A do të ketë rritje të viktimave te grupmosha e re? Ekspertët e Covid pro dhe kundër

11 Shtator 2020, 16:40| Përditesimi: 11 Shtator 2020, 16:53

  • Share

Ndërsa rastet e pozitivitetit të koronavirusit vazhdojnë të rriten në shumë vende evropiane, të rriturit e rinj - në të njëzetat dhe të tridhjetat – po përfundojnë nën akuzë, pasi sipas politikanëve dhe zyrtarëve shëndetësorë ata, me sjelljen e tyre janë përgjegjës për rritjen e pjerrtësisë të kurbës së Covid.

Ministri i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar Matt Hancock u drejtoi gishtin të rinjve që injorojnë masat e distancës sociale, duke thënë se ata janë përgjegjës për rritjen e rasteve në Mbretërinë e Bashkuar. Në fakt, shkalla e incidencës është më e lartë në këtë grupmoshë sesa në grupmoshat e tjera.

Autoritetet shëndetësore franceze kanë thënë në mënyrë të përsëritur se virusi po qarkullon veçanërisht në mesin e të rinjve midis moshës 20 dhe 39 vjeç.

Rreth 40% e rasteve të reja në Spanjë, në fund të gushtit, ishin në të njëjtën grupmoshë.

Mosha e re e pozitivëve mund të jetë një nga arsyet që në spitale ka gjithnjë e më pak të shtruar krahasuar me fillimin e pandemisë, - thonë ekspertët, por gjithsesi situata është shqetësuese dhe sipas tyre nuk është e mundur të përmbahet përhapja e virusit dhe të parandalohet një valë e dytë, e cila mund të çojë në mijëra vdekje.

Disa ekspertë të tjerë paralajmërojnë që lejimi i përhapjes së virusit tek të rinjtë nuk do të ketë efekt tjetër përveç rritjes së numrit të rasteve dhe ndoshta pranimeve në spital.

Të rinjtë me rrezik më të lartë për të shfaqur simptoma kronike

Ka të rinj që mund të "sëmuren rëndë dhe madje të vdesin" nga Covid-19, thekson Dr. Richard Pebody, një epidemiolog i OBSH-së

Që nga fillimi i marsit, mbi një mijë të rinj të moshës midis 20 dhe 40 kanë përfunduar në kujdes intensiv në Francë, rreth 5% e numrit të përgjithshëm të njerëzve të pranuar në repartin maksimal të vëzhgimit në vend.

'Megjithëse, në përgjithësi, të rinjtë kanë një rrezik të ulët të shtrimit në spital dhe vdekjes, rreziku i zhvillimit të simptomave të vazhdueshme ose kronike duket të jetë shumë më i lartë,' - thotë profesor Debby Bogaert, Dr i Sëmundjeve Infektive Pediatrike në Universitetin e Edinburgut.

"Për momentin nuk është ende e qartë se kush është më i rrezikuar nga zhvillimi i simptomave Covid në planin afatgjatë, por të dhënat aktuale tregojnë se brezi i ri, i shëndetshëm dhe aktiv sigurisht nuk është i kursyer."

Rezultatet e një studimi të kryer nga një ekip i ‘King's College London’ zbulojnë se 60,000 njerëz, nga një mostër prej 300,000 e prekur nga Covid-19, kanë patur simptoma për më shumë se tre muaj.

"Gjashtë muaj më vonë, shumë njerëz ende vuajnë nga lodhje kronike, dhimbje muskulore dhe vështirësi në frymëmarrje. Njerëzit të cilët ishin në gjendje të mirë dhe të shëndetshëm tani mezi mbahen në këmbë” - tha Hancock në një seancë në Parlamentin Britanik.

Shumë ekspertë kanë frikë se rritja e numrit të rasteve, madje edhe ndër më të rinjtë, do të çojë në një rritje të pashmangshme të shtrimeve në spital.

Spanja po sheh gjithashtu një rritje graduale të pranimeve në spital të pacientëve me koronavirus.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?