Foto ilustruese

Eduard Zaloshnja: Sa s’votuan më 14 maj dhe pse s’votuan

15 Qershor 2023, 21:49| Përditesimi: 15 Qershor 2023, 21:50

  • Share

Në një sondazh rigoroz në terren që dizenjova dhe drejtova, u përfshinë edhe disa pyetje rreth votimit më 14 maj. Kampioni përbëhej nga 1100 banorë të rritur, të përzgjedhur krejt rastësisht, me shpërndarje proporcionale në të gjithë territorin e vendit. Kampioni u ripeshua statistikisht, që të përfaqësonte sa më mirë gjeografikisht dhe demografikisht popullsinë e rritur banuese në Shqipëri.

Nga sondazhi rezultoi se 70% e banorëve të rritur të vendit kanë votuar më 14 maj (tek të rinjtë 18-24 vjeç, kjo përqindje ishte vetëm 19%). Duke ditur që KQZ-ja regjistroi 1 milion e 400 mijë pjesëmarrës në zgjedhjet e 14 majit, mund të përllogaritet se 30% që nuk morën pjesë janë baraz me 600 mijë banorë të rritur mospjesëmarrës brenda vendit. (Meqë marzhi gabimit statistikor i sondazhit ishte plus/minus 2.7%, i bie që numri i mospjesmarrësve të ketë qenë 600 mijë plus/minus 54 mijë).

Ndër të anketuarit që nuk votuan më 14 maj, 62% deklaruan se ndjehen të papërfaqësuar nga partitë që kishin kandidatë për kryebashkiakë në garë; 19% deklaruan se e parashikonin se kush do të zgjidhej kryebashkiak në bashkinë e tyre, prandaj nuk e morën mundimin të votonin (kryesisht këta ishin tiranas dhe shkodranë); 16% deklaruan se nuk votojnë zakonisht në zgjedhjet lokale; dhe 3% nuk votuan për arsye të ndryshme jopolitike.

Ndër të anketuarit që votuan më 14 maj, 91% deklaruan se votuan për kandidatin që kishte paraqitur partia/koalicioni i tyre i preferuar dhe 9% për kandidatin që u ishte dukur më i mirë, pavarsisht siglës që përfaqësonte.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?