Ekonomia po rritet ngadalë, Banka Botërore: Presim rënie të varfërisë në Shqipëri, duhet fokus tek familjet në nevojë preken nga inflacioni i lartë

19 Tetor 2023, 16:33| Përditesimi: 19 Tetor 2023, 16:48

  • Share

Ekonomia e Shqipërisë do të vazhdojë të rritet edhe këtë vit por ritmi i saj është ngadalësuar në krahasim me vjet. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga Banka Botërore në raportin për Ballkanin Perëndimor, ku vihet theksi tek kontributi pozitiv që ka pasur turizmi, konsumi dhe investimet.

Rritja e punësimit dhe e pagave në gjashtëmujorin e parë të këtij viti sipas ekspertëve të bankës do të japë ndikim në uljen e varfërisë e cila për këtë vit parashikohet të zbresë në 23.9%.

“Duke qenë se punësimi dhe pagat po rriten, pritet që shkalla e varfërisë të ulet”, tha Hilda Shijaku ekonomiste e lartë në Bankën Botërore.

Por rrezik mbetet përsëri rrezik inflacionin pavarësisht se në krahasim me vitin e kaluar është më i ulët, pasi sipas tyre godet familjet në nevojë.

“Duhet të ruajmë mbështetjen e shenjëstruar për këtë segment të targetuar për të mbështetur këto familje që  i ndjejnë më shumë çmimet e larta sidomos ato të shportës ushqimore”, tha Natasha Rovo eksperte e Bankës Botërore.

Në raport është analizuar edhe tregu i punës, ku përpos rritjes së punësimit dhe uljes së papunësisë, problem vlerësohet mungesa e stafit të kualifikuar.

“Vëmë re mungesë të forcës së punës së kualifikuar, dhe ulja e ofertës së punës ka sjellë kosto të shtuar për bizneset”, tha Hilda Shijaku.

Ndërsa sa i takon borxhit publik, ekspertët e bankës thonë se do të ulet në 60.3% këtë vit nga 62.1% që ishte vjet, por sugjerojnë që të mbahet në kontroll për shkak të normave të larta të interesit në tregjet e huaja.

“Borxhi publik edhe pse ka ardhur drejt konsolidimit, mbetet prapë subjekt i rreziqeve të shtuara si rezultat i normave të larta të interesit në tregjet ndërkombëtare”, tha Hilda Shijaku.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?