Ekskluzive/Gjin Gjoni, Arjana Fullani dhe Petrit Fusha me shokë nuk i ndahen drejtësisë, bëhen avokatë pasi ia mbathën nga sistemi nga frika e Vetingut (EMRAT)

22 Shkurt 2021, 15:25| Përditesimi: 14 Maj, 19:07

  • Share

Vetingu i nxori nga dera e drejtësisë, por ata po rikthehen nga dritarja si avokatë falë manovrës së dorëheqjeve. Disa gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit të lartë, të lakuar ndër vite për vendimet dhe pasuritë e dyshimta, të cilët ia mbathën nga sistemi i drejtësisë duke evituar përballjen me Vetingun, janë shndërruar në avokatë. Ish-gjyqtari i Apelit në Tiranë, Gjin Gjoni, dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë në korrik të vitit 2020, ditën kur Komisioni i Vetingut vendosi të përfundonte  hetimet për pasurinë e tij, duke i kaluar barrën e provës. Fillimisht tha se Vetingut ishte politik dhe i njëanshëm, ndërsa më vonë, përmes një kërkese drejtuar KLGJ-së, Gjin Gjoni pretendoi se dha dorëheqjen pasi ishte propozuar nga Partia Demokratike si kandidat për deputet. Në 30 shtator 2020, KPK vendosi ndërprerjen e procesit të Vetingut për Gjin Gjonin dhe përjashtimin e tij për 15 vjet nga drejta për t’u bërë pjesë e drejtësisë.

Në 19 tetor 2020, Gjin Gjoni ka themeluar shoqërinë "G&G LAW FIRM", me objekt fushën e avokatisë, që do të thotë se do të shfaqet sërish në korridoret e drejtësisë, tashmë jo më si gjyqtar, por si avokat. Në korrik të 2020, edhe gjyqtari tjetër i Apelit, Alaudin Malaj dha dorëheqjen nga detyra pas 27 vitesh karrierë në drejtësinë shqiptare. Procesi Vetingut për Alaudin Malaj kishte nisur që në muajin shtator të vitit 2018, duke zgjatur rreth 22 muaj. Ndërkaq, Malaj, katër muaj pas dorëheqjes, në 5 tetor 2020, ka themeluar “Malaj & Associates Law Firm”, kompani për ofrimin e shërbimeve avokatore. Ndërkohë Malaj vijon të kundërshtojë në Kolegj vendimin e KPK-së për përjashtimin e tij me 15 vjet nga drejtësia.

Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani, bashkëshortja e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u largua nga sistemi në korrik të 2017. Në 29 janar të 2018, zonja Fullani rezulton se është regjistruar si person fizik pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për të filluar ushtrimin e veprimtarisë ekonomike private në profesionin e avokatit. Në korrik të 2017, Komisioni i Vetingut e përjashtoi Fullanin për 15 vjet nga drejtësia. Ajo e kundërshtoi këtë masë, por Kolegji i Apelimit ka në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Bashkë me Arjana Fullanin, nga Gjykata e Lartë u Largua edhe Evelina Qirjako, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej dhe më pas kishte të drejtë të punonte në Apel. Në 11 janar 2018, zonja Qirjako rezulton se është regjistruar si person fizik pranë QKB për ushtrimin e veprimtarisë “shërbime, konsulencë, ekspertizë ligjore, avokat”. Në 8 korrik 2019, Komisioni i Vetingut i hoqi të drejtën Qirjakos për t’u bërë pjesë e drejtësisë për 15 vjet, vendim i cili është lënë në fuqi nga Kolegji i Apelimit.

Ish-kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha dha dorëheqjen nga drejtësia në shkurt të vitit 2019, pas një karriere 32-vjeçare në sistem. Në prill të vitit 2019, Komisioni i Vetingut vendosi ta përjashtonte Fushën me 15 vjet nga drejtësi, ndërsa e kallëzoi penalisht nisur nga gjetjet serioze gjatë hetimit të pasurisë së tij. Përpos të tjerave, Fusha ka deklaruar edhe një hotel me vlerë mbi 500 mijë euro, me para të pretenduara  nga familjarë të tij dhe kredi. Në 13 maj 2029, Fusha ka regjistruar si në QKR kompaninë për ushtrimin e veprimtarisë së avokatisë, interpretime ligjore, hotel, bar, restorant, turizëm dentar, agjenci turistike etj.

Dhoma e Avokatisë u pozicionua kundër këtij propozimi. Komisioni i Ligjeve u përfshi për disa ditë në dilemë. Megjithatë, falë presionit në rritje të ndërkombëtarëve, në ligj u vendos që gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga Vetingu të mos kishin të drejtë të ushtonin profesionin e avokatit. Por, mbi 55 gjyqtarë dhe prokurorë, të pasigurtë se mund të kalonin procesin e Vetingut, dhanë dorëheqjen, duke evituar kështu një vendim shkarkimi, për rrjedhojë duke i shpëtuar edhe penalizimit ligjor për t’u bërë avokatë.

(Alaudin Malaj, studio avokatore)

(Gjin Gjoni, studio avokatore )

 Arjana Fullani

Evelina Qirjako

 
Petrit Fusha

//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?