Ish-deputeti Myslim Murrizi është i mendimit se Berisha nuk mund të bëjë protestë 24-orëshe me një kauzë që nuk e kuptojnë 90 për qind e atyre që kanë të drejtë vote në vend. Murrizi u shpreh se Berisha nuk është legjitimuar si kryetar i PD por ka realizuar një Kuvend me shumicë delegatësh për shkarkimin e Bashës ndërsa shtoi se e ka çuar në referendum tek anëtarësia. Ndër të tjera, Murrizi theksoi se Komisioni i Rithemelimit nuk ka caktuar datë zgjedhjesh, dhe në statut nuk e kanë hequr zgjedhjen e kryetarit në variantin e vjetër që zgjidhej nga Kuvendi Kombëtar.

“Nuk e zë gjumi pa i bërë 10 mijë veta tek PD-ja.”-tha Murrizi.

Sali Berisha ka 'pushtuar' edhe një herë sot selinë e PD, ndërsa është futur me dhunë në sallën e mbledhjeve për të zhvilluar mbledhje me të ashtuquajturin Komisioni për Rithemelimin e PD. Menjëherë pasi mbështetësit e tij shqelmuan derën e sallës, Berisha u përball me banderolën ku shkruhej slogani i Bashës që u përdor në Kuvendin Kombëtar të PD 'ne jemi e ardhmja'. 

Partia Demokratike ka kallëzuar Fatjon Dautin, si personin që shqelmoi derën e sallës së mbledhjeve në selinë e PD ku zhvilluan më pas mbledhjen Sali Berisha me të ashtuquajturin Komisioni i Rithemelimit. Sipas PD, Dauti është person me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave. Me një njoftim për mediat, PD shprehet se ai u urdhërua nga Flamur Noka për të shpartalluar derën e sallës në selinë e PD.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?