Ekspozohen për herë të parë në muzeun e Korçës ikonat e afresket bizantine

1 Tetor 2022, 20:31| Përditesimi: 1 Tetor 2022, 20:39

  • Share

KORÇË- 7 ikona kishtare dhe 2 afreske janë ekspozuar për herë të parë në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.

Ato janë vepra të emrave të mëdhenj të pikturës e ikonografë si Onufri, Jeromonaku, Shpataraku dhe Zografët.

“Janë ekspozuar 7 ikona për herë të parë dhe dy afreske të veçanta, pjesë të muraleve të shkëputura nga kishat”, tha  Fjoralba Prifti, drejtore e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.

I përkasin shekujve XVI-XVIII dhe janë zbuluar nga studiuesi Theofan Popa, i cili gjatë kohës së komunizmit evidentoi dhe ruajti këto vepra të çmuara të artit.

“Aktiviteti i sotëm i kushtohet studiuesit Popa, i cili ka bërë grumbullimin e këtyre thesareve. Janë ekspozuar për herë të parë për publikun ikonat e restauruara”,  tha restauratori Genti Proko.

Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë restaurohen dhe promovohen objekte të kohës bizantine dhe postbizantine. Koleksioni ikonografik që ndodhet në këtë muze është më i madhi në numër dhe më interesanti në vlera historike, artistike e fetare në vend.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?