Eduard Zaloshnja: 4 ndër 24. Shumë pak…

23 Nëntor 2023, 13:22| Përditesimi: 23 Nëntor 2023, 14:38

  • Share

Deri më 1990, kur kufijtë e Shqipërisë ishin ende të mbyllur me tela me gjemba (literalisht dhe legalisht), të vetmit futbollistë që luanin me kombëtaren tonë ishin ata që ishin lindur, rritur e zhvilluar si futbollistë brenda kufijve të caktuar nga Konferenca e Ambasadorve në Londër më 1913. Pas hapjes së kufijve, në kombëtaren shqiptare filluan të grumbullohen futbollistë nga të gjitha trojet shqiptare (jo pak prej tyre të lindur apo të rritur në Europë).

Hapja e Shqipërisë (dhe rrjedhimisht e kombëtares së futbollit) ka sjellë rezultate dhe emocione të jashtëzakonshme për sportdashësit shqiptarë. Disa nga më të spikaturat: Humbjet e ngushta në Gjermani më 1994 e 1997, fitorja me Rusinë në Shkodër më 2003, fitorja me kampionen e Europës (Greqinë) në Tiranë më 2004, fitorja në Portugali më 2014, fitorja me Francën në Tiranë më 2015, kualifikimi në Europianin e 2016-ës dhe fitorja atje me Rumaninë, fitoret e sivjetshme me Poloninë dhe Çekinë në Tiranë dhe kualifikimi në Europianin e 2024-ës.

Sidoqoftë, me kalimin e viteve, ka ardhur gjithnjë duke u pakësuar në kombëtaren tonë numri i atyre që janë lindur, rritur e zhvilluar si futbollistë në Shqipërinë londineze. Nga 24 futbollistët e grumbulluar së fundmi në kombëtare, vetëm 4 janë lindur, rritur e zhvilluar si futbollistë në Shqipërinë londineze: Cikalleshi, Uzuni, Muçi dhe Bare. Dhe kuptohet që trajneri Silvinjo nuk ka pasur ndonjë paragjykim në grumbullim – ai ka grumbulluar futbollistët më të mirë ndër 50 që ka monitoruar gjatë vitit të fundit, pavarsisht se ku janë lindur, rritur e zhvilluar si futbollistë.

Statistika e mësipërme (vetëm 4 nga 24) ilustron dhimbshëm rënien e cilësisë së futbollit në territorin e Shqipërisë londineze. Sepse dikur, edhe kur kombëtarja grumbullonte vetëm futbollistë nga ky territor, sportdashësit gjithsesi kanë përjetuar ndeshje me emocione të rralla. Disa nga më të spikaturat: Fitorja e Kupës Ballkanike më 1946, fitorja ndaj Danimarkës 1-0 më 1963, barazimi ndaj Irlandës Veriore të Xhoxh Bestit 1-1 më 1965, barazimi ndaj nën-kampionëve të botës (Gjermanisë Perëndimore) 0-0 më 1967, fitorja ndaj Turqisë 3-0 më 1971, fitorja ndaj Finlandës 2-0 më 1980, barazimi me Poloninë 2-2 më 1984, fitorja ndaj Belgjikës 2-0 më 1984, dhe pjesa e parë me Spanjën 1-0 më 1986 (ku kombëtarja jonë ka luajtur ndoshta futbollin më të bukur deri më sot).

Fakti që klubet tona dhe akademitë përkatëse nuk nxjerrin më talente si Panajot Pano, Qemal Vogli, Ali Mema, Vasillaq Zëri, Fatmir Frashëri, Medin Zhega, Ilir Përnaska, Arben Minga, Agustin Kola, Shkëlqim Muça, Sulejman Mema, Sulejman Demollari, etj. etj. (të cilët, në kulmin e tyre, mund të ishin transferuar me sukses në klubet më të mira europiane – nëse kufijtë do të kishin qenë të hapur), tregon se Fedarata Shqiptare e Futbollit e ka lënë pas dore zhvillimin e futbollit këtu në Shqipërinë londineze, ku sportdashësit duan të shohin futboll cilësor çdo javë, e jo vetëm kur luan kombëtarja kuqezi…

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?