'Elbasani i Superligës i luan ndeshjet me 10 mijë tifozë', drejtori Guranjaku: Në fillim pakkush besoi tek ne, sezonin e ardhshëm do jemi protagonistë

Të shtunën Elbasani shkroi historinë, duke siguruar rikthimin në Superligë të qytetit pas 9 vitesh, ndërsa për klubin e ri me emër Akademia Futbollit Elbasani do jetë hera e parë. AF Elbasani u krijua si nevojë e shkrirjes së KF Elbasanit, që ishte i zhytyr në borxhe dhe kishte përplasje me qeverisjen vendore.

“Ishin tre vite mjaft të mundimshme për ne sepse na u desh të fillonim gjithçka nga e para. Ky klub e nisi nga zero, e nisëm nga kategoria e tretë dhe brenda 3 vitesh ja ku jemi në Superligë. Ishte një projekt që nisi nga kryetari i bashkisë Gentian Llatja dhe administratori Marenglen Çoku,”-u shpreh Elton Guranjaku, drejtor sportiv i Elbasanit.

Elbasani udhëheq Kategorinë e Parë me 69 pikë, 2 më shumë se Bylisi i vendit të dytë, ndërsa të dyja këto ekipe kanë krijuar diferencë matematikore me ndjekësit. Për Report TV drejtori Guranjaku tregoi se çfarë e bëri Elbasanin të ngjitej brenda një sezoni në Superligë.

“Merkato e verës që do bënte ndryshimin tek ne. Bëmë një merkato mjaft cilësore, me lojtarë me skperiencë që i morëm nga Superliga plus trajneri Nevil Dede. U bashkua me stafin nga Elbasani trajnerët Ergys Kotorri, Merxha,”-tha Elton Guranjaku, drejtor sportiv i Elbasanit.

Veçoria dalluese dhe domethenëse e Elbasanit këtë sezon ka qenë numri i madh i tifozëve në stadium.

“Sezonin tjetër unë jamë shumë i sigurtë që një ndeshje Elbasani-Tirana në Elbasan Arena do jetë 10-11 mijetë vetë dhe do jetë një festë e bukur për qytetin, por edhe gjithë futbollin në Shqipëri,”-deklaroi Elton Guranjaku, drejtor sportiv i Elbasanit.

Edhe pse për klubin është historike pjesmarrja në Superligë, AF Elbasani sezonin e ardhshëm nuk do kënaqet vetëm me prezencën.

“Ndryshime do ketë, lojtarë të tjerë do vijnë pasi klubi ka gjithmonë nevojë për përforcime, aq më shumë në Superligë. Do shikojmë të bëjmë një merkato mjaft të mirë, mjaft cilësore për të arritur objektivat për sezonin e ardhshëm. Duam të jemi protagonistë edhe sezonin e ardhshëm,”-u shpreh Elton Guranjaku, drejtor sportiv i Elbasanit.

Bashkë me Elbasanin ngjitjen në Superligë nga Kategoria e Parë e ka siguruar matematikisht edhe Bylisi, ndërsa drejtuesit verdheblu thonë se duan ta mbyllin sezonin me trofe të fituar.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?