Ekonomia, divergjencat e çiftit Meta
Presidenti: Rritje! Kryemadhi:Kolaps

9 Nëntor 2017, 11:06| Përditesimi:

  • Share
Në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë, të mbajtur sot në Tiranë, ishte i ftuar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Në fjalën e tij kreu i shtetit u shpreh me optimizëm lidhur me situatën ekonomike në vend kur tha se: “Të dhënat e fundit konfirmojnë trendin rritës të ekonomisë shqiptare. Edhe pse trendi rritës pritet të vazhdojë, sfidat që kemi përpara janë të shumta”.

Por ndërkohë, bashkëshortja e Presidentit, Kryetarja e Lëvizjës Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi duket se nuk ndan të njëjtin mendim me numrin 1 të vendit.

Në fakt në takimin që Kryemadhi ka patur dje me kryetarin e Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm në Shqipëri, ajo u shpreh në rrjetet sociale se “Dhjetëra mijëra biznese janë në prag të falimentimit!” dhe se “dhjetëra mijëra njerëz do ti shtohen armatës së të papunëve”.

Një deklaratë e tillë është në asimetri të plotë me pikëpamjen e presidentit, i cili mendon se ekonomia shqiptare është në rritje.

Disa muaj më parë, kur Meta u betua si president, Kryemadhi vendosi që të mos ishte Zonja e Parë dhe të mos bëhej pjesë e ceremonialeve presidenciale, ndoshta për faktin se ajo vendosi t’i bënte opozitë qeverisë.

Nuk dihet nëse këto kontradikta janë të koordinuara apo spontane, por ajo që është e sigurt është se se tashmë përveç opozitës ndaj qeverisë, kundërshtimet e Kryemadhit kanë nisur edhe vetë ndaj kreut të shtetit dhe burrit të saj, me të cilin veç fateve në politikë, ndan edhe ato në jetë.

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?