Eglantina, sopranoja e 'Ditarit në vargje'! Enri, djali i mozaikëve të Beratit: Kalova një periudhë të errët, poezia e arti më shëruan! Vepra feministe ‘Gruaja e ngrënshme’

24 Mars, 13:42| Përditesimi: 24 Mars, 20:29

  • Share

Titulli: “Ditar në vargje

Autore: Eglantina Bakiu

Shtëpia Botuese: “Toena”

Çmimi: 1100 lekë

35 vitet si soprano në "Opera" Eglantia Bakiu i përmbledh në vargje në "Nostalgjinë e artistit" me mallin për emocionet e skenës e të publikut por edhe merakun, që të ketë lënë gjurmë të bardha në aspektin human. Është një nga 116 poezitë e vëllimit të saj "Ditar në vargje", ku sjell refleksione të kushtëzuara nga aspekte personale e përmes tyre mesazhe universale. Muzika është e pranishme në këtë "tingull të gjatë" përjetimesh poetike, ku Eglantina, si një nënë-grua që rriti e vetme bijën e saj, shkruan për forcën 'luftarake' të femrës me brishtësinë, bukurinë e dëshirat e saj. Autorja artiste hulumton në botën e brendshme të njeriut duke këmbëngulur në triumfin e së mirës, sodit natyrën, sjell ndjesi nga ngjarje e vende, që ngjashmërisht na rrethojnë.

 

Titulli: “Epigrame

Autor: Enri Mançe

Shtëpia Botuese: “Ada”

Çmimi: 500 lekë

"Epigramet" e Enri Mançes lindin në një periudhë të errët të jetës së tij. I izoluar ai thërret në ndihmë pasionin e kahershëm për shkrimtarinë dhe përmes poezisë bën "katharsis". Si një artist amator i mozaikëve, që ai krijon në Beratin e tij, Mançe ndërthur të dy pasionet. Ndërton epigram pas epigrami, me “guralecët” e përvojës së tij, hartën e plagëve të shoqërisë sonë, të cilën kërkon ta pastrojë përmes efektit kurativ i artit.

 

Titulli: “Eksepsionalizmi amerikan & lidershipi global i SHBA

Autor: Fatos Tarifa

Shtëpia Botuese: “Onufri”

Çmimi: 1500 lekë

Diplomati e sociologu i njohur Fatos Tarifa, boton librin e tij të 7-të mbi Amerikën. Me "Eksepsionalizmi amerikan dhe lidershipi global i Shteteve të Bashkuara të Amerikës", studiuesi sjell një qasje krahasimore analitike të ndërtuar mbi baza të forta historike e gjeopolitike, ku rrëfen çka e bën këtë superfuqi më të veçantin ndër vende, prej vetëkrijimit deri në ditët e sotme.

 

Titulli: “Gruaja e ngrënshme

Autore: Margaret Atwood

Shtëpia Botuese: “Pegi”

Çmimi: 1200lekë

Staira therëse "Gruaja e ngrënshme" është romani i parë i Margaret Atwood, që vjen në shqip nga Jerina Dushku.  New York Times e konsideron një vepër feministe, “ku gruaja ka të ngjarë të bëhet një tjetër produkt “i ngrënshëm”, komercializuar për oreksin e krijuar”. Ngjarjet ambientohen në vitet '60 dhe protagonistja Marianë MekAlpin është një vajzë e formua e fejuar me Pjetërin "që i bindet" rregullave të shoqërisë patriakaliste. Derisa një mbrëmje, ajo rebelohet dhe arratiset. Njohja me Dankenin do të shënojë një kthesë në jetën e Marianës, që do të nisë të refuzojë gradualisht ushqimin.

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?