Ekspertët gjerman të Ballkanit: Lajçak nuk është një zgjedhje e mirë, është i orientuar nga serbët dhe vjen nga një vend që nuk e njeh Kosovën

22 Shkurt 2020, 11:21| Përditesimi: 22 Shkurt 2020, 11:27

  • Share

Ekspertët gjerman për Ballkanin, Bodo Weber  dhe Toby Vogel, dy anëtarë të vjetër të Këshillit të Politikave të Demokratizimit në Berlin dhe Bruksel, duke cituar një mori arsyesh në analizën e përbashkët për vëzhguesin e BE-së, argumentojnë se Mirosllav Lajçak nuk do të ishte një zgjedhje e mirë në detyrën e të dërguarit special të Unionit për Beogradin dhe Prishtinën edhe pasi ai vjen nga një vend që nuk njeh Kosovën shtet.

Për Weber dhe Vogel, sllovaku Lajçak, që flet serbisht, ishte i dërguari i BE-së për të mbikëqyrur referendumin për pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006 dhe ish Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje-Hercegovinën nga viti 2007 deri në vitin 2009, ai nuk ka kualifikimet e nevojshme për postin dhe është njeriu i gabuar për një sërë arsyesh të tjera. Ata theksojnë se Sllovakia është një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, si dhe Spanja, prej nga vjen Joseph Borel, i cili u emërua Ministër i Jashtëm i BE në muajin dhjetor 2019.

Për Weber dhe Vogel, nëse Lajçak do të emërohej si i dërguar special i Unionit për Beogradin dhe Prishtinën, të dy diplomatët e nivelit të lartë europianë, përgjegjës për çështjen e Kosovës, do të vinin nga shtete anëtare që nuk gëzojnë simpatinë e Prishtinës dhe që e konsiderojnë Kosovën pakicë dhe pjesë e Serbisë. Për dy ekspertët, ky fakt do dërgonte sinjal negative në Kosovë dhe do krijonte përshtypjen se BE mban anën e Serbisë dhe mbështet presidentin Vuçiç, i cili për Weber dhe Vogal po bëhet gjithnjë e më shumë autoritar, para zgjedhjeve në Serbi.
Arsyeja tjetër është se Lajçak, sipas Weber dhe Vogel, ka një "histori dështimi politik në Ballkan".

Si Përfaqësues Special dhe Përfaqësues i Lartë i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, Lajçak mori pjesë në "konflikte serioze politike" me Milorad Dodik, përfaqësuesi serb në Bosnjë dhe Hercegovinë. Konflikti thonë dy ekspertët, përfundoi me tërheqjen poshtëruese të Lajçak.

Si një arsye të tretë, Vogel dhe Weber pretendojnë se Lajçak ka një histori që tregon se ai vendos ambicien personale dhe profesionale mbi misionin që i është caktuar.

Sipas tyre, "Ai papritmas braktisi postin e tij në Sarajevë pas një viti e gjysmë në atë pozicion, duke sqaruar se nuk mund të refuzonte ofertën e Robert Fitz, Kryeministrit të atëhershëm të Sllovakisë, për të udhëhequr diplomacinë e vendit.

Vogel dhe Weber shtojnë, duke përmendur një seri burimesh pa emër, se Lajçak është në kërkim të një portofoli shumë më të gjerë se sa i dërguari special i BE për Beogradin dhe Prishtinën, "megjithëse ai e di shumë mirë se është një punë me kohë të plotë".

Si një arsye të fundit, ata theksojnë se Lajçak mbetet anëtar i qeverisë së Bratisllavës pavarësisht se kryeministri Fico duhej të tërhiqej pas vrasjes së gazetarit investigativ Jan Kuciak.

"Emërimi i Lajçak do të dërgonte një mesazh plotësisht të gabuar, i cili do të ishte ilustrim i asaj se si e shohin qytetarët e Ballkanit tani BE, një model falimentimi pas mos hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe mos mbajtjes së premtimit për heqjen e vizave për Kosovën”, - thanë Vogel dhe Weber, të cilët mendojnë se "Shtetet anëtare të BE-së duhet ta parandalojnë këtë emërim". Ata sugjerojnë së pari që i dërguari i Unionit të vijë nga një vend që e njeh Kosovën shtet.

Për publicistin Veton Surroi, shefi aktual i diplomacisë së BE’së Josep Borell nuk është njëriu i durur për t’u përfshirë në dialogun Prishtinë-Beograd. Në një shkrim autorial të publikuar sot ai ka zbuluar detaje nga një takim që Josep Borell ka pasur me disa ekspertë të njohur europianë në Berlin para disa javësh. Siç shkruan Surroi në këtë takim spanjolli Borell kishte hapur temën e korrigjimit të kufijve duke pyetur nëse do të ishte zgjidhje e mirë që Serbia të merrte veriun e Kosovës.

Ndërkohë përgjigja negative e ekspertëve dhe vërejtja se një lëvizje e kufijve do të hapte “Kutinë e Pandorës” e kishte shtyrë Borellin të ngriste pyetjen tjetër se ‘si bëhet që Serbia të fitojë diçka?”.
Surroi thotë se pyetja e Borellit se si t’i bëhet që të fitojë diçka Serbia nga dialogu i ngjanë një logjike të pazarit ku ofrohen zbritje me qëllim realizimin me sukses të shitblerjes.

Ora 12:57
Joseph Borrell propozon zyrtarisht Mirosllav Lajçak për përfaqësues të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

Mirosllav Lajçak u propozua sot zyrtarisht përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi.

Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në Bruksel.

Sipas tyre, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell, u ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së emrin e Lajçakut si përfaqësues i ardhshëm i bllokut, i cili para së gjithash do të merret me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe me çështje të tjera në rajon.

Propozimi formal i Lajçakut mësohet se ka qenë edhe arsyeja e bisedave telefonike që Borrell ka zhvilluar të premten me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pritet që emërimi i Lajçakut në detyrën e re të bëhet më 23 mars, në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian.

Deri në takimin e ardhshëm të ministrave të BE-së, Lajçak do ta përfundojë mandatin si ministër në Qeverinë e Sllovakisë, pasi në këtë vend, më 29 shkurt, mbahen zgjedhjet parlamentare.

Pas propozimit formal do të ketë debate të grupeve të ndryshme të punës, si dhe në Komitetin e Sigurisë Politike të BE-së, ndërsa vula përfundimtare do të jepet në Këshillin e Ministrave të BE-së.

Për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së duhet miratimi i të gjitha vendeve anëtare.

Ai do të bëhet pjesë institucionale e sistemit dhe do t’i përgjigjet jo vetëm përfaqësuesit të lartë të BE-së, në këtë rast Borrellit, por edhe Këshillit të Ministrave të BE-së.

Lajçak ka përvojë të gjatë në rajonin e Ballkanit.

Ai ka qenë ambasador i Sllovakisë në Serbi dhe Mal të Zi. Pastaj është emëruar i dërguar evropian për referendumin për pavarësi të Malit të Zi dhe ka shërbyer si përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë.

Komento

Komente

  • Arbëri: 22/02/2020 21:52

    Bashkohuni o shqipëtarë se armiqët tan janë jan duke u kordinuar kundër NEVE...!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?