Ekskluzive/ Aleksandër Moisiu
të qeshësh me aktorin dramatik

21 Prill 2013, 19:07| Përditesimi:

  • Share
Eshtë në natyrën e njerëzve të kuriozohen për shumë gjëra që i rrethojnë. Aq më shumë kur bëhet fjalë për figura të spikatura të botës artistike, politike, sportive.... Mua më ngacmoi kurioziteti për të njohur jetën e të madhit Aleksandër Moisiu. Ndodh që kur ndeshesh me gjëra të reja, kurioziteti kthehet në interesim e interesimi në qëllim, e ndoshta në hobby.

U ndodha fatmadh që munda të kem në dorë e të shoh gjëra që jo çdo njeri mund ti shohë, nga jeta e këtij kolosi. Foto madhështore, për nga profesionalizmi e përmbajtja, letra imtime familjare e shoqërore, gazeta me artikuj kritik të kohëve kur jetoi artisti (në shumë gjuhë), procesverbale dhe fatura shpenzimesh, vërtetime honoraresh që mbanin firmen e bashkëatdhetarit tim.

Pas disa shkrimeve në SUPLEMENTIN RILINDASI që patën informacione të panjohura nga jeta artistike e private e Moisiut, dëshiroj kësaj here të shuaj kureshtjen e lexuesit shqiptar duke zbuluar anën tjetër të këtij gjeniu, atë njerëzore, shpirtin optimist e plot humor me të cilin ai kaloi shumë situata të vështira në jetë.

Natyrshëm edhe një person i famshëm, si kushdo tjetër , përjeton momente në jetë të cilat e sjellin në situata tragjikomike. Edhe Sandro-ja i ynë, që në vitet e fëmijërisë kishte natyrë të heshtur e të shkujdesur, por dallohej për karakterin e tij të ndjeshëm, për inteligjencë, për fantazi e humor. Familjarët tregojnë që ai gjithmonë krijonte situata gazmore, ku përfshiheshin të gjithë.

Një herë për të tërhequr vemendjen e nënës dhe për të “ndëshkuar” motrën e cila zgjohej shumë vonë nga gjumi, ai ishte gjunjëzuar te fundi i shtratit të saj dhe me duar të bashkuara, bënte sikur lutej për një njeri që nuk “do të zgjohej më” . Situata komike dhe humori i sjelljes së tij detyruan nënën, e cila ishte natyrë shumë autoritare, të vejë buzën në gaz dhe ti qortojë të dy....

Motra Melanie kujton: gjatë kohës të pushimeve të verës, familja kalonte disa ditë pranë detit, në Grignano. Sandro, që ishte një notar i mrekullueshëm, hidhej nga shkëmbinjtë e lartë në ujë dhe argëtohej shumë. Një herë hypur mbi një shkëmb të bregdetit filloi të këndojë këngën e dëgjuar të detarëve: mbi kuvertë qëndroj, në mes të shtërngatës, lamtumirë Atdheu im i dashur, unë i përkas detit.... dhe në fjalën e fundit u hodh dhe notoi aq shumë nën ujë, saqë nëna vrapoj e merakosur drejt detit duke thirrur: ku është ai, ku është ai?? Dha ai ..... “huch...”....u ngrit me zhurmë tek këmbët e nënës së frikësuar: ...duke thirrur....ja tek jam .... përsëri në tokën italiane...

Më vonë kur ai ndodhej në udhëtime apo në turne në vënde të ndryshme të botës, dërgonte në shtëpi karta ekspres për të përshendetur familjen e veçanërisht nënën duke bërë të njohur dhe vendin ku gjindej. Paguhej mirë për shfaqjet, por edhe biznesi i shitjes së pllakave të gramafonit me zërin e tij i solli shumë të holla. Në festat e fundit të vitit, kur qëllonte të ndodhej larg familjes, kujdesej që karta e urimit të krishtilindjeve ti arrinte nënës me saktësi në natën e festës.

Një herë në këtë vigjilje ai dergoi një shumë të madhe parash për familjen të shoqëruar me një kartoline mbi të cilën shihej “koka e tij mbi një pllakë gramafoni”.... Nëna që i kuptonte mirë “lojrat e tij”, na e zbërtheu “mesazhin” ... shuma e parave që ka dërguar vjen nga fitimi i madh që ai ka kohët e fundit nga shitja e pllakave të gramafonit...

