Ekskluzive/ 26 vite Ipeshkv i Shkodrës, Massafra rrëfen për Report Tv arsyet e dorëheqjes! Mesazh për të rinjtë: Përpjekja për t’u pasuruar me drogë, iu rrezikon jetën

28 Mars, 13:54| Përditesimi: 28 Mars, 14:43

  • Share

Monsinjor Angelo Massafra erdhi në Shqipëri në vitin e mbrapshtë 1997 dhe një vit më pas, frati françeskan me origjine arbëreshe u emërua Ipeshkev i Dioqezës Shkodër-Pult. Këto janë pamjet historike te 26 prillit 1998, teksa Massafra kujton:

“Pavarësisht se kemi qenë në këto momente të vështira në fillim, në ’98 ka qenë vështirë. Unë isha Ipeshkev i 4 dioqezave, bëja me makinën e vogël xhiro si shtegtar.”

Monsinjori dha dorëheqjen tek Papa Françesku sapo mbushi moshën 75-vjeçare, dhe tani pret që Selia e Shenjtë të caktojë Ipeshkvin Kuaditor të Shkodrës. 

“Unë dhashë dorëheqjen sipas rregullave të Vatikanit, sepse mbusha moshën 75-vjec. Papa Françesku e ka pranuar dorëheqjen time dhe do t’i hap rrugën emërimit të Ipeshkvit Kuaditor. Pastaj kush do të jetë kemi kohë. Derisa mbaron viti do jem me ju. Bëhet një sondazh kush mund të jetë kandidati më i përshtatshëm për të qenë Ipeshkev në një zonë”, tregon ai.

Në intervistën për Report TV, Monsinjori ka folur për një sërë fenomenesh që kanë prekur shoqërinë, siç janë droga dhe dhuna në familje.

“Krimbi ka hyrë në kokën e shumë shqiptarëve e që duan të pasurohen me poshtërsi. Më mirë të jetosh i varfër, jo në mizerje, por të jetosh me djersën tënde. Makina të mëdha... shtëpi... pastaj hyjnë në këto grupe. Nëse nuk del me kohë, atje nuk del ose do dalësh kufomë”, thotë Massafra për Report Tv.

Massafra, i cili me dorëheqjen e tij i hapi rrugë të rinjve në radhët e klerit katolik ka një mesazh për mbarë rininë shqiptare.

“Të shohim të mirën që ka çdo person dhe çdo fe. Nuk mund të bëjmë luftën për fenë. Nuk është e drejttë, është shfrytëzimi i feve për interesa politike, partiake. Feja nuk duhet të shfrytëzohet, por vlerësohet”, thotë ai.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?