Elegancë dhe në pushtet

27 Gusht 2015, 16:00| Përditesimi: 3 Shtator 2015, 14:26

  • Share
Fotot e rilindjes së Kishës së Shën Thanasit në Karavasta të Lushnjës, të publikuara nga restauruesi dhe artisti Mustafa Arapi, janë magjike. Kush ka sadopak dashuri për të bukurën, nuk mund të rri pa u ndalur të kqyrë shkëlqimin e pikturave murale të kishës dhe të ngjallë dëshirën e madhe t’i shohë dhe shijojë nga afër.
 
Këto vepra të artit fetar vijnë nga një kohë kur shqiptarët kishin dëshirë të zbukuronin gurët dhe muret, të ndërtonin e ndriçonin mjediset ku jetonin, punonin e luteshin. Do të doja që çdo grimcë e këtyre punëve të dilte e bukur dhe madhështore në dritën e diellit e të admirohej nga ne, shqiptarët e sotëm, që mbartim disa problem thelbësore.
 
Nuk bëjmë përjashtim nga çdo qënie tjetër njerëzore, kështuqë edhe tek ne fle e bukura dhe e shëmtuara, e mira dhe e keqja, ëmbëlsia dhe dhuna, e forta dhe brishtësia, të cilat shpalosen në kushte e momente të caktuara. Në të vërtetë, mijëra vite urtësi dhe filozofi botërore janë përpjekur vetëm për një gjë: Si ta bëjnë njeriun të jetojë i lumtur, në paqe me veten dhe të tjerët. Jo të gjithë shoqëritë e kanë arritur këtë, por në botë ka shumë shembuj individësh të kulturuar e të përmirësuar. Dhe ne, si shqiptarë të zgjuar, duhet t’i synojmë, t’i kopjojmë.
 
Embëlsia me Kishën e Shën Thanasit në Karavasta e të tjera mrekullira dhe ashpërsia, egërsia me atë që besimtarë ortodoksë quajnë Kishë e Shën Thanasit në Dhërmi, tregon pikërisht se ne kemi ende shumë për të bërë në përmirësimin dhe në elegancën e ndjenjave dhe veprimeve, sidomos kur jemi në anë e të fortëve, të pushtetit.
 
Dijetarë, me këtë rast, të ndjekur nga gazetarët, hodhën dritë për historinë e atij vendi, ku prej qindra vitesh është prehur trupi i italianit Nilo Catalano. Të rinj e të moshuar shqiptarë kudo në botë mësuan një gjë që nuk e dinin, historinë e jashtëzakonshme të tij.
 
Të gjithë e pamë që ajo kishëzë në Dhërmi ishte një ndërtim i improvizuar, me gurë në fillim, e pastaj me tulla betoni e me një soletë aq të shëmtuar. Po sa gjëra janë për t’u diskutuar për shijen tonë, sa ndërtime të tmerrshme janë bërë duke filluar nga Tirana, e vazhdojnë e bëhen në brigjet tona të mrekullueshme nga Velipoja, në Durrës, në Vlorë e Sarandë. Ka shumë të tilla, që qëndrojnë me mendjemadhësi mu në brigjet më të bukura e që do të meritonin 1000 herë më shumë të shtypeshin gjatë natës e të thërrmoheshin si kishëza e improvizuar mbi gurët në Dhërmi, në vendin ku janë falur shumë breza ortodoksësh apo katolikësh.
 
Në botën e qytetëruar një objekt kulti fillimisht duhet çkishtëruar pasi është rënë dakord me të gjitha palët, e më pas mund të prishet për t’u rindërtuar. Furia dhe mungesa e informacionit mbi Kishën e Dhërmiut të kujton veprimet e një të dehuri ose të një njeriu që i ka sytë të errësuar nga ndjenja të ulëta e sheshon çdo gjë me një eskavator që i kanë dhënë. Atë të pushtetit. 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?