Kur ndodhej në ndonjë hotel në Paris apo kur darkonte në ndonjë restorant, ai bënte shumë humor me kamarierët dhe punonjësit e hotelit të cilët e njihnin mirë: “...kur erdha për herë të parë në Francë, u tregonte atyre, mundesha krejt mirë të flisja frëngjisht, flisja ngadalë, por qartë dhe më kuptonin kudo, por....unë vetë... dhe gajasej së qeshuri ; – unë vetë nuk kuptoja gati asgjë nga çfarë më flisinin...”.

Moisiun e shihje kurdoherë të rrethuar nga gratë, ishte heroj tyre. Aq sa i famshëm e specialist ishte ai për “skenat e vdekjes”, po aq i famshëm dhe specialist ishte ai me gratë. Lidhjet e tij dashurore diheshin nga të gjithë fansat e gazetarët. Por kur bëhej fjalë për familjen apo gruan e tij, ai ishte shumë xheloz.

Një herë gruaja e tij e dytë nga Berlini, Hetha Hambach e lodhur nga xhelozia e tij e pakuptimtë, vendosi ti bëjë një “leksion surprizë”.... Më të hyrë në apartamentin e tij në Berlin, Aleksandri u përball me një letër të hedhur si për shpejt mbi dysheme. Letra përmbante pak fjalë të shkruara keq nga nervozizmi. “ Isha KOTELJA ..jote, tani jam e vdekur” .

Me një tronditje të papërshkruar në shpirt, duke ndjerë veten fajtor për situatën e krijuar, ai alarmon policinë e cila fillon të kërkojë kufomën e Hertha-s. Atij i vjen ndër mend që e shoqja e kishte kercënuar se “do të hidhej në lum po qe se nuk do të kishte tjetër në jetë....” ..E tmershme...mendon Aleksandri, a thua të ketë ngjarë....dhe kërkoj gjatë gjithë natës së bashku me policët, ndërkohë që Hertha gjindej te një shoqe e saj duke shijuar këtë “kurth hakmarrje”.

Në botën e artit që e rrethonte ai përballej shpesh edhe me intriga apo thashetheme për të cilat gazetarët ishin shumë të ndjeshëm. Gjatë një mbrëmje festive, kujton e shoqja Terwin, në praninë e shtypit, regjisori Reinhardt tha: ...djaloshi i ri që sapo njoha, është aktori që më duhet. Të nesërmen në një ndër gazetat ditore të Berlinit shkruhej: zotëri Moisiu është aktori i zgjedhur nga Max Reinhardt, ai do të marrë fitimin, tashmë i mungon vetëm talenti.....

Moisiu ishte shumë i njohur për zërin e tij të veçantë. Ai këndonte shumë, por edhe i duhej të kujdesej për zërin. Ndodhte që nga njëherë zëri nuk i bindej ose kishte ngërce nga të bërtiturat e forta në rolin e Fedjas. Ndodhi që në provën gjenerale të “KUFOMES SE GJALLE” që ishte roli më i zgjedhur e më i dashur i jetës së tij, të pushtohej nga emocionet.

Një ndjenjë ankthi që në garderobë bëri që ai ti lutej shumë herë regjisorit Max Reinhardt që të ndërpresë provën..., zëri ju bllokua dhe sytë i lotonin pa pushim. “Ky është risku i punës së aktorit shpjegonte Moisiu..këto janë gjëra që nuk mund ti parandalosh...e rëndësishme është të mos ngjasë në premierë..”

Në mesin e dhjetorit 1930 në një gazetë ditore vjeneze doli një lajm i pazakontë, i cili bëri që emri i Sandros të përflitej ditë me radhë. Gjëja e pazakontë ishte jo emri i Aleksandër Moisiut, por një vjedhje spektakolare në vilën e tij në Hernals të Vjenës. Shtëpia, ku banonte Moisiu kur ndodhej në Vjenë, ishte në një zonë kodrinore e rrethuar me pyll e jo shumë të populluar të qytetit.

Hajdutët hynë në vilë duke thyer xhamin e një dritareje në katin përdhes dhe mëqenëse vila ishte e pabanuar, ato patën kohë gjithë natën për të “punuar” të qetë duke i bërë shtëpisë një kontroll të hollësishëm.

