Elbasani rikthehet te fitoret, dy penallti thyejnë Luzin! Trajneri Dede: Rëndësi kanë vetëm tre pikët

4 Mars, 14:12| Përditesimi: 4 Mars, 14:20

  • Share

Me shumë vështirësi, por Elbasani që ka objektiv të padiskutueshëm rikthimin në Superligë, ia doli të fitontë 2-1 me përmbysje kundër Luzit për javën e 23 të Kategorisë së Parë. Në Elbasan Arena miqtë realizuan të parët me Trenin, por para se skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes De Melo realizoi një supergol.

Në pjesën e dytë fillimisht Hoxhaj gaboi një penallti para se Lila në të njëjtën mënyrë të realizonte golin trepikësh për verdheblutë.

“Janë ndeshje të vështira kur luan me vendet e fundit, sidomos kur luan shpesh me ata dhe ke qenë fitues me dieferencë. Pranohet që në një moment të caktuar mund të ketë shpërqëndrim. Nuk duhet të pësojmë gol sepse kjo më shqetëson realisht, por në këtë pikë që është kampionati me rëndësi janë tre pikët dhe jo loja,”-deklaroi Nevil Dede, trajner i Elbasanit.

Te Luzi që lufton për mbijetesë, nuk pati kontestime për vendimet e arbitrit, ndërsa e pranuan humbjen.

“Urime Elbasanit për fitoren sepse kuptohet që është favorit për Superligën. Më pëlqeu shumë ekipi si u paraqit në këtë ndeshje, ndryshe nga përballja e parë me Elbasanin. Treguam që kemi forcë, karakter dhe nëse vazhdojmë kështu do ecim para,”-u shpreh Nertil Ferraj, trajner i Luzi 2008.

Me këtë fitore Elbasani i vendit të dytë u ngjit në kuotën e 53 pikëve, 2 më pak se Bylisi i vendit të parë. Sipas rregullores dy skuadrat e renditura të para ngjiten direkt në Superligë, ndërsa befasia e kësaj jave në kategorinë e parë ishte humbja 0-1 që Flamurtari pësoi në Vlorë kundër Burrelit.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?