Ekskluzive/ Nga Arjana Fullani tek Llalla, të gjithë njerëzit e drejtësisë që morën pjesë në mbylljen e dosjes së CEZ

8 Shkurt 2020, 13:31| Përditesimi: 8 Shkurt 2020, 14:50

  • Share

Një nga argumentet kryesore të gjyqtarit Lazër Sallaku, për mbyllen e dosjes CEZ të qeverisë ‘Berisha’, me mbi 400 milionë euro dëm ekonomik në kurriz të shqiptarëve, është një vendim i vitit 2016 i Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit la në fuqi vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme, për pushimin e procedimit penal ndaj ish-ministrave Genci Ruli, Florjon Mima, Ridvan Bode, ndaj Enno Bozdos ish-zëvendësministër i Ekonomisë, Suzana Guxholli, ish-këshilltare e Berishës dhe Mimoza Vokshit, ish-drejtore e Përgjithshme e Shërbimeve Tregtare në ish METE. Të lartpërmendurit ishin kallëzuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë për shpërdorim detyre në bashkëpunim, duke konsumuar shkelje të rënda gjatë procedurave të shitjes së 75 % të aksioneve të OSSH tek CEZ, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes dhe pas privatizimit, duke favorizuar CEZ me çmimin e energjisë elektrike, faljen e detyrimeve, njohjen e borxhit të keq etj.

Në korrik të 2016, Prokuroria e Përgjithshme mbylli dosjen, me arsyetimin se procedura e privatizimit të OSSH nga qeveria Berisha ishte në përputhje me ligjin. Në atë kohë kryeprokuror ishte Adriatik Llallës, sot i shpallur non grata nga amerikanët si dhe në hetim për fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Këtë vendim, në Gjykatën e Lartë, e ka mbrojtur prokurori Kostaq Beluri, sot anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndërkaq, ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët kanë vulosur mbylljen e dosjes CEZ janë Admir Thanza, Guxim Zenelaj, Arjana Fullani, Medi Bici dhe Edmond Islamaj.

Nga pesë gjyqtarët, sot vetëm Medi Bici vijon të jetë pjesë e drejtësisë. Arjana Fullani, bashkëshortja e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, iku nga drejtësia, duke evituar përballjen me Vetingun, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte si anëtare e Gjykatës deri kur t’i mbaronte mandati. Guxim Zenelaj u largua në të njëjtën mënyrë si Arjana Fullani. Admir Thanza i shkarkuar nga komisionet e Vetingut për shkak të lidhjeve me krimin, vjedhjes dhe dënimit në Itali, fshehjes, deklarimit të rremë dhe mosjustifikimit të pasurisë. Edmond Islamaj kaloi shkallën e parë të Vetingut, por u shkarkua për pasurinë nga Kolegji i Apelimit.

Më tej, Kuvendi i Shqipërisë dhe juristi Romeo Kara referuan dy dosje të tjera në Prokurori, me mbi 6 mijë faqe, po për çështjen CEZ, por tashmë me prova dhe fakte të reja, ndërsa si të kallëzuar u shtuan Sali Berisha, Shkëlzen Berisha dhe sekseri kryesor Nuel Kalaj. Në 29 shtator 2017, vetëm 10 ditë pas regjistrimit të çështjes, prokurorja Alma Bramo i kërkoi gjykatës mbylljen e dy dosjeve. Gjykata e riktheu pas dosjen, pasi nuk kishte pasur hetim. Çështjen e mori me short prokurori Ardian Braho. Në mars të 2018, Ardian Braho dha dorëheqjen nga hetimi i dosjes, ndërsa çështjen e mori Erjon Imeraj. Pas tre vitesh, Prokuroria e Tiranës kërkoi sërish mbylljen e dosjes. Këtë radhë kërkesa u pranua nga gjyqtari Lazër Sallaku, i cili vetëm disa ditë më parë mbylli dosjen e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në lidhje me dosjen e lobimit.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bepi: 08/02/2020 15:00

    O shtet i degjenerum o popull po as e kuptoni se ca bahet ne Shqipni pse mor per 20 vet te degjeneruar dot vuj tan Shqipnia

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?