Pasi përcaktuan gjërat që do të merrnin me vete u ulën me nge të shijonin të patrazuar dy shishe me shampanjë që gjetën, e më vonë iu erdhi frymëzimi për të bërë humor apo komedi, duke veshur me radhë kostumet që aktori mbante në garderobën e tij. Rrethuar nga dekori i këndshëm i shtëpisë, dy grabitësit u ndjenë për orë të tëra aristokratë, saqë kur u larguan, duke marrë me vete peliçe të çmueshme, kostume dhe stoli prej argjendi me një vlerë rreth 10 000 Shilling.. , dolën të veshur si xhentëlmenë, sipas modës më të re “në kokë me cilindër vezullues e në këmbë këpucë lustrafino”.

Por eleganca e tepruar i tradhëtoi pasi tërhoqën vëmendjen e kalimtarëve që i njohën, gjë që çoi në kapjen e tyre një ditë më pas. Të dy hajdutët ishin personazhe të njohur në atë zonë, njëri i quajtur Franz Horn ishte ndihmësi i kasapit të lagjes dhe tjetri Ferdinand Guttmann ndihmës në dyqanin e argjendarisë aty pranë. Të dy pranuan vjedhjen dhe treguan që gjërat i kishin shitur tek një i njohur i tyre për 158 Shilling, ku dhe u gjetën të padëmtuara. Hajdutët u dënuan nga gjykata për vjedhje me thyerje të pronës private.

Shfaqjet përfundonin shumë herë me vdekjen e personazheve kryesorë të cilët i interpretonte Moisiu dhe shpesh atë e lodhte mendimi që të mos “vdesë njëlloj me herët përpara”. Ndodhi në Teatrin Gjerman, gjatë shfaqjes të George Bernard Shaë “Dilema e Doktorit” ku ai interpretonte piktorin Debudat, që në aktin e katërt duhej “të vdiste”. Ishte një skenë makabre....Moisiu , i veshur me këmishe nate ishte i ulur në një karrocë të sëmurësh, në agoni.

Gruaja e tij (të cilën e interpretonte aktorja Tilla Durieux) i qëndronte pranë, ndersa mjekët po prisnin vdekjen e tij. Asnjë fjalë.....atmosfera ishte e tendosur. .....Aleksandri gjysmë i vdekur ishte i heshtur .........papritur e pakujtuar hidhet dhe flet..... jo sot nuk dua të vdes, nuk dua ...të ...vdes.... Mjekët aktorë të befasuar nga kjo çmenduri, me zor mbanin të qeshurat.... Gruaja, që i ndodhej pranë e befasuar filloj ti lutej: ... ti duhet të vdesësh tashti, o zot i madh, ti duhet të vdesësh, të lutem...

Moisiu thërriste i papërmbajtur....Nuk dua....sot nuk dua të vdes....... e padiskutueshme nuk do të vdes këtu.... më nxirr në dhomën pranë....ndoshta ...aty mund të vdes...Njerzit të cilët nuk e njihnin pjesen kujtuan se ishin fjalët që permbante roli. Gruaja (Durieux) me zgjuarësi drejtoj karrocën drejt dhomës tjetër e ndersa perdja ra, në sallë, publiku i habitur dëgjoj thirrjet e Durieux..... i shkreti burri im, po vdes .....vdiq....

Një mike e Aleksandrit, shkrimtarja Therese Rie alias L. Andro tregon: Moisiu nga pamja e jashtme dukej çuditërisht shumë i ri. Një herë gjatë një aktiviteti në Neuen Ëiener Bühne, në zyrën e drejtoreshës Ellen Geyer Neustäder, ai u takua me një aktore të re e cila, meqë nuk e njihte atë, e kujtoi për një fillestar. Me deshirën për të ditur diçka më shumë për kolegun, vajza e pyet nëse ai ka “gjetur punë” apo luan ndonjë rol diku? Moisiu natyrshëm pohon me kokë.

“E ku,... vazhdon me kërshëri vajza,... në Neuen Ëiener Bühne? Cilin rol keni ju ketu?” Aleksandri i buzeqëshur pergjigjet: ....po ja ....si të them....luaj Hamletin, ... Fedjan te Kufoma e gjallë.....”. Çfarë, hidhet vajza, këto janë rolet e Moisiut?” Duke qeshur nga situata e krijuar zonja Neustädter e sqaron aktoren e re që përballë saj ndodhet i gjigandi i skenës gjermane, Aleksandër Moisi.

Wien, 18 prill 2013


Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?